Aktualitet

Apeli drithërues i 13-vjeçarit: Ëndërroj të bëhem doktor, por më thonë pabukës!

Familja Qefalia jeton në zonën e Babrrusë në Tiranë, të mundur nga varfëria dhe shtëpia e cila është gati për të rënë, për ta çdo ditë është një sfidë. Kryefamiljari është i sëmurë dhe nuk lëviz dot, ndaj pesha e shtëpisë ka rënë mbi Bihanen, të cilën po e mbysin borxhet. E vetmja e ardhur e tyre janë hekurat.

“Unë ndjehem i fyer ndaj shokëve. Shokët e mi më largojnë, thonë ti nuk je i barabartë me ne. Thonë që ti je me shtëpi me llamarina, ke gjysmë shtëpi. Kemi parë mamin tënd që vjen e mbledh kanaçe. Dëshira ime ishte për të vazhduar shkollën, por me këto kushte që kam është shumë e vështirë ta vazhdoj.

Mbledhim hekura, kanaçe ça të gjejmë. Shohim kanaçe, i marrim ose bidonë që hedhin njerëzit. I vëmë ne thes dhe shkojmë i shesim. Kur shkova në shkollë më thanë, ‘hë mo Fabo ja të pamë duke mbledhur kanaçe, pabukës’.”

Shtëpia ku ata jetojnë është në kushte shumë të rënda, ku çdo ditë rrezikohen nga rënia e blloqeve të vendosura në mure. Netët e ftohta të dimrit, e vetmja mbrojtje për familjen është plastmasa, i cili shërben si çati.

“Kur fryn era mblidhemi, rrimë se mos na bie ndonjë gjë, lëviz krejt. Kur bie shi vëmë plastmasa, kova. Më shumë kam hallin e fëmijës, se unë e ky kemi mbaruar. Kur shesim hekurat, blejmë ndonjë plastmasë dhe i vendosim për të ftohtin. Kur fryn shumë erë, ka raste që ka rënë dhe gjysma e çatisë në tokë dhe jemi munduar ta rregullojmë. Pra, të fryjë një erë shumë e fortë tani në moment, ajo mund të bjerë në sekondë. Janë dhe telat, kemi frikë se nga një shkëndijë ajo mund të marr flakë. Blloqet janë shkatërruar, me zor e mbajnë. Jemi në dorë të Zotit, po deshi i Madhi Zot në mbron.”

Me zërin që i dridhet Bihania rrëfen se shumë herë kanë qëndruar pa ngrënë e herë të tjera kanë ngrënë vetëm bukë me kripë. Kjo gjë ka sjellë përkeqësimin e shëndetit edhe të Fabjanit.

“Para një jave djali ishte i sëmurë, shkuam në spital tha doktori ka apendicit dhe mungesë vitaminash. Nga kequshqyerja. Se më shumë po rri pa bukë dhe po ha bukë me kripë. Tha doktori që duhet të bëhet operacion, dhimbje ka, ilaçet duhet t’i blej, por s’kemi.

Për të ngrënë ashtu, më shumë bukë e kripë. Çfarë të bësh… Burrin sëmurë, është me sëmundjen e tokës. Kur nuk i merr ilaçet, atë e kap kriza, por unë nuk kam mundësi t’ia blej. Si familjare që jam, as me burrin nuk e përballoj dot. Se unë jam gjithë borxhe. ‘Erdhi borxhlia’, thonë. Nuk mund të shkoj të kërkoj më asnjë ilaç vetëm për këtë gjë. Duan borxhin, por ku do t’i marr?! Me 21 mijë lekë asistencë, ku do t’i çoj?! Vetë jam me aritmi në zemër prej 13 vitesh.”

I dëshpëruar nga kushtet e vështira, Fabjani nuk është si bashkëmoshatarët e tjerë. Që në moshë të vogël atij i duhet të përballet me vështirësitë e mëdha që jeta po i sjell.

“Babi nuk mund të lëvizë vetë, për çdo gjë ne duhet ta ngremë, ose kur del në tualet. Nuk kemi mundësi të blejmë një karrocë që ta lëvizim babin. Të kemi një karrocë atëherë është mrekulli, edhe një lehtësim për mua.

Edhe të shkoj në punë nuk më pranojnë, je i vogël më thonë. Ke kërkuar punë? Kam kërkuar, por nuk pranojnë. Thonë duhet të mbush moshën 18 vjeç. Të paktën të kem një shkollim, të mos rri me 8-vjeçare si prindërit e mi. Ëndrra ime për një profesion, ishte doktor. Por, doktori është shumë larg. Mundohem shumë, veç librave, kushëriri im më ka dhënë një enciklopedi. Unë edhe librat që kam, i plotësoj vetë me aq sa mundem. Se e kam dëshirë arsimin. Por mundësitë e mija ekonomike janë shumë të dobëta për të vazhduar një arsim.”

Apelin e dhimbshëm e ka bërë publike fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, të cilët bëjnë thirrje për të ndihmuar familjen Qefalia. Dhe për t’ia lehtësuar jetën e vështirë familjarëve.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!
Back to top button
Close