Zgjedhjet Vendore, Kisha Katolike: Zgjidhni kandidatë pa të kaluar kriminale
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Së pari, dëshirojmë të themi se duhet të tregohet nga forcat politike një vullnet i pakthyeshëm për dekriminalizimin e politikës në tërësi. Këto zgjedhje vendore janë një rast mjaft i volitshëm që të shfaqet hapur prej forcave politike vullneti politik për dekriminalizim. Prandaj në përcaktimin e kandidatëve të kihet parasysh gjetja e atyre kandidatëve, të cilët nuk janë të përfshirë në një të kaluar kriminale dhe korruptive.
Së dyti, sikurse kemi thënë edhe në qarkoren me rastin e zgjedhjeve të vitit 2013, e që për fat të keq u verifikua dukshëm në ato zgjedhje, dënojmë dhe bëjmë thirrje që të mos verifikohet më shitblerja e votës. Kush shet votën, me çfarëdo çmimi, ka shitur dinjitetin, nderin e vet dhe të familjes. Kush e blen votën është i paskrupullt dhe poshtëron dinjitetin e të tjerëve dhe të vetin. Shitblerja e votës heq mundësinë e kërkimit të llogarisë nga ana e qytetarit ndaj të zgjedhurve. Lidhur me këtë, po ashtu edhe premtimi i votës nën be pasi janë paguar para, është një fyerje ndaj Zotit dhe kundër moralit të shëndoshë njerëzor e fetar.
Së treti, dëshirojmë të garantohet një proces i drejtë zgjedhjesh nga organet përkatëse, por në mënyrë të veçantë nga subjektet pjesëmarrëse. Kemi asistuar në vite fatkeqësisht në një gjuhë të dhunshme dhe mjaft problematike në të kaluarën. Të ruhet gjatë fushatës etika e komunikimit verbal qoftë nga kandidatët e qoftë nga subjektet politike. Së katërti, ne këmbëngulim që subjektet politike dhe kandidatët për pushtet vendor në programet e tyre dhe në paraqitjen e platformave politike të kenë parasysh të mirën e të gjithë njerëzve, por në mënyrë të veçantë një kujdes ndaj të varfërve dhe ndaj rinisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Kishës Katolike.
Deklaratën e Konferencës Ipeshkvnore e ka përshëndetur Partia Demokratike, sipas së cilës, “shqetësimi që ngre Kisha Katolike dhe kërkesa e saj për dekriminalizimin, për dhënien fund praktikave të shitblerjes së votave, për gjetjen e kandidatëve me integritet, janë shqetësimet e drejta të mbarë shoqërisë”.