Kush janë tre kapot e krimit shqiptar që përmendi ambasadori amerikan në Tiranë

Aktualitet

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, ka bërë një deklaratë tejet të fortë ditën e sotme. Ai ka kritikuar policinë, prokurorinë e gjykatat, madje krejt sistemin e drejtësisë në vend për mungesë efikasiteti në goditjen e kriminalitetit në vend.

Lu theksoi se peshqit e mëdhenj nuk arrestohen ndërsa evidentoi se Shqipëria sundohet nga katër klane e 20 familje kriminale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Diplomati amerikan përmendi edhe emrat e tri personazheve të njohur të krimit në Shqipëri:

Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg.

Por kush janetre personazhet qe permendi ambasadori Donald Lu ne deklaraten e tij:

Emiljano Shullazi

Ndodhet në burg për akuzën e gjobëvënies ndaj së paku katër biznesmenëve. Akuzohet se për disa vite me radhë ka shantazhuar me dhunë e kërcënime biznesmenët më të njohur në vend të cilëve u ka marrë shuma të konsiderueshme monetare dhe u ka rrëmbyer pasuri të shumta. Vetëm Ylvi Beqjas, njërit nga biznesmenët që ka bërë padi ndaj tij Shullazi i ka marrë 600 mijë euro dhe 30 për qind të aksioneve të ish-hotel Vollgës.

Shullazi është arrestuar dhjetëra herë për armë pa leje, u ka shpëtuar disa atentateve, është përfshirë në incidente politike gjatë fushatave elektorale, emri i tij është përmendur edhe nga paraardhës të Donald Lu, por deri tani nuk ka marrë asnjë dënim bindës nga ana e drejtësisë.

Klemend Balili

Ish-drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë deri në maj 2017, pjesë e administratës PS-LSI, me propozim nga kjo e fundit. Balili është pronar i dhjetëra bizneseve në jug të Shqipërisë dhe përflitet se është në prapaskenën e pronësisë së një super-resorti turistik me vlerë 5 deri në 10 milionë euro në Sarandë.

Klemend Balili kërkohet nga drrjtësia greke për trafikim sasish të mëdha droge nga Shqipëria në Greqi, Belgjikë dhe Angli. Ai i shpëtoi arrestimit si me magji në maj 2017 ndërsa si asnjëherë më parë, policia dhe prokuroria u përfshinë në një "luftë deklaratash" e justifikimesh se kush ishte fajtori për mos arrestimin e tij.

Personazhi i Klement Balilit personifikon simbiozën e botës së nëndheshme me pushtetin politik të lidhura këto ngushtë me zotërimin e pasurive të mëdha dhe shumave monetare të afta për të korruptuar cdo sistem në Shqipëri.

Lulzim Berisha

Personazh i akuzuar për disa vrasje në Durrës, i përmendur dhe i akuzuar edhe nga politika. Edhe ai i shpëtoi dënimit me burg përjetë si me magji në gjykatën e Lartë ndërsa në dhjetor të vitit që kaloi, u lirua "gabimisht" nga gjykata e Durrësit, pa kryer as gjysmën e dënimit me 25 vite burg të dhëna ndaj tij. Lulzim Berisha u arrestua në kohën e ardhjes së PD në pushtet kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sokol Olldashi. Kapja e Lul Berishës në Maqedoni ishte një nga arrestimet VIP që krijuan besim të madh në publik për kohën, por është përfolur se gjatë kryerjes së dënimit, Lulzim Berisha ka dalë me leje nga burgu sa herë që ka dashur. Ndërkohë edhe vendimi për lirimin e tij është marrë mbi një sërë shkeljesh ligjore e proceduriale kurse gjyqtarët që firmosën nxjerrjen e tij nga qelia, edhe pse u deklarua se po hetoheshin nga KLD dhe Prokuroria, janë sotnë detyrë dhe të pa ndëshkuar. Asgjë nuk është bërë për korigjimin e vendimit të gabuar që u dha për lirimin e tij. Pikërisht pas këtij lirimi, Lul Berisha arriti të bënte foto edhe me Ben Blushin në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit./lajmifundit.al

ME TE LEXUARAT