Kosovë-Shqipëri, një vit nga mbledhja e parë historike e dy qeverive në Prizren

Kosovë&Rajon

ramaPara një viti, në 11 janarin e 2014-ës, u mbajt në qytetin e Prizrenit mbledhja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e vlerësuar historike, e para pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.

“Modestisht mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, qeverinë e Shqipërisë dhe qeverisë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhje Kryeministri Edi Rama.

“Është e vërtetë se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve tanë i takojnë një kombi që megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulture dhe një traditë të përbashkët”, shtonte ai.

“Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-se dhe BE-së”, shprehej, mes tjerash, Kryeministri Rama.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

 

ME TE LEXUARAT