Ndryshime ne Kodin Penal, 5 vjet burg kush rreh dhe i ben presion psikologjik gruas

Aktualitet
Ndryshime ne Kodin Penal, 5 vjet burg kush rreh dhe i ben presion psikologjik

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj nga deputetet e Partisë Socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni për ndryshimin e Kodit Penal, për ashpërsimin e ndëshkimin për veprën penale të dhunës në familje. Nisma ligjore parashikon dënimin nga një deri në pesë vite burg të kujtdo që dhunon bashkëshorten apo bashkëshortin nga dy vjet që është aktualisht. Konkretisht, projektligji parashikon ndryshimin e nenit 130/a të Kodit Penal për veprën penale të dhunës në familje.

Ndryshimi i propozuar parashikon që rrahja dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kodi Penal në fuqi parashikon që kjo vepër penale dënohet me burgim deri në dy vjet, duke mos vendosur një kufi për dënimin më të ulët. Legjislacioni në fuqi ka krijuar hapësira që dhunuesit t’i shpëtonin ndëshkimit, pasi përcaktohet vetëm dënimi maksimal deri në dy vjet dhe jo kufiri minimal, siç parashikohet në ndryshimet e propozuara. Gjithashtu, projektligji parashikon që kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, personi i akuzuar dënohet nga dy deri në 10 vjet burg.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kodi Penal në fuqi parashikon që kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, dënohet nga një deri në pesë vjet. Me ndryshimet që iu bënë Kodit Penal në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2013 u parashikua për herë të parë kriminalizimi i veprës penale të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Dy deputetet theksojnë se ‘Zbatimi i këtyre sanksioneve nuk ka zbutur dhunën ndaj gruas, madje në disa raste ka patur efekt të kundërt. Episodet e përsëritura të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, veçanërisht rastet kur dhuna përsëritet edhe ndaj grave që kane përfituar urdhër mbrojtje nga gjykata, deri në humbjen e jetës, janë kambanë alarmi për ndërhyrje të menjëhershme në legjislacion me mekanizma që forcojnë masat kundër dhunës’.

Neni 130/a bëhet

Dhuna ne familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose ne lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Plagosja e kryer me dashje ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në pune më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim një deri në pesë vjet. Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga dy deri në 10 vjet burgim.

Neni 130/a i Kodit Penal në fuqi është

Dhuna në familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.

ME TE LEXUARAT