PËRGJIMET/ “Do t’i hedh kalamajtë nga ballkoni!” Sherri mes trafikantëve pas kapjes së mallit

Kliko per me shume info

Për 8 muaj me radhë, Prokuroria për Krime të Rënda hetoi një grup kriminal, që ushtronte aktivitetin e tij në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike drejt Greqisë, ndërsa si prova para Gjykatës janë paraqitur një sërë përgjimesh telefonike dhe ambientale, që kanë bërë të mundur identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Nga përgjimet, rezulton se anëtarë të grupit shprehin shqetësim për sekuestrimet e bëra nga Policia, e cila prej kohësh kishte arritur identifikimin e disa prej anëtarëve dhe vënien në përgjim të tyre. Nga përgjimet e kryera, ka rezultuar se pas sekuestrimit të një prej sasive të lëndës narkotike, anëtarë të grupit kriminal kanë kërcënuar njëri-tjetrin, kjo pasi kishin ngritur dyshime për shkak të ndërhyrjes së Policisë.

Kliko per me shume info

PËRGJIMET E BISEDAVE MES TRAFIKANTËVE

Më datë 24.11.2018 në qytetin e Sarandës, Shqipëri, janë sekuestruar 32.35 kg lëndë narkotike të llojit “cannabis sattiva”, e cila ishte destinuar për të kaluar nga kufiri i gjelbër drejt territorit grek. Lidhur me këtë rast, janë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë Ergis Vero Kalemi, Aldo Nezir dhe Sueld Çupani.

Nga aktet dhe provat e shqyrtuara rezulton që të përfshirë në këtë episod kriminal, krahas shtetasve të arrestuar për të cilët po vijon hetimet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, janë edhe shtetasit Mikel Jorgji, Odise Ymeri, Aleks Nanaj (alias Adil Nano), Ervin Hysaj, Artan Veli Hoxha, Andrea Caca, me nofkën Vipi, dhe Donaldo Nela, me nofkën Tupe.

Në lidhje me këtë rast të trafikut, më datë 1.11.2018 pas orës 18:00, në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në afërsi të Syrit të Kaltër, pranë një karburanti është realizuar takimi mes Mikel Jorgjit dhe Ervin Hysajt dhe dorëzimi i lëndës narkotike.

Në këtë shkëmbim kanë qenë së bashku me lidhjet e tij shoqërore të përmendur më sipër (Mikel Jorgji, Odise Ymeri, Donald Nela (Tupe), Ervin Hysaj, Nanaj dhe Sueld Çupani). Ky takim është shoqëruar me vëzhgim në terren. Qëllimi i këtij takimi ishte dorëzimi i lëndës narkotike, që lidhjet shoqërore të Mikelit t’i dërgonin ato nëpërmjet kufirit të gjelbër në Athinë, Greqi.

Pasi shtetasit nën hetim nga Saranda morën lëndën narkotike për ta eksportuar drejt Greqisë, më datë 1.11.2018, vërehen shqetësime nga shtetasit nga Tepelena që ua sollën për transport dhe për këtë, më datë 10.11.2018. ora 21:44:44, bëhet biseda midis shtetasit Sueld Çupani dhe shtetasit Mikel Jorgji.

Biseda ka këtë përmbajtje:

Mikel: O vlla
Sueld: Si kalove, çfarë bën?
Mikel: Mirë, po çfarë po bën ti?
Sueld: Se më mori Ervini, jam me Ervinin tani, o vlla. Mos është muhabeti që bëhen 500 ose 600 bashkë me ty.
Mikel: Po jo more vlla, jo, jo.
Sueld: Se kështu na thanë edhe neve, se po është muhabeti që bëhen 500, 600 mijë bashkë kanë për (qethje), po është kështu mos bëj atë tonën.
Mikel: Ja, do pyes djalin unë, po mos u mundoni kot me gjëra të tilla, nuk janë ato gjëra.
Sueld: Orem se ne na tha një njeriu i saktë, po je 500 ose 600 mijë lekë je për qethje, mos na merr edhe ne në qafë.

Po më datë 22.11.2018, midis shtetasve Mikel Jorgji dhe Sueld Çupani zhvillohet një bisedë lidhur me mosdërgimin në Greqi të lëndës të marrë më herët dhe për mundësinë e
rimarrjes së lëndës narkotike.

Sueldi: Mirë, ça bën ti?
Mikel: Jam dhe me këtë shokun tani mo, të sqaroj ki pak.
Sueldi: Hë!
Mikel: Pa shiko njiher në internet, o vlla, ça bëhet, kam, kam ngec aty e kupton ti, ndodhi një kshu andej, një fatkeqësi.
Sueld: Ku ke ngec?
Mikel: Kam ngec aty, o vlla, lart. Mes rrugës domethënë.
Sueldi: Mos u kthe prapë mbrapa, o vlla, rri nji ditë atje që të vesh, o burrë i dheut.
Mikel: Atë po të thotë, ja për këtë po merr vllai, o vlla, se s’di ça të bëj mbrapa, apo?!
Sueld: Mos mor burr, mos u kthe mbrapa, po u ktheve mbrapa do vijë të t’i marrë direkt, me rob shtëpie, nuk i lë asnji, asnji or, po u ktheve.
Mikel: Kam lënë leshtë rrugëve, mos të gëzoj jetën, o, kam lënë leshtë rrugëve dhe ndaj t’them. Tani u…
Sueld: Vajti nji muaj, me rob shpije, sikur do kisha, do i kisha q.. robtë do kisha hedh dyqin kile, do kisha hedhur, hedhur.

Më datë 23.11.2018, ora 17:25:46, shtetasi Aleks Nanaj
(Adil Nano) zhvillon një bisedë me shtetasin Artan Hoxha. 

Shtetasi Artan është kontaktuar tashmë prej shtetasve Mikel Jorgji dhe Aleks Nanaj (Adil Nano), me qëllim që t’u
dërgonte lëndën narkotike, të marrë më datë 1.11.2018 nga shtetasit tepelenas, Sueld Çupani, Ervin Hysaj, etj.. Por me sa kuptohet edhe kjo tentativë u ka dështuar.

Biseda është sa vijon:
Adil: He, ku je?
Artan: Ja, po varem me të poshtë.
Adil: Me këmbë je?
Artan: Jo, me makinë.
Adil: Me makinë jam, erdha këtu te lagjja. Po zbret ti?
Artan: Eeee, ja, sa kalova supermarketin.
Adil: Eee, këtu jam.

Më datë 23.11.2018, ora 18:04:04, zhvillohet sërish një bisedë telefonike midis tyre, pasi, siç duket, nuk është bërë i mundur dërgimi i lëndës në Greqi, e konkretisht:

Adil: He…
Artan: E more, erdhe?
Adil: Po, jam me këmbë vëlla po vij me të lart.

SEKUESTRIMI

Më datë 24.11.2018 rreth orës 16:30. Oficeri i Policisë Gjyqësore që koordinonte përgjimet telefonike dhe vëzhgimet në terren, kontaktoi me strukturat lokale të Policisë Sarandë, ku u organizua puna për sekuestrimin e lëndës narkotike që dyshohej se gjendej në automjetin tip “BMW”, e cila po vinte nga qyteti i Gjirokastrës në drejtim të qytetit të Sarandës, dhe konkretisht kishte hyrë në qytetin e Sarandës. 

Nga ana e Policisë lokale u organizua puna dhe në vendin e quajtur Lagjja nr. 4, Sarandë, është konstatuar automjeti ku është ushtruar kontroll dhe në bagazh janë gjetur dy thasë të rinj si ato të mbeturinave dhe brenda tyre kishte 20 (njëzetë) pako të mbështjella me plastmasë të tejdukshëm me material bimor të dyshuar kanabis sativa.

KËRCËNIMI

Nga përgjimet ambientale të autorizuara nga Prokuroria, më datë 24.11.2018, rezulton se, ata të arrestuarit e mësipërm mundohen të ndërtojnë një alibi, që të përjashtonte nga përgjegjësia penale Aldon dhe Ergisin. 

Pas datës 24.11.2018, kur ndodhi sekuestrimi i lëndës narkotike dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm, shtetasi Mikel Jorgji dhe familja e tij janë kërcënuar nga shtetasit Ervin Hysaj dhe Donald Nela, pasi Mikeli kishte qenë lidhja midis shtetasve nga Tepelena dhe vëllezërve Nanaj në Sarandë. 

Më datë 25.11.2018, ora 20:26:37, shtetasi nën hetim, Ervin Hysaj, telefonon i shqetësuar shtetasin nën hetim Mikel Jorgjin, lidhur më sekuestrimin e lëndës narkotike, një ditë më parë në Sarandë dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij, duke dyshuar te Mikeli. (Shënim: Me numrin e telefonit 0673447XXX komunikon Ervin Hysaj).

Ervini: Po jo, o vlla, nuk po na bie në qaf, o vlla. Po të bie unë në qaf!
Mikel: Po na bie në qaf.
Ervin: Nesër, nesër, nesër shoku im bjerë çik “iks pesën” aty dhe fillo içik bjeru këmbëve, mos u bjer më llafeve, dakord?
Mikel: Po na bie në qaf, o shoku.
Ervin: Ore?
Mikel: Një ditë para, e kupton? Po na bie në qaf.
Ervin: Po ça thua, ore vlla?!
Mikel: Po na bie, kaq po të them, po na bie në qaf.
Tupe: Tani, hajdeni nesër, pimë kafe te lokali jonë.
Mikel Jorgji: Tani nuk kemi mundësi që të vijmë ne, e kupton, se ju është problem, e kupton se kemi fol edhe me këtë. Unë do ta heq, më jep një numër e kupton.
Tupe: Do të të marr nesër unë, merr një numër ti që të ma japësh mua, edhe do të të marr nga një numër unë.
Mikel: Hajdeni këtu llafosemi, o vlla, se po na bini në qafë mo, pasha…
Tupe: Jo, jo, nuk të biem në qafë, dëgjo një sekondë dëgjo, atje ku është marrë makina dje, ai do të mbajë përgjegjësi.
Mikel: Unë nuk kam qenë fare, e para e punës.
Tupe: Ore, na keni rënë ju neve në qafë, jo ne, ne t’njohim ty edhe nuk njohim njeri tjetër, e do kështu ti, e do të flasim ndryshe ne.
Mikel: Po më bie në qafë, vëlla.
Tupe: Ti i pari do të mbash përgjegjësi.
Mikel: Unë nuk doja që të bënim një punë të ndihmonim njëri-tjetrin.
Tupe: E di që ti vlen 50 euro, ai shoku jot është mësuar me të marrë peng, edhe të hajë dru, po të them kaq, nesër nga ora 11:00 ose 12:00 ju dua në Tepelenë, po nuk erdhët, do ju do t’ju dërgoj unë njerëz që t’ju sjellin prej veshi juve.
Mikel: Po na bie në qafë, e kupton
Tupe: Ore, më ratë ju mua në qafë, keni futur tre veta në burg.

Ervin Hysaj telefonon Mikel Jorgjin nga numri që e përdor një vajzë me emrin Blerta.

Ervini: O shoku, nesër ca do bësh, nesër? Ca do bësh? Do biesh makinën, o shoku, lekët, ça ke.
Mikel: O vlla?
Ervin: Hë?
Mikel: Tani po na bie në qafë, o pasha. Po na bie në qafë, mo vlla, se i ka marrë. Tani fola edhe me tjetrin, se i ka, i ka marrë një ditë e ca para.
Ervin: Ore vlla, mua mos më trego kur i ka, kur i ka.
Mikel: I ka marrë një ditë e ca para mo, po më bie në qaf, mo vlla.
Ervin: O vlla, t’fala jetën… o plerë. Të fala jetën.
Mikel: Po më bie në qafë, mo vlla, po më bie në qaf, nuk ke gjë nga mua, më kupton?
Ervin: Ore na… na ty është ajo, po ti do përgjigjesh tani. Atë kohë të fala jetën.
Mikel: Nuk ke, nuk ke gjë nga mua.
Ervin: O vlla, mos ta kthejmë ndryshe.
Mikel: Po ke, po ke gjë nga mua hajde, hajde këtu, o vlla, po ke gjë nga mua.
Ervin: Mos paça njeri vlla, do t’i hedh kalamajt nga ballkoni.
Mikel: Jo jo, po ke gjë nga mua, e kupton?
Ervin: O shoku, nuk jam nga ato larot e Sarandës unë.
Mikel: Nuk të kam, nuk të kam rënë në qafë, o vlla.
Ervin: Do t’i hedh kalamajt nga ballkoni, për kokë të pleqve, o vlla.
Mikel: (dëgjohet një zë femre në sfond: Kalamajve tu hash m***) Mos, Jonida. Ne deshëm të bënim një punë, o vlla, nuk u bë, tani mori një dit e ca para, mo vlla./PANORAMA/

loading...