Nishani fton Presidentin serb Nikolic më 26 Maj në Tiranë

Politikë

nishaPresidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, zonjën Maja Gojković, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe u shpreh se mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon, ka një shans për të rigjallëruar bashkëpunimin si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër rajonal. Duke vlerësuar mesazhet pozitive që po përcjell gjatë vizitës në Tiranë Kryetarja Gojković, edhe ato që janë transmetuar si nga Kryeministri Rama në Beograd e gjatë takimeve dypalëshe mes dy Presidentëve në kuadër të forumeve shumëpalëshe, Presidenti Nishani theksoi se klasa politike ka detyrimin dhe përgjegjësinë për të përçuar qartësi dhe ndjenjën e miqësisë dhe bashkëjetesës për brezat e rinj. “Vetëm përmes mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe mirëbesimit, vendet e rajonit mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për popujt e tyre” – u shpreh Presidenti Nishani.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidenti Nishani evidentoi se pavarësisht qëndrimit krejt të ndryshëm që ndajmë lidhur me Kosovën si shteti më i ri në rajon, bashkohemi kur themi se Bashkimi Europian mbetet alternativa më përbashkuese për të ardhmen e të gjithë rajonit tonë. Duke mbështetur plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe marrëveshjet e arritura deri tani me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, dhe mbështetjen e ShBA-ve, Kreu i Shtetit theksoi se dialogu mbetet platforma më e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe krijimin e një të ardhme në paqe dhe begati mes të dy vendeve.

Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe statusit ekonomik, politik dhe social të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kudo në Serbi, duke theksuar se Shqipëria pret që ata të trajtohen sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Kreu i Shtetit vlerësoi Memorandumin e nënshkruar nga Kryeministrat e të dy vendeve për bashkëpunimin rinor, sipas modelit franko-gjerman, duke shpresuar të shohim impaktin konkret pozitiv për të rinjtë e të dyja vendeve, e veçanërisht në raport me studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës që kanë studiuar në Shqipëri dhe kthehen për të punuar në Serbi.

Në fund të takimit Presidenti përcolli ftesën për Presidentin Nikolić për të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Evropës Juglindore që do të zhvillohet në 26 maj në Tiranë.

ME TE LEXUARAT