Kapet koka e grupit që trafikonte shqiptarë nga Rinasi drejt Britanisë

Aktualitet

Finalizohet operacioni “DEPARTURE”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara , kundrejt fitimit .

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Rinasit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në pranga organizatori i grupit, i cili siguronte karta italiane të falsifikuara dhe kundrejt shumave të konsiderueshme në euro, siguronte kalimin për në vendet e BE-së, me destinacion final Anglinë.

Në pranga edhe 3 shtetas të tjerë për falsifikim të dokumenteve, që i kishte marrë përsipër organizatori i grupit.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas ka finalizuar me sukses operacionin “DEPARTURE”, duke parandaluar dhe goditur një tjetër rast në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të ndryshëm për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara , kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin në vende të BE-së me destinacion final Anglinë.

Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë kapur nga Policia Kufitare me dokumente italiane të falsifikuara dhe konkretisht karta identiteti dhe karta shëndeti, të cilat do t’i përdornin pasi të kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, për të hyrë më pas ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

I. B., 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Itali, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’ (organizator);

A.C.,19 vjeç, banues në Koplik, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’, (këtij shtetasi iu gjetën në çantë kartat e identitetit italiane dhe kartat e shëndetit italiane të falsifikuara);

F. L., 25 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’;

K. A., 30 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara, 4 aparate celulare, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë, 4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë – Paris.

Operacioni vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’.

ME TE LEXUARAT