Soreca tregon objektivat per 2020: Ne krye te axhendes, SPAK dhe BKH

Politikë
Soreca tregon objektivat per 2020: Ne krye te axhendes, SPAK dhe BKH

2020-a do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ajo do të gjendet përballë një sfide të mbartur të çështjes së negociatave me Bashkimin Europian, sikurse edhe do të përballet me planin e rimëkëmbjes së tërmetit të nëntorit 2019, i cili do të sjellë ndikimin e vet në pulsin social-ekonomik të vendit.

Në një intervistë për Revistën Monitor, ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

ka bërë me dije të gjithë planin e mobilizimit të institucionit në kuadër të ndihmës për Shqipërinë, ashtu sikurse ka theksuar problematikat, sfidat dhe mundësitë që ka vendi ynë këtë vit.

Por çfarë duhet të presim nga 2020? Sipas ambasadorit, Komisioni Evropian do të propozojë përmirësime të metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, ndërsa zgjerimi duhet të diskutohet nga Këshilli Evropian në mars. Ndërkohë Presidenca kroate po planifikon një samit shumë të rëndësishëm në Zagreb në maj, i cili do të pasohet nga miratimi i Raportit Vjetor të Komisionit Evropian.

“Më lejoni të theksoj se përparësia dhe ritmi i dhënë për adresimin e temës së zgjerimit nga BE-ja nuk po ngadalësohet, aspak. Presidentja Ursula von der Leyen dhe Komisioneri i ri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e kanë bërë shumë të qartë që në fillim se angazhimi ynë për perspektivën e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar.”-thotë z. Ambasador. Z. Soreca riktheksoi nevojën e forcimi i gjyqësorit përmes zbatimit të plotë të reformës në drejtësi edhe këtë vit dhe bën me dije qasjen e plotë për ndihmën pas tërmetit të nëntorit.

Do të dëshiroja ta filloja intervistën me ju me çështjen më të fundit që ka prekur Shqipërinë, atë të katastrofës së tërmetit. BE-ja ofroi ndihmë të menjëhershme për Shqipërinë, ndërsa premtoi se do ta ndihmojë atë të rindërtohet. A keni një plan se si do të arrihet kjo?

Në të vërtetë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij e kanë mbështetur menjëherë Shqipërinë pas tërmetit tragjik. U deshën vetëm disa orë pasi u aktivizua mekanizmi i BE-së për Mbrojtjen Civile për të ngritur një ekip ekspertësh dhe për t’i dërguar ata në Shqipëri. Bujaria dhe shpejtësia e reagimit të Shteteve Anëtare të BE-së, por edhe të qytetarëve të tyre, vërtetuan se Shqipëria nuk është e afërt vetëm gjeografikisht, por edhe e afërt me zemrat dhe shqetësimet tona. Në një fazë të parë, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së dislokoi ekipe dhe pajisje për operacionet e kërkim-shpëtimit, vlerësimin e shpejtë të dëmtimit të ndërtesave nga inxhinierë strukturorë, ndihmë logjistike dhe koordinimin e ndihmës të ofruar nga Shtetet Anëtare të BE-së.

Tani jemi në një fazë të dytë që shqyrton planin afatgjatë dhe rindërtimin. Bashkimi Evropian u bashkua shumë shpejt me Bankën Botërore dhe Kombet e Bashkuara dhe i ofroi ndihmë qeverisë për hartimin e përbashkët të Vlerësimi të Nevojave pas Katastrofës (PDNA), të cilin Shqipëria e pranoi menjëherë. I gjithë ekipi i ekspertëve ishte sakaq funksional më 16 dhjetor dhe filloi punën me qeverinë, veçanërisht me ministrin Bledi Çuçi dhe koordinatoren e PDNA -së, Milva Ekonomi dhe ekipin e saj. Më duhet të them se deri tani bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer.

PDNA-ja është një qasje ndërkombëtare e hartuar së bashku nga BE-ja, BB-ja dhe OKB-ja, dhe kështu vendimi i Shqipërisë për ta përdorur këtë metodologji do të japë besueshmërinë dhe sigurinë që u nevojitet donatorëve për ta ndihmuar Shqipërinë.

Objektivi kryesor është i dyfishtë: së pari, të vlerësojë efektet dhe ndikimin e tërmetit në sektorët dhe popullsinë e prekur dhe në përgjithësi në zhvillimin socio-ekonomik të zonave të prekura dhe në një nivel më të gjerë kombëtar; së dyti, për të përcaktuar një strategji të rimëkëmbjes me afat të shkurtër, të mesëm dhe më të gjatë, duhen veprime me përparësi dhe vlerësim kostosh, si dhe një strukturë ndërhyrjeje. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se PDNA-ja adreson si dëmin fizik, ashtu edhe dimensionet e tjera, të tilla si qasja në shërbime, aspektet e qeverisjes, reduktimi i rreziqeve dhe dobësive, si dhe humbjet ekonomike. Prioriteti i të gjithëve këtu është “të rindërtojmë më mirë” për të rritur aftësinë ripërtëritëse të këtyre zonave.

Komisioni Evropian ka njoftuar një angazhim të parë prej 15 milionë eurosh për nevoja të rimëkëmbjes, dhe i ka ofruar Shqipërisë të organizojë një konferencë të donatorëve për të mobilizuar burimet financiare bazuar në raportin e PDNA-së. Jam i lumtur të njoftoj se konferenca do të zhvillohet më 17 shkurt, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel. Do të ftohen më shumë se 140 vende, organizata ndërkombëtare, institucione financiare ndërkombëtare, sektori privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile në nivelin më të lartë.

Unë jam shumë i vetëdijshëm që një numër i madh familjesh ende jetojnë në tenda dhe janë në rrezik për shkak të sezonit të dimrit. Prandaj, Komisioni Evropian ka dislokuar një ekspert të reagimit ndaj emergjencave në Shqipëri për të ndihmuar për mbikëqyrjen e nevojave humanitare të popullatës së prekur.

A mendoni se ngjarja e tërmetit do ta ngadalësojë pulsin e jetës ekonomike dhe sociale të Shqipërisë në vitin 2020?

Shqipëria është në procesin e përfundimit të vlerësimit të nevojave pas tërmetit. Është shumë herët për të arritur në përfundimin se sa do të preket ekonomia e përgjithshme. Ajo që pritet është se në zonat ku tërmeti pati goditjet kryesore, sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, veçanërisht turizmi, do të preken negativisht gjatë vitit 2020. Kjo është e pashmangshme. Sidoqoftë, këto efekte negative do të kompensohen pjesërisht nga programi i rimëkëmbjes. Por, përsëri, është shumë herët për të arritur në përfundimin se në çfarë mase do të materializohet kjo.

Për sa i përket rritjes, Shqipëria ka mbajtur një rritje shumë pozitive në tre tremujorët e parë të vitit 2019. Parashikimi i vjeshtës i Komisionit Evropian, i cili u botua në nëntor, para tërmetit, parashikoi një rritje të përgjithshme ekonomike prej rreth 3% të PBB-së gjatë vitit 2019. Rritja e parashikuar është ruajtur gjerësisht gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019. Një fushë për të cilën unë mendoj se do të duhet kujdes i veçantë është sektori i turizmit, që është bërë një pjesë qendrore e ekonomisë shqiptare.

Sa i përket jetës shoqërore të shqiptarëve, ajo çka pamë pas tërmetit ishte mobilizimi i menjëhershëm i shoqërisë civile shqiptare për të ndihmuar dhe mbështetur bashkëqytetarët e tyre që humbën pothuajse gjithçka. Shqiptarët janë një popull i fortë dhe rezistent, plot dinamizëm dhe iniciativë. Sigurisht që tërmeti e prek popullsinë, por solidariteti i fortë dhe energjia e popullatës shqiptare po e ndihmon vendin të rimëkëmbet nga kjo fatkeqësi.

Qëndrimi i BE

Më lejoni të theksoj se përparësia dhe ritmi i dhënë për adresimin e temës së zgjerimit nga BE-ja nuk po ngadalësohet, aspak. Presidentja Ursula von der Leyen dhe Komisioneri i ri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e kanë bërë shumë të qartë që në fillim se angazhimi ynë për perspektivën e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar.

Çfarë mund të presë Shqipëria nga maji i vitit 2020? A kemi ende shpresë për të hapur negociatat edhe pas vetos franceze në tetor?

Viti 2020 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Evropën Juglindore dhe Shqipërinë. Komisioni Evropian do të propozojë përmirësime të metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, ndërsa zgjerimi duhet të diskutohet nga Këshilli Evropian në mars. Ndërkohë Presidenca kroate po planifikon një samit shumë të rëndësishëm në Zagreb në maj, i cili do të pasohet nga miratimi i Raportit Vjetor të Komisionit Evropian.

Më lejoni të theksoj se përparësia dhe ritmi i dhënë për adresimin e temës së zgjerimit nga BE-ja nuk po ngadalësohet, aspak. Presidentja Ursula von der Leyen dhe Komisioneri i ri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e kanë bërë shumë të qartë që në fillim se angazhimi ynë për perspektivën e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar. Presidentja von der Leyen e theksoi në 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, kur nënvizoi sinqerisht se “historia e BE-së që nga viti 1989 ka dëshmuar se sa shpagues është kur bashkimi ynë hap zemrën e tij”.

Dua të theksoj gjithashtu se në diskutimet për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Evropian, ka një mirëkuptim shumë të gjerë në institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare që mbështetja financiare evropiane për Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie maksimale politike dhe strategjike.

Pra, dera është e hapur dhe përparësi për Shqipërinë duhet të jenë përpjekjet shtesë që mbeten për të bërë për t’i bindur Shtetet Anëtare – që do të thotë, përqendrimi tek arritja e reformave. Për shembull, në krye të agjendës së integrimit në BE janë: të kenë institucione kryesore si SPAK dhe BKH plotësisht funksionale, pasja e një Gjykate Kushtetuese funksionale, miratimi i akteve nënligjore të mbetura për mbrojtjen e pakicave, miratimi më në fund i një reforme zgjedhore që adreson plotësisht rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, ndërsa vazhdohet dhe mundësisht forcohet më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Cilat mendoni se janë problemet që vazhdojnë të mbeten të dukshme në vendin tonë? Cili është roli që institucioni juaj mund të marrë për adresimin e tyre dhe gjetjen e zgjidhjeve?

Është thelbësore të vazhdohet forcimi i gjyqësorit, përgjegjshmëria dhe pavarësia e tij, përmes zbatimit të plotë të reformës në drejtësi. Kjo është thelbësore. Ne kemi njohur përparimin e qëndrueshëm në 12 muajt e fundit, por mbeten ende sfida për të ardhmen. Për ta ndihmuar këtë reformë thelbësore, BE-ja mbështet si financiarisht ashtu edhe në nivelin e politikave strukturat e qeverisë dhe institucionet e pavarura gjyqësore. 34 milion Euro janë dhënë si mbështetje buxhetore për reformën në drejtësi për tre vitet e ardhshme. Qëllimi ynë është të sigurojmë që mbështetja që i jepet Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi të shpërndahet për të adresuar nevojat e menjëhershme dhe kryesore të sistemit. Ne e bëjmë këtë në një mënyrë shumë strukturore, duke siguruar mbështetjen financiare, por edhe duke monitoruar zbatimin përmes treguesve konkretë të suksesit. Sa më shumë sukses të arrihet aq më shumë buxhet akordohet.

Ekziston gjithashtu nevoja për të komunikuar më shumë rreth reformës në drejtësi. Nuk është e thjeshtë të komunikosh për arritjet teknike dhe të prodhosh mesazhe të lehta nga procesi i komplikuar teknik për publikun e gjerë. E kuptoj që pritshmëritë janë të larta. Vetingu po jep rezultate, por nuk është e thjeshtë të rikthehet besimi pasi ka humbur. Të gjithë duhet të punojnë shumë në këtë drejtim dhe ta mbështesin plotësisht zbatimin e reformës, në mënyrë që këto përpjekje të jenë konstruktive dhe jo destruktive.

Rezultatet pozitive në fushatën kundër kanabisit do të duhet të mbahen. Bashkëpunimi midis policisë, policisë gjyqësore dhe prokurorisë duhet të përmirësohet më tej, ashtu si dhe proaktiviteti nga prokuroria për të filluar hetimet për rrjete të mëdha kriminale. E kam përmendur disa herë muajt e fundit rëndësinë e “ndjekjes së parave” dhe pasurisë së bandave kriminale. Ekziston një nevojë e qartë për ta rritur nivelin e veprimit nga policia dhe zyra e prokurorisë në lidhje me hetimet financiare proaktive. Ka disa rezultate të para të prekshme në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale dhe ripërdorimit të tyre për qëllime sociale, falë edhe projektit “CAUSE” të financuar nga BE-ja. Tani është koha për të rritur numrin e vendimeve përfundimtare të konfiskimit të marra nga gjykatat.

BE-ja do të vazhdojë gjithashtu mbështetjen në luftën kundër krimit të organizuar përmes projektit të vet kryesor PAMECA V, si dhe përmes ndihmës së re të dedikuar – duke filluar në qershor 2020 – me qëllim mbështetjen e kapaciteteve të zyrave të ndjekjes penale dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të kryer hetime penale dhe financiare bazuar në metoda proaktive dhe të bazuara tek informacioni.

Më lejoni të flas shkurtimisht për të drejtën e pronës. Kjo është diçka që ka rëndësi për çdo qytetar shqiptar, si dhe për shumë sipërmarrje shqiptare. Kjo është gjithashtu një nga prioritetet kryesore për perspektivat e Shqipërisë në BE. Për këtë qëllim, Delegacioni i BE-së është duke përgatitur një projekt të konsiderueshëm të mbështetjes së pronave, ndërsa mund të vërehen disa zhvillime pozitive në këtë fushë me krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare në rishikimin e projektligjit për përfundimin e proceseve transitore në vijim të opinionit të Komisionit të Venecias. Por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të konsoliduar të drejtat e pronës, veçanërisht në lidhje me regjistrimin e parë.

Lufta kundër korrupsionit është një betejë e ashpër që mund të fitohet vetëm nëse të gjithë janë të përfshirë: qeveria, politikanët, shoqëria civile, akademikët, me pak fjalë shoqëria në tërësi. Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme të përcaktuar për këtë problem që duhet të luftohet nga këndvështrime të ndryshme në të njëjtën kohë. Nevojitet një koordinim më i mirë midis autoriteteve publike ekzistuese aktive në këtë luftë, përfshirë duke marrë parasysh krijimin e strukturave të reja horizontale. Vullneti i qartë politik dhe një kornizë e fortë institucionale janë të nevojshme, por edhe një ndryshim i kulturës – një shoqëri që është e gatshme të ndryshojë sjelljen e saj, që respekton ndershmërinë dhe integritetin, që është e gatshme të kërkojë një vend të pastër dhe më të mirë nga qeveria e saj, por që gjithashtu ndihmon për ta arritur këtë objektiv.

Lufta ndaj korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit është një betejë e ashpër që mund të fitohet vetëm nëse të gjithë janë të përfshirë: qeveria, politikanët, shoqëria civile, akademikët, me pak fjalë shoqëria në tërësi. Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme të përcaktuar për këtë problem që duhet të luftohet nga këndvështrime të ndryshme në të njëjtën kohë. Nevojitet një koordinim më i mirë midis autoriteteve publike ekzistuese aktive në këtë luftë, përfshirë duke marrë parasysh krijimin e strukturave të reja horizontale.

Do të doja të ndalesha te sektorët më potencialë që mendoni se Shqipëria duhet t’i zhvillojë më tej. Cilët janë ata dhe çfarë mund të bëjë vendi ynë për t’i zhvilluar më tej në vitet e ardhshme?

Shqipëria ka një potencial të madh në përpunimin e produkteve bujqësore, turizëm, energji, industrinë nxjerrëse (minierat dhe nafta) dhe shërbimet. Në të njëjtën kohë, kjo varësi nga burimet natyrore, e shoqëruar me një varësi nga burimet ujore të paqëndrueshme, krijon dobësi. Ekspozimi dhe ndjeshmëria e Shqipërisë ndaj cilësisë së pasurive natyrore, rreziqet nga katastrofat natyrore dhe ndryshimi i klimës prekin sektorë të rëndësishëm si bujqësia, energjia dhe turizmi dhe, për rrjedhojë, jetesën e pjesëve të mëdha të popullatës, veçanërisht ato më pak të pasura. Për më tepër, pasiguria për titujt e pronave mbetet një pengesë serioze për investimet, përfshirë në turizëm dhe në sektorin bujqësor, por gjithashtu kufizon investimet e sektorit privat dhe qasjen në financa.

Qeveria shqiptare pritet të vazhdojë të punojë për disa reforma strukturore që do ta shtyjnë përpara konkurrencën dhe rritjen e vendit. Siç parashikohet në Programin e Reformës Ekonomike 2019-2021, që Shqipëria ia ka paraqitur Komisionit Evropian, Shqipëria inkurajohet të adresojë sfidat që lidhen me nxitjen e investimeve dhe përmirësimin e efikasitetit dhe ndikimit të rritjes së investimeve publike.

Përveç garantimit të sundimit të ligjit dhe konkurrencës së ndershme në treg, sfidat kryesore në drejtim të rritjes së konkurrencës dhe rritjes afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse janë: përmirësimi i rëndësisë së tregut të punës, cilësia dhe shënjestrimi i politikave aktive të punësimit, përfshirë përmirësimin e aftësive të të rriturve dhe trajnimin dhe arsimin profesional; shfrytëzimi i potencialeve të rinovueshme dhe që kursejnë energji dhe hapja e plotë e tregut të energjisë, si dhe sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të turizmit. Mungesat që lidhen me punën e kualifikuar, cilësinë e shërbimeve publike, njohuritë sipërmarrëse, njohuritë financiare, qasjen në financë dhe investimet në kërkime dhe inovacion duhet të mbështeten me veprime dhe masa politike.

A ka BE-ja ndonjë projekt të ri në vitin 2020, përmes të cilit mund të jetë afër Shqipërisë për lehtësimin e nismave të biznesit, siç janë projektet “EMBRACE” apo “CAUSE”?

Në fund të vitit 2019 filluan të funksionojnë edhe dy projekte të tjera në kuadër të iniciativës sonë “CAUSE”. “KinFolk Coffee Library” në Durrës është një iniciativë sociale që synon të shndërrojë pasurinë e konfiskuar nga krimi i organizuar në qytetin e Durrësit në një mjedis të përshtatur dhe miqësor për të rinjtë, familjet e tyre dhe qytetarët, si dhe t’i angazhojë ata në aktivitete shoqërore, kulturore dhe arsimore. Projekti synon të rinjtë të cilët janë në rrezik për delikuencë të të miturve, duke i përfshirë ata në aktivitete sociale dhe kulturore që luftojnë përfshirjen në aktivitete të paligjshme dhe stilin kriminal të jetesës. Kafe-libraria Kinfolk është një qendër multikulturore, që ofron një gamë të gjerë aktivitetesh si: trajnime, kurse aktrimi, lexim ndërsa pihet një kafe, grupe diskutimi, kurs shahu, kurse gjuhësh, shkolla verore dhe dimërore, etj. Projekti i dytë është Social Crafting Garage Saranda, një punishte artizanale e përqendruar në prodhimin e gurëve me duar. Ai zbatohet në mjediset e pasurive të konfiskuara në qytetin e Sarandës. Lënda e parë e përdorur për zejet do të jenë gurë natyrorë nga plazhi, të cilët pikturohen, shpohen, gdhenden dhe lidhen me tel në mënyrë që të krijohen vepra artizanale të ndryshme, të gatshme për treg. Vizatimet e gurit janë të lidhura me trashëgiminë kulturore dhe zhanrin folklorik, çka i bën këto produkte unike, të çmuara dhe konkurruese në tregun e artizanatit, në mënyrë që të sigurojnë gjenerimin e të ardhurave afatgjata.

Po kërkoj t’i zgjeroj këto nisma në vende të tjera dhe përmes mënyrave të tjera, sepse ndikimi i tyre pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe në ndërtimin e komuniteteve vendore të forta dhe të shëndetshme është unik.

ME TE LEXUARAT