Lajmi i fundit

Gjenden gjurme gishtash ne makine, atentatoret e prokurorit nuk lane gezhoja

Grupi hetimor i policise se shtetit ka zbuluar prova të tjera të vlefshme që mund të çojnë drejt identifikimit të personave që sulmuan me armë prokurorin Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremin të njohur me nofkën “Rrumi” dhe Andi Malokun.

Nga burime hetimore, bene te ditur se në automjetin tip “Mercedes-Benz E Class 280” janë gjetur shenja gishtash dhe fije floku. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se targat e mjetit AA 342 LM janë të vjedhura në Tiranë vetëm pak kohë më parë. Ndërsa automjeti dyshohet se është vjedhur në një qytet tjetër, por nuk rezulton i regjistruar.

Ekspertët e policisë shkencore do të analizojnë shenjat e gishtave të gjetura në mjet. Ajo që nuk dihet deri tani është nëse këto shenja gishtash u përkasin atentatorëve apo pronarëve të vërtetë të automjetit “Mercedes-Benz”. Pas analizimit, do të bëhet krahasimi i tyre.

Ndërsa në maskat e gjetura brenda makinës, janë zbuluar edhe fije floku. Kjo provë konsiderohet tepër e rëndësishme për hetimin, pasi ekspertët kanë besim se do të çojë në identifikimin e autorëve.

Gjithashtu, brenda makinës së braktisur pranë varrezave të Shkafanës në Ishëm, u gjetën edhe dy kallashnikovë, një pistoletë, 9 gëzhoja dhe shishe benzine. Armët e gjetura janë përdorur në atentatin ndaj makinës së prokurorit më 1 Nëntor në autostradën Tiranë-Durrës.

Për të mos lënë prova në vendngjarje, autorët kanë qëlluar nga brenda kabinës së mjetit të tyre, me qëllim që gëzhojat e armëve të mos binin në tokë. Dyshohet se kanë qenë 3 persona në mjetin “Mercedes” ngjyrë gri. Më pas mendohet se janë ndihmuar edhe nga 1 apo 2 persona të tjerë për t’u larguar nga vendi ku braktisën makinën. Burimet thonë gjithashtu se mund të kenë qenë të përfshirë edhe dy persona të tjerë që kanë patur rolin e informatorit.

Autorët braktisën makinën pranë varrezave të Shkafanës pas atentatit dhe kishin planifikuar ta digjnin, pasi brenda mjetit u gjetën shishe benzine. Por për arsye ende të paditura, autorët u larguan pa i vënë flakën “Mercedesit” dhe u arratisën në drejtim të panjohur me një automjet të dytë.

Prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Pëllumb Muharremi mbetën të plagosur nga ky atentat. Në gjendje më të rëndë është Andi Maloku. Ndërsa prokurori Ndoja dhe “Rrumi” janë jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet ende kush prej dy emrave të fundit ka qenë shënjestër e atentatit.

Në dëshminë paraprake, prokurori Arjan Ndoja ka thënë se nuk ka qenë ai shënjestra. Hetimet për këtë ngjarje po kryhen nga prokurorët e Krimeve të Rënda Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj. /tvklan

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!
Tags

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close