Bamir Topi tregon reagimin e Ramës kur i tha se mund ta ekzekutonin: I dolën djersë...

Aktualitet

Ish-Presidenti Bamir Topi ia kushton një kapitull të veçantë në librin e tij që i rikthehet viteve kur ishte në detyrë, pikërisht ngjarjeve të 21 janarit.

Topi kujton momentin kur i kishte thënë Ramës se i rrezikohej seriozisht jeta duke thënë se Rama u zverdh i tëri dhe filluan t'i ridhnin djeresë.

Rrëfimi i Topit

Situata politike ishte e nderë, pasi një ditë më parë Sali Berisha kishte hedhur akuza të rënda ndaj meje dhe kishte ngritur një komision hetimor parlamentar për të hetuar institucionet e pavarura, ku nënkuptohej dhe Presidenti i Republikës. Po jap pak fraza për të kuptuar atmosferën. Kur u fut në zyrën time, Edi Rama u shfaq me një shqetësim që i lexohej në fytyrë. Pesha e ngjarjeve, ku ai ishte një nga protagonistët kryesorë, si edhe netët pa gjumë gati-gati e kishin transformuar në fizionomi, gjë që e shprehu edhe vetë duke thënë:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

E. Rama: Shqetësimi im është i madh pasi, së pari, shikoj një përshkallëzim të një lloj grushti shteti nga brenda shtetit pas vrasjes së katër njerëzve, gjatë demonstrimit të tyre politik; së dyti, frenimin e punës së organeve si prokuroria, për shkak të presionit të madh antikushtetues e fashist.

Më tej vazhdoi:

E. Rama: Nga ana tjetër, doja të ndanim bashkëkuptimin që kam unë lidhur me përkujtimin në formën e një proteste të heshtur në bulevard. Sigurisht e premtja është delikate, sepse ka shumë ngarkesë e emocion.

Ndërsa unë po dëgjoja me vëmendje çdo fjalë të tij, kishin filluar të dilnin deklaratat e para të ambasadorëve, që nuk e shikonin të përshtatshme zhvillimin e protestës përkujtimore të datës 28 janar. Për të dëshmuar se Drejtoria e Policisë së Shtetit mbante anën e qeverisë filloi të tregojë një episod të pakëndshëm gjatë një telefonate me drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

E. Rama: Dikush i tha Hysni Burgajt se Edi të kërkon në telefon, duke menduar për Edi Palokën, pastaj e mori vesh që isha unë.

Duke menduar se ishte mbyllur linja, vazhdova të dëgjoj rreth 15 – 20 sekonda bisedën që bënte me njerëzit që ndodheshin aty duke më sharë me fjalë të ndyra e të gjitha banalitetet.

S’kishte kuptim ta merrja më dhe i çova një sms: “Pa dashur të ndërpres gallatën, mos harroni se bota rrotullohet. Aty ku të duket se s’mbaron nata, vjen dita. Të lutem liroje nënën me fëmijë në gji, që ishte kapur në demonstratë”.

Hysni Burgaj i ishte përgjigjur: Ka ditë që s’ka natë të mirë dhe arsyeja jeni ju politikanët.

Më tej Rama vazhdoi të thotë:

E. Rama: Një person nga brenda Gardës së Republikës më informoi se kryeministri ka thirrur gjashtë drejtuesit e Gardës, për të cilët prokuroria kishte nxjerrë urdhërarrestet, duke thënë: “Ju jeni heronj! Sa të jem unë, s’ka Zot që ju prek me dorë dhe t’ju detyrojë të paraqiteni në prokurori!”.

Më pas Rama më tha se kishte thirrur në një takim informues ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe dha versionin e tij të zhvillimeve të datës 21 janar, që tashmë e kisha shumë të qartë se ç’kishte ndodhur, deri në detajet më të imta.

Pasi hodhi akuza për mjekët anatomo-patologë, që e cilësuan vrasjen nga afër, vlerësoi mrekullinë e gazetarit Artan Hoxha që kishte filmuar dhe denoncuar i pari që plumbat erdhën nga gardistët, brenda territorit të Kryeministrisë.

Me pak fjalë i them:

B. Topi: Ngjarjet e datës 21 janar ishin vërtet dramatike. Në fakt kjo histori e kishte preludin te përplasjet e forta në Kuvend, ngjarje që duhej të evitoheshin me çdo kusht. Se si, sigurisht nuk jam unë që mund t’ju jap skemën. Përveç krijimit të një psikoze të rëndë në popull, ndjeshmëria është rritur te ndërkombëtarët. Edhe RAIUNO fillonte lajmet me ngjarjet në Tiranë.

Sipas meje, institucionet e zbatimit të ligjit, duke nënkuptuar prokurorinë, janë duke bërë detyrën dhe do të kenë inkurajimin nga unë për të shkuar tek e vërteta. Ju z. Rama sot vini te presidenti me një shqetësim të natyrshëm, por duhet të dini që si kryetar shteti jam në vështirësi serioze, pasi jam në pamundësi të ftoj tryezën e partive, sepse në realitet kemi dy parti, madje dy individë. Boll një nga këta dy individë të konfliktit të mos dojë të ulet në tavolinë, nuk ka takim. Kjo është situata reale ku e futët ju me Sali Berishën më 21 prill 2008 dhe presidenti, i vetmi instrument që ka, është t’i bëjë apel politikës për vetëpërmbajtje, t’u çojë mesazhe institucioneve për t’i inkurajuar dhe këtë po e bëj.

E. Rama: Zanafillën e historisë e krijoi videoja e Ilir Metës dhe qëndrimi absurd i kryeministrit që e mohoi.

B. Topi: Ajo solli tensionin në Kuvend.

E. Rama: Videoja dhe akuza që kam bërë unë e nxiti situatën. Kuvendi ishte një maskaradë e Berishës, i cili mori mikrofonin dhe shau sa deshi. Jam dakord me mendimin tuaj se edhe sjellja e demonstruesve e ka një kufi. Absolutisht nuk i ka nxitur njeri.

Unë një gjë u kam thënë: Maksimumi i tolerancës për të goditur institucionet është një këpucë e vjetër, çizme, vezë, domate, por jo gurë. Pasi folëm gjerë e gjatë për ndjeshmërinë e njerëzve për ngjarjet, sjelljen e ambasadorëve dhe sulmet politike ndaj prokurorisë, ai vazhdoi.

E. Rama: Në këto kushte shteti ka rënë, kur policia nuk zbaton urdhrat e prokurorisë.

B. Topi: Shteti nuk ka rënë, me gjithë presionin e tmerrshëm. Është shumë e rëndë ta thuash këtu tek unë atë konstatim. Shteti ka problemet e veta, por nuk është rrëzuar. A nuk je këtu duke biseduar me shqetësim me kreun e shtetit.

E. Rama: Ka rënë shteti në kuptimin se ai nuk garanton më zinxhirin e gjithë procesit.

B. Topi: Procesi ka kaluar në gjykatë. Ne tentojmë t’i përmbahemi kuadrit ligjor, ndonëse ka probleme të funksionimit.

E. Rama: Si ka kaluar në gjykatë?

B. Topi: Ajo që nuk arriti ta bëjë prokuroria sot ka kaluar në gjykatë.

E. Rama: E ka kaluar prokuroria në gjykatë?

B. Topi: Po. Aty kuptoja që ishte i painformuar mirë. Edhe një herë i thashë me ton të fortë:

B. Topi: Nuk mund ta thuash më “Ka rënë shteti!”. Nuk mund ta gëlltis këtë shprehje, sepse unë jam këtu, në çdo rrethanë. Nuk jam si pjesëtar i ndonjë partie politike, por si kryetar shteti.

E. Rama: Nuk e kisha te ju, madje te Babaramo dje thashë se Presidenti i Republikës është i mirinformuar dhe tërësisht i shqetësuar, por të kërkosh nga presidenti që të japë mesazhe të një natyre që nuk lidhen me natyrën e tij kushtetuese, do të thotë të kuptosh se këtu nuk ka mbetur realisht asgjë tjetër.

B. Topi: Sigurisht që do të thotë të bëhesh palë. Duke vazhduar dialogun, pa dashur kishte kuptuar që ishte bashkarkitekt i ndryshimit të Kushtetutës.

E. Rama: Këtu nuk ka arbitër, sepse faktikisht në këtë Republikë Parlamentare, nuk lejohet Presidenti i Republikës të futet midis palëve, por mund të japë vetëm mesazhe.

B. Topi: Ekzakt! Kjo është bërë edhe me ndihmën tënde. Mbasi e kaloi këtë moment vazhdoi:

E. Rama: Ne nuk kërkojmë të vijmë në pushtet me demonstratë, por të rivendosim rregullat e lojës; këta i prishën rregullat, është marrë topi, është nxjerrë nga stadiumi fare e lëvizin të gjithë pa top dhe ai e nxjerr rezultatin në tabelë; kjo është qesharake.

Në këtë kohë në prag të botimit të librit, historia tregoi që këtë gjë po e aplikon fort vetë Edi Rama, pasi është çështje e sistemit të ndërtuar me “armikun” e tij politik. Në fund të bisedës, duke bërë shenjën e përfundimit të takimit, në këmbë i ritheksova:

B. Topi: Unë i qëndroj mesazhit se partitë politike duhet të respektojnë shtetin dhe ata që punojnë për shtetin të respektojnë fort ligjin.

E. Rama: Absolutisht po! Në këtë çast i dhashë shenjë znj. Pavlina të largohej, pasi doja të ndaja në mënyrë konfidenciale një informacion serioz, që shefi i shërbimit të SHISH-it më kishte sjellë me urgjencë.

B. Topi: Tani duhet të ndaj diçka serioze që ka të bëjë me ty. Bahri Shaqiri, në zarfin e urgjencës së lartë më kishte informuar se jeta e Edi Ramës rrezikohej seriozisht dhe ndërkohë që po e informoja, fytyra e tij mori një pamje të zbardhur, ku dalloja lehtësisht bulëzat e djersës që i mbulonin ballin.

ME TE LEXUARAT