Bota

Mafiozi më i madh i historisë, Toto Riina i sëmurë rëndë, zbulohet kushti që i kanë vënë për ta lënë “të lirë”

Krimineli më i kërkuar në botë, shefi historik i të Cosa Nostras siciliane, i konsideruar ndryshe si mafiozi më i madh që ka pasur historia e mafias, Salvatore Riina, ose Toto Riina është i sëmurë rëndë.

Kohët e fundit media italiane e ka kthyer vëmendjen nga ai për shkak të një sëmundje të rëndë dhe neoplazisë së veshkave që e ka goditur, të cilat nuk e lejojnë të ulet, ndërsa është kërkuar që t’i mundësohet një vdekje dinjitoze jashtë burgut. Por, autoritetet e cilësojnë akoma të rrezikshëm dhe derisa të flasë e të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve, do vazhdojë të mbetet në spitalin e burgut të Parmës, pa përfituar nga lehtësirat, raporton Tg.com.

“Gjendja aktuale e kujdesit për bosin e Cosa Nostra-s, Toto Riina është identike me atë që mund t’i ofrohej në liri apo arrest shtëpe.” Kështu ka deklaruar kryetarja e komisionit të Anti-Mafias Rosy Bindi, pas inspektimit nga afër në spitalin e Parmës ku ai është shtruar.
Ndër të tjera ajo thekson se bosit të mafias, “i garantohet edhe në këto kushte e drejta për një jetë dinjitoze por edhe për vdekje dinjitoze, vetëm nëqoftëse duan patjetër të garantojnë të drejtën për të vdekur jashtë burgut. Riina ka qënë dhe mbetet kreu i Cosa Nostra-s, jo pse shteti nuk ka fituar, por për faktin se rregullat e mafias nuk mund të modifikohen nga ato të shtetit dhe anasjelltas. Ai vazhdon të përbëjë rrezik dhe është në gjendje të plotë për të manifestuar vullnetin e tij. Ai kurrë nuk ka shfaqur shenja pëendese, apo dëshirë për të bashkëpunuar me drejtësinë”,- sqarohet në deklaratën e saj.
Kryetarja e Komisionit Anti-Mafia, ndër të tjera hedh dritë mbi gjendjen aktuale të shëndetit të bosit të mafias: “I burgosuri i cili nuk ka preferuar të bisedojë ishte në një karrocë ne rrota, i rregullt dhe me sy vigjilent. Ai ushqehet në mënyrë të pavarur, mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga një ekip mjekësh dhe infermierësh. Nga pikëpamja e inteligjencash, siç konfirmojnë edhe mjekët, ai komunikon normalisht me ta”.
Arrestimi
Arrestimi i tij erdhi si rezultat i një hetimi të karabinierisë, Palermos dhe konkretisht i një skuadre speciale, në krye të të cilës ishte kapiteni Serxho De Kaprio, i mbiquajtur “Ultimo”, që do të finalizohej me kapjen e bosit të bosëve. Pas arrestimit të Riinas, falë punës së karabinierisë, Policisë dhe sidomos Prokurorisë së Palermos e Kaltanisetas do të bëhej e mundur identifikimi dhe kapja e të tjerë shefave mafiozë si Benedeto Santapaola, Leoluka Bagarela, Xhovani Bruska, Pietro Alieri, Salvatore Kancemi, Antonino Xhufre, Rafaele Ganci, Bernardo Provencano, Salvatore Lo Pikolo, etj.

Jeta e Riinës
Rreth jetës së Salvatore Riinës dhe familjes së tij, ende ka mistere. Për jetën dhe veprimtarinë e tij janë bërë shumë filma, ku më i spikaturi ka qenë seriali “Il capo dei capi”. Riina lindi në fshatin Korleone në vitin 1930 dhe veprimtaria e tij si “njeri i nderuar” fillon një ditë vere të vitit 1958, kur në afërsi të fshatit të tij, Luciano Lixho, masakron me plumba mitralozi, drejtorin e spitalit, doktorin Mikele Navarra, i cili ishte shefi i mafies në vend. Në krah të Lixhos, qëlluan edhe një grup të rinjsh, midis të cilëve ishte edhe Salvatore Riina. Fillimisht Riina ishte mëkëmbës i Lixhos, shef i plotfuqishëm i Mafies Korleoneze, i cili zëvendësoi Navarren. Gjatë kësaj kohe ai ka bashkëpunuar me Bernardo Provencanon.
Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974. Pushteti i don Toto-s, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA ku në pak vite, bosi korleonez ia arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të Cosa Nostras amerikane.
Për pushtetin e Riinas, fliste në hetimet e tij edhe prokurori Xhovani Falkone. Këtë e bën pas rikthimit nga udhëtimi i shkurtër në SHBA, ku kishte shkuar për të takuar prokurorin e Neë Yorkut, Rudolf Xhuliani dhe prokurorin e Manhattanit, Ricard Martin.
“Por shefi i Cosa Nostras nuk ishte më Luciano Lixho, por Salvatore Riina. Është ai, që nga vendi i arratisjes, drejtonte trafiqet më të mëdha të drogës në gjysmën e Botës. Dhe është gjithmonë ai prapa çdo ngjarje të përgjakshme” kishte shkruar Falkone

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close