Vetëvrasja e ish-policit, gruaja: OSHEE-ja rilidhi dritat pas tragjedisë

Aktualitet

policia2015Kur kanë kaluar dy ditë nga vetëvrasja me automatik e ish-efektivit të policisë Arif Doda, gruaja e tij bën apel për ndihmë. Në një intervistë për “Shekullin”, 37-vjeçarja Zenepe Doda rrëfen të gjithë ngjarjen, duke shtuar se bashkëshorti i saj e kreu aktin ekstrem nga tronditja e thellë psikike pasi, OSHE, ndërpreu energjinë elektrike. Familja Doda, me origjinë nga Dibra, kanë ardhur në kryeqytet në vitin 2002 dhe aktualisht banojnë në zonën e “Depos së ujit”, pranë Saukut. E traumatizuar për ndarjen nga jeta e burrit të saj, Zenepja pohon se “tani vetëm Zoti na ka në dorë, sepse nuk e di se si do t’i rris dy fëmijët jetimë, kur të hënën fillon shkolla dhe unë nuk kam lekë për t’i blerë libra djemve të mi”.

Zonja Zenepe, si ndodhi vetëvrasja e burrit tuaj?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Të martë erdhën elektricistët dhe kërkuan 70 mijë lekë për të paguar në arkat e OSHË-së. Por ne nuk i kemi aq lekë. Unë iu luta inspektorëve të OSHË-së, që të mos i ndërprisnin dritat, sepse kisha burrin me të meta mendore dhe vjehrrën e paralizuar. Ato as që donin t’ia dinin! Menjëherë, sa u ndërpre energjia elektrike, Arifi nuk donte të vinte më në shtëpi, pasi kishte frikë nga errësira për shkak të gjendjes së rëndë psikike që kishte. Burri erdhi në shtëpi të mërkurën rreth orës 16:00 dhe nuk e di se ku kishte qëndruar gjatë gjithë natës. Kisha frikë ta pyesja se çfarë kishte brenda atij thesi që futi në shtëpi, ndërsa ai vetëm tha: Akoma nuk paskan ardhur dritat?! Jo i thashë unë dhe shkova në fund të oborrit të shtëpisë. Nuk kaloi as 3 minuta dhe vetëm dëgjoj një të shtënë me armë zjarri. Shkova menjëherë në dhomën e gjumin dhe e gjeta Arifin të mbuluar me gjak.

Çfarë bëtë pastaj?

Plumbi e kishte marrë në zemër dhe vetëm më thoshte: Amanet fëmijët! Amanet fëmijët! Djalin e vogël e donte shumë. Pavarësisht se vuante nga depresioni, vetëm ai e qetësonte kur i fillonin krizat nervore. Edhe pse më ndihmuan fqinjët, Arifi mbërri i vdekur në spital. Nuk e kuptoj se çfarë do të bëhet tani me mua, kur kam për të rritur 2 fëmijë jetimë dhe vjehrrën të paralizuar. Ku do t’i gjej unë paratë që t’ia shlyej borxhin shtetit. I thonë  1 milion lekë dhe nuk janë pak, për më tepër që unë kam për të paguar edhe 100 mijë lekë borxhe që kam marrë ushqim me listë te dyqani i lagjes. Në këtë gjendje që jam tani, kur sa kam përcjellë burrin në varreza, them se, më mirë për mua do të jetë që të vdes dhe unë, sepse nuk e përballoj jetën në këtë mënyrë.

Si ka mundësi që brenda në banesë ka energji elektrike?

Nuk ka më gjë të hidhur se sa ta qash të vdekurin me qiri. Pasi u bë ngjarja e madhe, erdhën përsëri ata të OSHË-së dhe i rilidhën dritat. Në ato momente, nuk mbaj mend asgjë. U desh që të ikte një jetë njeriu që shteti të më sjellë drita mua. Për çfarë t’i dua dritat tani unë?... Për çfarë? (qan). Më iku burri nga kjo jetë dhe më la jetim dy fëmijë të mitur. Kush do të kujdeset tani për ata? Të hënën fillon shkolla dhe unë tani kam mbetur në qiell të hapur, pa asnjë ndihmë, pa asnjë shpresë.

Prej sa kohësh nuk e paguani energjinë elektrike?

Kemi shumë vite që nuk e paguar energjinë, jo se nuk duam ta paguajmë, por nuk kemi, me se! Me çfarë?!  Unë pa punë, burri e kisha me kartelë, vjehrra e paralizuar dhe 2 fëmijët, 9 dhe 6 vjeç. Më thuaj, ku t’i gjeja paratë për t’ia shlyer debinë shtetit? Ne jetojmë në kushtet e mesjetës, ndërsa OSHË-ja na kërkon 1 milion për të paguar dritat. Jam shumë dakord se, po të isha në gjendje të mirë financiare nuk do t’i lija faturat e energjisë elektrike pa paguar. Por skamja, varfëria dhe papunësia, na ka detyruar që të jemi në këtë gjendje të mjerueshme mbijetese, që një Zot e di se si do t’i rris tani dy fëmijët jetimë.

Nëna e viktimës: Lekët i bëjmë vetëm ilaçe

Arifi Doda, ishte punonjës i policisë së shtetit në vitet 1991-1997, duke shërbyer në kryeqytet. Pas trazirave të vitit ‘97, ai emigroi në Itali, ku sipas nënës së tij, Bardha Doda, u sëmur dhe kaloi në gjendje të rëndë mendore. Pasi qëndroi disa kohë në Itali, në vitin 2002, 43-vjeçari kthehet në vendlindje. Arifi kërkoi përsëri që të shërbente në radhët e policisë, por kërkesa e tij u refuzua për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Bardha, nëna e të ndjerit theksoi se, djali i saj u vetëvra se nuk kishte lekë që t’i paguante OSHË-së. “Ai merrte rreth 15 mijë lekë pension në muaj për shkak të sëmundjes që kishte, ndërsa vetëm qetësuesit, djalit i kushtonin 12 mijë lekë. Po kështu, unë marrë 70 mijë lekë pension, por jam e paralizuar. Ne si familje të gjitha të ardhurat që kemi i dërgojmë për ilaçe. Vetëm te dyqani i lagjes kemi për të paguar 100 mijë lekë borxh dhe u bë vite që ushqimet i marrim vetëm me listë. Pra, në këtë gjendje që jemi ne, nuk mund të ketë një përjashtim nga OSHË-ja?”, shprehet e moshuara.

ME TE LEXUARAT