Ekonomia

Ministria e Financave: Ja cfarë tregon raporti i FMN për ekonominë shqiptare

FINANCATFondi Monetar Ndërkombëtar ka konfirmuar edhe një herë se ekonomia shqiptare ka konsoliduar tashmë trendin e qëndrueshëm të rritjes së saj.

Kështu deklaron Ministria e Financave, e cila në një njoftim për shtyp citon raportin mbi Çështjet Ekonomike Rajonale, i publikuar sot nga FMN, i cili sipas komunikatës përmban disa elementë tejet pozitivë për ekonominë shqiptare.

“Së pari, në Shqipëri raporti i pagës minimale ndaj pagës mesatare për vitin 2015 është mbi 45%, ose mbi nivelin mesatar në Europën Perëndimore dhe vendi ynë renditet i dyti pas Sllovenisë, për të gjitha vendet e CESEE”, citon MF raportin e Fondit.

Së dyti, vijon njoftimi, “risku i stabilitetit politik në mars 2016 është reduktuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke kaluar nga intervali ‘50-60’ në ‘40-50’”. “Së treti, Shqipëria është përjashtuar nga grupi i vendeve që ekspozojnë hapësira për rritjen e borxhit të jashtëm, sikurse ka ndodhur me vendet e tjera për shkak të rënies në konsum dhe investimeve. Këto nuk janë thjesht vlerësime për ekonominë shqiptare, por janë rezultate të drejtpërdrejta të punës së maturuar dhe reformave të thella të qeverisë në çdo sektor”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Dikasteri që qeveris financat e vendit pohon më tej se, ekonomia shqiptare në vitin 2015 u rrit me 2.62%, ose më shumë sesa mesatarja e rajonit. Dhe sipas tij, “FMN, Banka Botërore dhe të tjera institucione ndërkombëtare kanë çertifikuar performancën e ekonomisë shqiptare gjatë dy viteve të fundit”.

“Në raport me vitin 2013, kur rritja ishte vetëm 1.1%, vitet 2014 dhe 2015 shënuan ndryshimet më të mëdha të rritjes në rajon”, deklaron MF në njoftimin e saj. Dokumenti vlerëson se, ekonomia shqiptare është ekonomia me trendin më të qëndrueshëm të zhvillimit në rajon, përkundër luhatjeve të theksuara të vendeve tona fqinje.

“Falë këtij stabiliteti dhe reformave të guximshme të kësaj qeverie, projeksionet e FMN-së për rritjen ekonomike, tregojnë se në vitin 2017 ekonomia jonë do të renditet në vendin e dytë në rajon”, përfundon njoftimi për shtyp.

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close