Ekonomia

Qeveria bllokon fondet e Bashkisë së Shkodrës, reagon Voltana Ademi

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokoi, në përfundim të orarit zyrtar të ditës së marte, fondet e Bashkisë së Shkodrës. Dega e Thesarit nuk pranoi të kryej veprime për likuidimin e faturave të shërbimeve të kësaj bashkie, çka do të thotë bllokim i veprimtarisë financiare dhe administrative të saj. Përmes një emaili të orës 15:02, dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, njoftohet Bashkia e Shkodrës se “sipas ligjit,Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati me datën 20.08.2019, ora 16.30 sipas orarit zyrtar. Për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak ai që duhet të zgjidhë problemin”.

Njoftimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vjen një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, i cili u krye në një situatë të tensionuar pasi mbështetës të opozitës protestuan para sallës ku po zhvillohej takimi.

Në përfundim të kostituimit të Këshillit Bashkiak, deputetja socialiste Senida Mesi dhe zv. ministria e brendshme Romina Kuko deklaruan se, pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, përfundon edhe mandati i kryetares së Bashkisë së Shkodrës.

​Por, kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta të vendit, deklaroi menjëherë pas kostituimit të Këshillit Bashkiak se “do të jem në detyrën dhe përgjegjësinë që të jem kryetare e Bashkisë së Shkodrës deri në momentin, sa më të shpejtë për të gjithë ne, jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë Shqipërinë, kur ne shqiptaret, ne shkodranët, të shkojmë në zgjedhje të verteta, të rregullta, ku të gjithë të mund të zgjedhin të lire” .

Pas bllokimit të financave të bashkisë, kryebashkiakja Ademi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe gjithë trupit diplomatik duke e cilësuar bllokimin e financave dhe funksionimin e bashkisë si një akt politik nga qeveria Rama.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close