Meta diskuton me Thaçin problemet e shqiptarëve, merr garanci për dialog politik

Politikë

metaNë vijim të vizitës së tij në Maqedoni, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u takua me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Fillimisht Meta u takua me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi me të cilin u diskutua rreth përpjekjeve që duhen bërë për të avancuar më tej realizimet e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gjatë takimit, Meta shprehu mbështetje për përpjekjet e faktorit shqiptar për forcimin e stabilitetit në Maqedoni.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë për takimin me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me të cilin shkëmbeu mendime dhe ide për të forcuar më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Gjithashtu, Meta u shpreh se gjatë takimit me z. Thaçi u shkëmbyen ide edhe lidhur me përpjekjet që duhen bërë për të avancuar më tej realizimet e të drejtave të shqiptarëve si një faktor shtetformues dhe mjaft kyç për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë.

“Duhet të theksoj se ne mbështesim të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni dhe në mënyrë të veçantë për integrimin e tyre në të gjitha institucionet, për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit, dhe njëkohësisht për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë Perëndimore si në drejtim të buxhetit, si në drejtim të investimeve të huaja, pasi dihet që problemet sociale, veçanërisht ai i papunësisë, është një problem mjaft i mprehtë për të rinjtë.

Ashtu sikurse kemi ndarë bindjen e përbashkët se linja hekurudhore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e të gjithë shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve, por edhe për të faktorizuar Shqipërinë dhe Maqedoninë si vende shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit dhe për të vënë vërtetë në funksionim Korridorin e 8-të”.

Sakaq, Kryetari i Kuvendit tha se takime të tilla ndihmojnë për të koordinuar më mirë ato tema të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë.

“Kemi diskutuar edhe për çështje të tjera rajonale sikurse janë ato që kanë të bëjnë me forcimin e mëtejshëm të mbështetjes për shtetin e Kosovës, për bashkëpunimin rajonal ku Shqipëria dhe Maqedonia duhet të vazhdojnë të jenë aktive dhe besoj se ky takim, në vazhdën e takimeve tona sistematike, na ndihmon për të koordinuar më mirë të gjitha ato tema të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë, me qëllim kryesor afirmimin e tyre si një faktor stabilizues, si një faktor integrues dhe evropianizues për të gjithë rajonin”.

Nga ana e tij, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi siguroi z. Meta se forca politike që ai drejton asnjëherë nuk do të jetë problemi, por do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit.

“Ishte kënaqësi për mua si udhëheqës i opozitës që takova Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. Ashtu siç tha Kryetari, biseduam për shumë çështje dhe unë e sigurova që PDSH-ja asnjëherë nuk do të jetë problemi, por do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit. Do të vazhdojmë me një politikë të fortë opozitare, por padyshim konstruktive. I paraqita shqetësimet e mija për Maqedoninë, që është në një proces të bllokimit total të dy çështjeve fondamentale që garantojnë mbijetesën e Maqedonisë.

E para, integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, dhe çështja e raporteve ndëretnike apo realizimi i të drejtave kolektive të shqiptarëve. Nuk kam ndonjë shpresë se situata do të mund përmirësohet shpejt, vetëm e sigurova Kryetarin e Kuvendit se PDSH-ja asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave të pakujdesshme, qofshin politike, qofshin të tjera, për shkak se jemi shumë të vetëdijshëm për barrën dhe peshën që ne kemi si parti opozitare për të garantuar një qetësi dhe stabilitet. Megjithatë, bashkërisht ramë dakord të vazhdojnë komunikimin mes nesh”.

Gjithashtu, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare theksoi se Shqipëria jep një kontribut të jashtëzakonshëm për stabilitetin e Maqedonisë dhe mbështetje për procesin integrues.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i bëri edhe një vizitë Kryetarit të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në mjediset e spitalit të Tetovës, ku i uroi shërim të shpejtë pas atij aksidenti automobilistik që pësoi gjatë ditës së mërkurë.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se pikëpamjet me z. Ahmeti sa i takon situatës në Maqedoni janë në sintoni të plotë.

“Ashtu sikurse dihet që pikëpamjet tona me z. Ahmeti janë në sintoni të plotë sa i takon situatës në Maqedoni, perspektivës së Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, për proceset integruese, por dhe angazhimit të BDI-së dhe të faktorit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Edhe një herë i uroj të shkuara z. Ahmeti, shoferit të tij dhe njëkohësisht të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të BDI-së të jenë të qetë, pasi kryetari është shumë mirë dhe do të jetë akoma më mirë duke filluar besoj që nga dita e nesërme”.

ME TE LEXUARAT