Artur Metani ne krye te ILD, reagon PD: Emerimi antikushtetues dhe i paligjshem

Politikë
Artur Metani ne krye te ILD, reagon PD: Emerimi antikushtetues dhe i paligjshem

TIRANE

“Emërimi antikushtetues dhe i paligjshëm i Artur Metanit është kapja e plotë e sistemit të drejtësisë nga Edi Rama” kështu u shpreh sot në një prononcim për mediat sekretari për cështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ai theksoi se me urdhër të Edi Ramës, Parlamenti emëroi në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të organeve të drejtësisë, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, shërbëtorin, vartësin e Kryeministrit, Artur Metanin, vëllanë e deputetes ish-ministre, duke shënuar kapjen edhe të një institucioni tjetër të drejtësisë.

Deklarata e plotë:

Dje parlamenti ilegjitim, i dalë nga vota e vjedhur dhe e blerë me paratë e krimit dhe të korrupsionit, realizoi goditjen finale kundër reformës në drejtësi dhe pavarësisë së organeve të reja të drejtësisë.

Me urdhër të Edi Ramës emëroi në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të organeve të drejtësisë, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, shërbëtorin, vartësin e Kryeministrit, Artur Metanin, vëllanë e deputetes ish-ministre, duke shënuar kapjen edhe të një institucioni tjetër të drejtësisë.

Ky emërim, siç e kemi konstatuar e denoncuar edhe më parë, vjen në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës. Kjo shkelje e rëndë ka filluar që nga kualifikimi i paligjshëm i kandidaturës së Metanit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, të kontrolluar nga shërbëtori Ardian Dvorani, duke u sanksionuar nga Parlamenti me një votim partiak.

Për të emëruar vartësin e Edi Ramës në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, u shkelën kriteret bazë kushtetuese dhe ligjore.

Ky emërim nga Parlamenti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

Po ashtu, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 199, parashikon se: “Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte:

dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;

Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.

Në bazë të Ligjit të Vetingut, nenin 3 pika17, pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike.

Për më thjeshtë po citojmë ligjin:( nenin 3 pika17) “Shprehja “nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike” do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit”.

Si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Kjo është shkelja më e rëndë nga Parlamenti në emërimin e Artur Metanit.

Por kur bëhet fjalë për njeriun besnik të Kryeministrit Parlamenti mbyll sytë dhe voton në një akt nul, antikushtetues!

Metani u emërua nga vetë Kryeministri Avokat i Shtetit, pra vartës direkt i tij, pa folur për lidhjet familjare e nepotike të Metanit më eksponentë të njohur të qeverisë dhe Partisë Socialiste, gjë që është bërë normë për drejtuesit e lartë të organeve të reja të drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është kunati i një tjetër deputeteje socialiste.

Po përse i duhet Edi Ramës kapja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë? Për arsyen e thjeshtë se në këtë funksion Inspektori ka si kompetencë të kontrollojë punën e gjykatësve dhe të prokurorëve të Republikës dhe t’i propozoje sipas rastit KLP dhe KLGJ masat disiplinore deri në shkarkim nga detyra. Kështu Edi Rama ka në dorë gjyqësorin dhe prokurorët, të cilët po nuk zbatuan urdhrat e tij, u lëshon Inspektorin, pra Metanin.

Në këtë mënyrë, Edi Rama synon t’i mbajë gjyqtarët dhe prokurorët në një veting permanent dhe personal.

Ka kohë që ne kemi shtruar çështjen se përse u bë gjithë kjo reformë në drejtësi. Për faktin që qeveria të mbajë sa më larg duart nga drejtësia. Por me Edi Ramën kjo është e pamundur. Koha po provoj atë që Partia Demokratike paralajmëroi që prej fillimit: I vetmi synim i Edi Ramës me reformën në drejtësi është kontrolli i plotë i saj dhe jo drejtësia e pavarur në shërbim të qytetarëve.

Sot askush nuk beson më në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë nga Kryeministri, i cili po i kthen ato në organe private të tij.

E vetmja rrugë për shpëtimin e reformës në drejtësi është largimi i Edi Ramës.

ME TE LEXUARAT