Kosova - Rajoni

Një muaj paraburgim për gjykatësin Sali Berisha

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.B. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit S.B i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.B në cilësinë e personit zyrtar,gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, kishte shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke kaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatës.

“Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit nga neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
19:08
Gjyqtari Berisha pezullohet nga puna, për këtë rast priten arrestime të reja

Arrestimi për korrupsion i ka kushtuar me pezullim nga puna gjykatësit nga Peja, Sali Berisha.

Një vendim i tillë është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme që ka mbajtur Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ata kanë miratuar kërkesën e kryetarit të gjykatës së Pejës për pezullim nga puna të gjykatësit Sali Berisha, që dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.

Ndërkaq, sipas informacioneve që ka dhënë Policia e Kosovës, ai është arrestuar, pas disa përgjimeve për marrje të ryshfetit, derisa dyshohet se para aksionit të Policisë, tashmë kishte marrë 4000 nga 6000 euro sa i kishte kërkuar ryshfet për një rast gjyqësor.

“Gjatë operacionit policor, të zhvilluar më datën 19 shtator 2019, i inkriminuari ka kërkuar/pranuar shumën prej 2 mijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces, për të finalizuar shumën prej 6 mijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës.

Më tutje, Policia ka njoftuar se ka bastisur edhe shtëpinë e gjykatësit ku ka gjetur armë zjarri dhe një shumë të hollash prej 10 mijë euro.

Arrestimin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale, duke thënë se ai po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Gjyqtari i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, Sali Berisha, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale.

E gjykata themelore në Pejë nuk është deklaruar para kamerës ëer arrestimin e gjyqtarit që ka punuar në këtë institucion. Mirëpo në një përgjigje me shkrim ata kanë konfirmuar një gjë të tillë. E sa u përket masave që mund të merren ndaj gjyqtarit në fjale kanë thënë se është kompentencë e KGJK-së.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe me avokatin Gëzim Kollçaku, që e përfaqëson gjykatësin. Ai, përmes telefonit, ka thënë se Berisha është intervistuar tashmë nga prokurorët.

Ndërkaq, jozyrtarisht, Kohavisioni mëson se pala që i ka ofruar ryshfet gjykatësit nuk është arrestuar ende.

Mirëpo, sipas burimeve brenda Prokurorisë, së shpejti priten të bëhen edhe arrestime të tjera lidhur me këtë rast dhe si rezultat i hetimeve dhe përgjimit që i është bërë Sali Berishës.

Ai ka punuar në sistemin e drejtësisë para e pasluftës, derisa gjykatës në departamentin e krimeve të rënda në Gjykatën e Pejës ishte emëruar që nga 2013-a.

Seanca për Berishën, që është mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ka përfunduar rreth orës 18:00, por ende nuk është bërë publik ndonjë vendim. KTV-ja po përcjell nga afër zhvillimet në Pallatin e Drejtësisë dhe Koha.net do t’ju mbajë të informuar për këtë çështje.

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close