Bankers: “Tosk Energji” shkeli kontratën, u detyruam të eksportonim

Aktualitet

Rafineria e Ballshit, e administruar nga kompania “Tosk Energji”, është mbyllur prej disa ditësh çka ka shkaktuar pakënaqësi dhe protestë te punonjësit, të cilët thonë se kanë disa muaj pa marrë pagat dhe nuk kanë asnjë përgjigje se kur mund t’i marrin ato. “Bankers Petroleum”, një nga furnizuesit me lëndë të parë të kësaj rafinerie, reagoi dje për të sqaruar se shkak për mbylljen e rafinerisë nuk është kjo kompani. Në sqarimin e shpërndarë për mediat, “Bankers” nënvizon se “Tosk Energji” ka shkelur disa herë kontratat me këtë kompani, gjë që e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje, e cila ka kaluar më pas për eksport. “Bankers Petroleum Albania është informuar nga media se punonjësit e kompanisë ‘Tosk Energji’ që punojnë në rafinerinë e Ballshit kanë protestuar dje pasi kjo rafineri është mbyllur. Përfaqësuesit e kompanisë deklaruan për mediat se rafineria është mbyllur si rezultat i mosfurnizimit me naftë të papërpunuar nga ‘Bankers Petroleum Albania’. Me keqardhje, vërejmë se punonjësit janë duke u përdorur nga ‘Tosk Energji’, që, në fakt, nuk ka arritur të përmbushë termat dhe kushtet e Kontratës së Shitjes së Naftës Bruto për 2019.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në fakt, ‘Bankers’ dhe ‘Tosk Energji’ kanë rënë dakord për programin e dorëzimit të naftës bruto në bazë ditore për shtator 2019 dhe vëllimet e dorëzimit për tetor-dhjetor 2019, që në 27 gusht. Në këtë ditë, ‘Tosk Energji” ekzekutoi amendimin 4 të kontratës për ngarkesat e naftës bruto gjatë shtator-dhjetor 2019. Gjatë ditëve të fundit të gushtit, “Bankers” kërkoi nga ‘Tosk Energji’ që të siguronte letër kreditin, por ‘Tosk Energji’ konfirmoi zyrtarisht që për volumet gjatë muajit shtatorit, derisa ata të hapin një letër krediti (siç kanë bërë në të kaluarën), ‘Tosk’ do të tërheqë të gjitha ngarkesat e planifikuara duke bërë parapagime dhe pa shkaktuar ndonjë ndikim në operacionet dhe financat e ‘Bankers’. Në fund të muajit gushtit dhe fillimit të shtatorit, ‘Bankers’ i është drejtuar kompanisë ‘Tosk’ me disa email-e zyrtare duke kërkuar prej tyre hapjen e letër kreditit ose kryerjen e parapagimit për volumet e planifikuara për muajin Shtator. Por gjatë gjithë muajit shtator, ‘Tosk’ bëri vetëm një parapagim në vlerë prej 500 mijë USD dhe ‘Bankers’ dorëzoi në ‘Tosk’ (pikërisht në 1 Shtator) rreth 1.420 Mt bruto që mbulohej nga ky parapagim.

Për periudhën 1-10 shtator, ‘Bankers’ iu drejtua sërish disa herë ‘Tosk Energji’, por ajo nuk pagoi, pavarësisht se ‘Bankers’ ishte në dispozicion dhe i ofroi të shesë sasitë e rënë dakord. ‘Tosk Energji’ jo vetëm që nuk pagoi/nuk tërhoqi sasitë dhe nuk iu përgjigj ‘Bankers’, por shkoi edhe më tej, duke ndërprerë komunikimin me ne. ‘Tosk Energji’ ka shkelur disa herë kontratat e shitjeve të naftës bruto, duke e vendosur ‘Bankers’ në situata të vështira për lëvizjen/shpërndarjen e naftës së prodhuar dhe shumë herë duke shkaktuar kosto shtesë të konsiderueshme. ‘Tosk Energji’ ka treguar se nuk ka vullnet të mirë për të bashkëpunuar dhe për më tepër kurrë nuk ka informuar ‘Bankers’ për ndonjë mbyllje të rafinerisë Ballsh për çështje teknike të papritura ose për ndonjë arsye tjetër.

Duke qenë në kushte të tilla, ‘Bankers’ nuk kishte asnjë zgjedhje tjetër, veçse të shiste këto volume në eksport”, thuhet në reagimin e “Bankers”. Bankers ndër vite ka treguar gjithmonë se ka respektuar kontratat dhe angazhimet e saj. Edhe në këtë rast, ajo ka mbetur e angazhuar, por përsëri “Tosk Energji” është ajo që nuk po respekton kushtet e kontratave të nënshkruara”,-thuhet në shpjegimin e Bankers.

ME TE LEXUARAT