Forumi Botëror i Arsimit në Londër, Veliaj shpall nismën “Aftëso Shqipërinë!”

Aktualitet

veMinistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, zgjodhi Forumin Botëror të Arsimit në Londër për të shpallur nismën e re të MMSR-së “Aftëso Shqipërinë!”, e cila ka për qëllim të ftojë/sjellë në vendin tonë arsimtarë dhe administratorë shqiptarë e të huaj për të kontribuar në rikthimin e zanateve nëpërmjet arsimit profesional.

Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, z. Veliaj mori pjesë në punimet dy ditore të Forumit Botëror të Arsimit, ku edhe publikoi programin e MMSR-së për shkollat profesionale dhe nënvizoi rëndësinë strategjike të Arsimit Profesional në luftën kundër papunësisë së të rinjve në Shqipëri. Ai zhvilloi një takim me shqiptarët e Britanisë dhe studentë të huaj në University College of London, ku njoftoi disa nga nismat e reja të MMSR-së për arsimin dhe formimin profesional.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ne jemi në një proces ku po transformojmë arsimin profesional, duke u fokusuar tek aftësitë që ofrojnë punë në treg dhe jo tek diplomat e 20 viteve të fundit që nuk kanë treg. Gjithashtu, po shohim për njerëz me aftësi profesionale. Ne nuk mund të vazhdojmë të mësojmë se si ndërtohen autotraktorët apo industri të tjera të dështuara në Shqipëri, ndaj kemi vënë re se në shkollat ku kemi partneritet me mësues ndërkombëtarë, produktiviteti ka qenë më i lartë, nxënësit janë më të mirë dhe më të punësueshëm”, u shpreh z. Veliaj.

Programi “Aftëso Shqipërinë!” ka për qëllim të rekrutojë edukues apo administratorë shqiptarë ose të huaj me përvojë dhe me dëshirë për të kontribuar në misionin e përbashkët të të rikthyerit të zanatit në Shqipëri nëpërmjet arsimit profesional, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e kësaj nisme. Kandidatët duhet të jenë në gjendje t’i kushtojnë të paktën një vit akademik punës së tyre në shkollat profesionale dhe të jenë të gatshëm të zhvendosen në zonat pranë tyre.

Ndërkaq, në një intervistë për median, ministri Veliaj preku edhe çështjen e pensionit të emigrantëve shqiptarë dhe theksoi se me Britaninë e Madhe do të negociohet njësoj siç është vepruar me vendet e tjera të BE-së. “Komuniteti shqiptar në Britani nuk është shumë i madh, si ai në Itali dhe Greqi, por është i konsoliduar, i zëshëm dhe në pjesën më të madhe i legalizuar, sa i takon pagesës së sigurimeve shoqërore. Brenda pranverës ne synojmë të nisim negociatat. Propozimi që ne u bëjmë vendeve me të cilat negociojmë është që të mbledhin vitet e punës, sepse nëse shtohen me ato të Shqipërisë, i kualifikon emigrantët për pension këtu dhe jepet në mënyrë proporcionale ajo pjesë që u takon. Ka shumë leverdi për emigrantët dhe më vjen mirë që me 6-7 vende i kemi mbyllur negociatat, ndërsa i kemi nisur me Gjermaninë dhe Austrinë. Do të ishte fantastike që me Italinë dhe Britaninë t’i hapnim këtë vit”, deklaroi z. Veliaj.

Kthimi i vëmendjes së qeverisë tek arsimi profesional bëri që numri i regjistrimeve në shkollat profesionale të rritej me 40% krahasuar me ata që përfunduan vitin e fundit të arsimit profesional në 2013. Sot, 53 shkollat profesionale në Shqipëri u shërbejnë 6.000 të rinjve, duke ofruar 44 drejtime  dhe 110 profile mësimore.

ME TE LEXUARAT