Shqipëria po 'shuhet', shtesa e popullsisë shkoi drejt zeros në tremujorin e parë

Aktualitet

Me lindjet që bien dhe njerëzit që ikin, popullsia e Shqipërisë po vijon tkurrjen në mënyrë dramatike.

Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë tregojnë se shtesa e popullsisë ishte më e ulëta të paktën në pesë tremujorët e fundit, duke qenë afër zeros.

Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2019 rezulton 5.986, duke shënuar një rënie prej 10,1 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Numri i vdekjeve për tremujorin e pare 2019 rezulton 5.949, duke shënuar një rënie prej 5,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018.

Gjatë tremujorit të parë 2019, numri i lindjeve tejkalon me 37 numrin e vdekjeve. Në të njëjtin tremujori të një viti më parë, shtesa e popullsisë ishte rreth 400 persona.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në tremujorin e parë 2019, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënoi vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 562 numrin e vdekjeve.

Në tremujorin e parë 2019, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në tetë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 191 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.985 lindje, të cilat shënojnë rënie me 9,4 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Numri më i ulët I lindjeve, për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 97 lindje, duke reflektuar një rënie prej 21,8 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018.

Nga 12 qarqe të vendit, 9 prej tyre pësuan rënie të numrit të lindjeve, në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rëniet më të mëdha në përqindje të lindjeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan në qarkun e Gjirokastrës me 21,8 % dhe qarkun e Shkodrës me 19,4 %. Një rritje në përqindje të lindjeve u regjistrua në qarqet Dibër me 16,1 %, Korçë me 1,3 % dhe Kukës me 0,4 %.

Vdekjet

Numri më i ulët i vdekjeve për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 134 vdekje, me një rënie prej 11,3 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e parë 2019, regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.423 vdekje, me një rënie prej 4,9 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018.

Nga 12 qarqe të vendit, 11 prej tyre pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarku i Kukësit, me 11,3 % dhe qarku i Elbasanit, me 10,6 %. Rritje në përqindje të vdekjeve, u regjistrua në qarkun Berat, me 0,3 %./Monitor

ME TE LEXUARAT