Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Leter e hapur drejtuar presidentit te Frances Emanuel Macron

Dy personalitete të lartë francezë, për një padrejtësi të rëndë ndaj popullit shqiptar, i kërkuan falje pas 40 vjetësh. Po Ju?

I nderuar Z. Macron,

Më falni që po Ju shqetësoj por i ndodhur, akoma në çudinë dhe dhimbjen që më shkaktoi refuzimi i Juaj aq i prerë për Shqipërinë dhe këmbëngulja që asaj t’i hiqet e drejta natyrore për të filluar negociatat dhe përgatitjet për të qenë, edhe ligjërisht, pjesë e Komunitetit Europian, nuk munda të pres pa u shprehur hapur për Ju dhe të tjerët lidhur me këtë problem.

Unë jam doktor, kardiokirurg, me gradën e Prof. Doktorit, tani në pension, ish resident i huaj, në vitet 1980-81, në Spitalin Brussais të Parisit (për specializim). Nuk jam politikan aktiv por si i gjithë populli im dhe aq sa e do interesi i vendit nuk jam jashtë politikës.

I ndjek ngjarjet që ndodhin në botë sidomos ato që lidhen me vendin dhe popullin tim. Nuk jam indiferent.

Kur dëgjova diskutimin dhe arsyetimin Tuaj pse Shqipëria nuk është gati për negociatat, më shkoi mendja tek dy bashkë-kombasit Tuaj, personalitete të shquara francezë, politikanë me kontribute të veçanta në plan Kombëtar e Ndërkombëtar, Z. Justin Godart dhe Z. D’Estournelles de Constant[1]. E hapa për të disatën herë librin e Justin Godart me titull “Shqipëria në 1921”, ku shkruajnë këta dy njerëz të mëdhenj. Dëshiroj të vë në dukje disa paragrafe nga ky liber e që po e filloj me Z. Godart, i cili e përmbyll librin me këto fjalë: “I mbyllën këto faqe me një apel për Fuqitë e Mëdha: Të informuara më së miri mbi Shqipërinë, ato kanë detyrë ta ndihmojnë atë.

Çfarë qortimesh mund t’i bëj Shqipërisë?

A nuk ka ditur ajo ta organizojë përparimin e vendit? Nën pushtimin turk, çdo inteligjencë që zgjohej, çdo dëshirë që forcohej persekutohej e syrgjynosej. Kohët e lirisë erdhën? Çfarë mund të bëjë Shqipëria? Ne i hodhëm një sy gjatë gjithë rrugës tonë. Kemi parë shkatërrimtarë. Kush i ka bërë, kemi pyetur? Këtu na thanë Greqia, atje Italia, atje Austria, atje Serbia. Pamë turma të mjeruara burrash dhe grash pa shtëpi, fëmijësh që kanë uri dhe të ftohtë. Nga vijnë pyetëm? Nga fshatrat e tyre që u plaçkitën dhe u dogjën nga serbët.

Hymë në Shkodër, nën vështrimin e rojeve serbe që ruanin, të armatosura lartësitë e Taraboshit që është shqiptar. Në një gjatësi të madhe kufijtë e Shqipërisë u dhunuan dhe aty kishte ende një front shqiptar mbrojtjeje.

Cilido vend, në të tilla kushte, do të zhytej në anarshi dhe do të ligështohej.

Dhe, megjithatë, Shqipëria rezistoi. Ajo ka ruajtur rregullin në shtëpi. E plagosur, e lënduar, ajo qëndron e palëkundur, me krenari gjatë shekujve të gjatë të rezistencës së saj, nga papajtueshmëria patriotike që gjithmonë, nuk e ka lejuar atë, veçse të zgjedhë alternativën ndërmjet vdekjes dhe lirisë.

Por në të vërtetë, është Shqipëria që duhet të akuzojë për t’u thënë Fuqive të Mëdha: Ju më keni shtypur, ju më keni mënuar, ju më keni ndarë. Jeni ju që jeni gridnur për të copëtuar tokën time dhe jeni ju që guxoni të më adresoni qortime.

Ndaj Shqipërisë Fuqitë e Mëdha përmbushën një vepër të ndershme shlyerjeje. Ato i janë moralisht borxh asaj”.

Kjo “vepër e ndershme shlyerjeje”, Z. Macron që përmend Z. Godart është pranimi i Shqipërisë në lidhjen e Kombeve në vitin 1921 për të cilën Z. D’Estournelle de Constant dha kontribut.

Ja dhe një pasazh tjetër nga libri i J. Godart i shkruar 100 vjet më parë Z. Macron:

“Gjatë shekujve Shqipëria i rezistoi me ngadhnjim kryezotit, Turqisë, në rrëzimin e të cilës kontribuoi. Pas autonomisë de fakto, ajo fitoi autonominë de Juro. Por gjithë fisnikëria e saj dhe përpjekja trime u futën në një rrezik më të frikshëm se robëria e plotë. Çlirimi nga Turqia me gjakun dhe armët e saj megjithatë e ka bërë Shqipërinë një gjah për fuqitë e mëdha. Në vend të luftimeve të ndershme, ballë për ballë, jetë për jetë, duhet t’i bëjë ballë luftës tinzare diplomatike. Ajo ka qenë loja e traktateve sekrete e pazarllëqeve të mëdha.

Një ditë e copëtuar, të nesërmen e riformuar, sipas kombinacioneve të momentit, ajo ka qenë e keqtrajtuar në mënyrë shumë të rrezikshme, për disa vjet nga Kombet aleate…”

Por, Z. Macron, ajo që më ka shokuar e shokon akoma është mënyra se si francezi tjetër, D’Estournelle De Constant, Nobelist i Paqes, ish-sekretar i Komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë me Malin e Zi, fillon parathënien e librit të Godart-it:

“Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do ta paguaj këtë borxh të rinisë. (Je dois l’Albanie beaucoup; Je paierai cette dette de jounesse).

Në çastin kur isha në fillimet e mia diplomatike, Shqipëria e mjerë më ka mallëngjyer. Ajo kontribuoi në ndriçimin e ndërgjegjes sime të turbulluar nga skepticizmi professional; Ajo zgjoi prirjen time. Kam besuar gjithmonë në detyrën për t’i shërbyer drejtësisë dhe për të luftuar shtypjen. Por si përmbushet kjo detyrë? A gjendet rasti?

Rastet nuk mungojnë: Jemi ne që na mungojnë dëshirat. Është shumë bukur të jesh besnik në jetën private, për miqtë, të afërmit, bashkëqytetarët, vendin tënd. Por nuk mjafton. Është egoizmi individual, familjar, lokal, nacional, gjithmonë egoizmi që të çon në sakrifikimin e më të dobtit ndaj të fortit. Në Shqipëri për herë të parë kam ndjerë se aty kishte njerëz që s’mund të braktiseshin, në dobësinë e tyre. Do të ish turp! Pata fatin e madh të emërohem në pranverë të 1879, Sekretar i Komisionit të Caktimit të Kufijve midis Shqipërisë e Malit të Zi. Erdha në Shkodër, krenar për postin tim të pare, por pa e kuptuar mirë punën me të cilën isha ngarkuar nga komisioni. Së fundi ne po e sakatonim, po e qethnim territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi. Shqipëria ishte pa mbrojtje….

….M’u deshën disa vjet për të kuptuar atë që po ndodhte në atë kohë”.

D. Estournelles de Constant, erdhi në Shqipëri e Mal të Zi për të korrigjuar paktin e Shën Stefanit pas luftës Ruso-Turko me porosi të Kongresit të Berlinit. Ja ç’thotë: “Fuqitë e Mëdha Europiane në atë kohë, kishin interes të ndalonin marshimin e sllavëve drejt perëndimit. Si një ushtri milingonash masa sllave, e detyruar të hiqte dorë nga Bosfori e Durdanalet, po i sillej rrotull të prekte tinëzisht detin Adriatik dhe Egje. Problemi, atëherë ishte i ri për mua, i pazbërthyeshëm, konplikacionet shpërthyen me Luftrat Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore”, shkruan më tej De Constant. Z. Macron, nuk po përmend copëtimet e mëtejshme që iu bënë Shqipërisë pas luftrave ballkanike, problemet pas Luftës I-rë Botërore. Më tej De Constant shton:

“Fat i çuditshëm dhe tragjik për shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pa zvogëluar nga perandoria Osmane, u trajtua si subjekt turk nga fuqitë e mëdha. Ata, që i qëndruan fort sundimit për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, fuqitë e mëdha e gjenin komode t’i injoronin qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort ose atyre që paguajnë më shtrenjtë në pazarin ndërkombëtar. Askush nuk u qante hallin shqiptarëve. Ata ishin vetëm. Voe Soli.

Ata nuk ekzistonin. Më kot qëndruan me një burrëri të pamposhtur, në robërinë turke, aq sa Konstandinopoli nuk guxonte as t’u kërkonte taksa; më kot qeverisën veten, qëndruan të bashkuar, pa dallime fetare, katolikë, ortodoks, myslimanë dhe formuan një bllok kombëtar kundër turkut.

Nuk duhej t’u mbeteshin as turqve që të mund të ndaleshin më vonë me të tjerë. Kjo është abc-ja e diplomacisë që praktikohej dhe imponohej dhe do të imponohet akoma edhe sot, ndoshta, në qoftë se do të lejohet ta bëjë”.

Duke folur për Z. Godart, De Constant thotë: “Natyrisht, Godart duke qenë vet francez, u dërgua të thotë gjëra të pakëndshme për disa; por ai do t’u shërbejë të gjithëve duke provuar që nuk shkonte për t’i shërrbyer Shqipërisë, por të vërtetës. Në gadishullin ballkanik, shqiptarët janë i vetmi popull i cili me të vërtetë kishte gjithçka për të fituar paqen, gjithçka për të humbur luftën, si Franca; Rezulton pikërisht që Shqiptarët janë të vetmit nga gjithë këta popuj që nuk kishin menduar kurrë të lakmonin Konstandinopolin. Kjo meriton vërtet një vlerësim që të shërbejë për të inkurajuar të tjerët”.

Macron, bashkë-kombësi Juaj Z. D’Estournelles De Constant kërkoi falje pas 40 vjetësh për gatimin dhe padrejtësinë që i bëri Shqipërisë ai vetë dhe Komisioni Ndërkombëtar i caktimit të kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, që siç thotë Ai “E sakatoi dhe e qethi territorin Shqiptar në favor të Malit të Zi”.

Të mos harrojmë që ky veprim i kundërt me orientimin e Kongresit të Berlinit në atë kohë u hapi rrugën sllavëve për në Adriatik nëpërmjet Malit të Zi dhe nëpër tokat, bregdetin dhe porteve shqiptare të grabitura padrejtësisht.

Po ju Z. Macron do të prisni 40 vjet si Z. De Constant t’i kërkoni falje Shqipërisë për këtë pengesë që i bëtë në Tetorin e 2019, për t’u regjistruar në librin e gjendjes civile të Europës ku itakon të jetë?

E falura që De Constant i ka kërkuar Shqipërisë u parapri nga një punë e gjatë e tij për ta shlyer gabimin sidomos për pranimin në lidhjen e kombeve e megjithatë ne Shqiptarëve na jep dhimbje të thellë deri në palcë ai veprim.

Jo se s’dimë të falim ne shqiptarët. A falen gjërat e mëdha? Por nuk harrojmë dot kur tokat dhe bregdeti ynë të ndarë pa na pyetur nga trungu të jenë të huaja për ne. Bashkimi në familjen Europiane do ta zbuste sadopak këtë vuajtje tonën dhe njëkohësisht gabimin e tij “të moshës së rinisë”, siç thotë, De Constant.

Megjithatë, falja e kërkuar çmohet nga ne për kurajon që ai njeri me parime, tregoi në kohën e pleqërisë.

S’është e lehtë të pranosh një gabim kaq të madh, me efekte të pa ndreqshme.

Për këtë meriton respekt. Por kjo falje, mendoj se ka vlerë nëse bëhet mësim për bashkëkombësit e sotëm të Z. De Constant që kanë në dorë fate popujsh dhe drejtojnë politikën Europiane. Jo vetëm që t’mos përsëriten gabimet e të kaluarës, por qëndrimet e diplomatëve dhe gjithë francezëve të tjerë ndaj nesh sot duhet të jetë kontribut për korigjimin e gabimit të rinisë të ish diplomatit tuaj të atyre viteve.

Ndoshta pranimi i Shqipërisë në gjirin e Europës së bashkuar do t’i jepte qetësi atij, atje ku është dhe do t’i shtonte nderin kombit francez. Ne do të ishim një familje me Malin e zi brenda familjes Europiane.

Macron,

Ju në arsyetimin tuaj për të frenuar hapjen e negociatave përmendët emigrantët dhe azilkërkuesit shqiptarë. Unë do t’Ju pyesja se cili në këtë botë nuk do të donte që për një periudhë kohe të jetojë dhe punojë në Francë që të përfitojë nga përvoja, kultura, praktikat demokratike të saj për t’i përdorur kur të kthehen në vendet e tyre? Kështu ka ndodhur gjithmonë me Francën.

Dhe shqiptarët kërkojnë azil dhe leje qëndrimi, por nuk detyrojnë autoritetet francize që t’i pranojnë patjetër, nuk kërkojnë që administrata franceze të shkelë ligjet e veta dhe të mos filtrojë kërkesat. Kërkesat e tyre bëhen duke përdorur hapësirat ligjore të vendit, të drejtat e përgjithshme njerëzore dhe nevojat për punë të vendit pritës.

Shqiptari nuk bëhet kloshar që të flejë nën ura në Paris apo gjetkë, nuk i zgjat dorën njeriu në rrugë për të lipur, as i fut dorën në xhep për të vjedhur tjetrit, nëpër metro. Ai nuk preferon të futet në popullatën pa dokumenta të Parisit të Veriut. Ka shumë të tillë në Paris. Kur shqiptarit i refuzohet kërkesa dhe mundësia për të qëndruar, sipas rregullave, aty ai kthehet në vendin e tij që e do shumë.

Nuk shoh arsye që francezët, votuesit tuaj, të mërziten nga shqiptarët kur tek ata aktualisht qëndrojnë dhjetra herë më shumë rezident të huaj, me leje e pa leje, se sa gjithë popullata aktuale e Shqipërisë. Me sa i njoh unë francezët ata do ta kuptonin drejt këtë.

Dhe në fund të kësaj letre dua të shkruaj një paragraf për bashkëkombësit e mi.

Të dashur bashkëkombasit e mi,

Ne shqiptarët e kemi zemrën e madhe dhe mikpritjen të shenjtë. Do ta presim mirë Presidentin e Francës, Z Macron.

E para herë që na vjen Presidenti i një vendi aq të dashur siç është Franca për ne, vend ëndrrash e optimizmi që hapi dyert kur të tjerët na i mbyllën.

Ta presim me dashuri e pa protestuar për gabimin që bëri ndaj nesh sepse kjo vizitë është fillimi i një kërkim-falje në kohën e duhur që ai ndryshe nga De Constant po kërkon.

Të mos ia përmendim gabimin kur e kemi mik në shtëpi.

Me konsideratë e respekt të ndjerë,

Prof. Dok. Ajli Alushani

[1] Justin Godart: francez, ish deputet , senator i francës, n/sekretar shteti, ministër i punës e higjenës, ministër i shëndetësisë, zv. Në drejtësi, luftëtar në mbrojtje të drejtave të kombeve. I quajtur “I Drejti i Kombeve”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.