AktualitetUncategorized

Nuk e kaloi Vettingun/ Perfitoi ne menyre te dyshimte nje lokal, shkarkohet gjykatesja

Gjyqtarja e Apelit Shkodër Hajrie Muçmata është shkarkuar nga detyra, pas nuk ka mundur që të verifikojë burimet e ligjshme të pasurisë së saj. Muçmata më herët kishte kërkuar disa herë shtyrjen e përballjes me Vetingun, duke qënë se po përpiqej që të kopsiste argumentet e saj.

Senaca e shtyrë e rivlerësimit për gjyqtaren e Apelit të Gjykatës së Shkodrës, Hajrie Muçmata nisi të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me njoftimin se kërkesa e saj për përjashtim të trupës gjykuese për njëanshmëri ishte rrëzuar.

Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Alma Faskaj relatore dhe Pamela Qirko anëtare, gjithashtu ashtu hodhi poshtë një kërkesë të Muçmatajt dhe avokates së saj Irena Reso për të mësuar emrin e ekspertit financiar. Muçmata pretendoi më pas se eksperti kishte qenë i njëanshëm.

Çfarë ndodhi në seancën dëgjimore:

Procesi, i cili u fokusua kryesisht në huatë dhe burimin e ligjshëm i pasurisë dhe te deklarata të Muçmatës dhe deklarimet vjetore që sipas KPK ishin kontradiktore, u mbyll vetëm mbi kriterin e pasurisë.

KPK tha se nga analiza financiare rezultonte se gjyqtarja kishte mungesë burimesh të ligjshme në disa vite dhe në total 4.7 milion lekë.

Muçmata pati po ashtu një diskutim me vëzhguesin ndërkombëtar, Theo Jacobs i cili i cilësoi të pakuptueshme disa deklarime të gjyqtares që kishte kundërshtuar veten me qëndrimet mbi një marrëdhënie huaje dhe qëllimin e një kredie.

Muçmata u mbrojt duke pretenduar se ajo nuk kishte pasur detyrim deklarimin e kësaj kontrate huaje, ndërsa tha se mohimi i saj kishte të bënte me faktin se kontrata ishte nënshkruar nga bashkëshorti dhe jo ajo vetë.

Karriera e Hajrie Muçmatajt në sistemin e drejtësisë ka filluar në vitin 1999, si gjyqtare në Gjykatën e Kukësit. Në vitin 2009, ajo u emërua inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndërsa në vitin 2016, Znj. Muçmata u dekretua anëtare e Gjykatës së Apelit të Shkodrës nga Presidenti i Republikës.

Problemet me apartamentin

Relatorja Faskaj vuri në dukje që në fillim të fjalës së saj se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, e kishte gjetur Muçmatën me probleme në deklarimin e pasurisë dhe e akuzonte atë për fshehje pasurie.

Muçmata e kundërshtoi këtë qëndrim duke pretenduar se ILDKPKI e kishte kontrolluar më herët dhe kurrë nuk i kishte vënë në dukje probleme. Ajo kundërshtoi akuzën për fshehje pasurie duke thënë se nuk kishte asnjë pasuri të fshehur.

Faskaj ndërkohë renditi vetë një seri problemesh të gjetura në pasurinë e gjyqtares. Relatorja tha se Komisioni kishte gjetur një kontratë mes bashkëshortit të saj dhe një kompanie ndërtimi me shënime të bëra me dorë, që ngrinin dyshime mbi sipërfaqen dhe çmimin e një apartamenti 117 metra katrorë në Tiranë.

Po ashtu relatorja vuri në dukje që mungonin dokumentet justifikues për huatë, mungonin dokumentet për të provuar pagesat dhe kohën kur ato ishin bërë dhe se dukej që Muçmata kishte bërë deklarim të rremë në veting, kur kishte deklaruar burimin për këtë pasuri vetëm me kursimet nga paga.

Ngjashëm ajo vuri në dukje se një nga huadhënësit E.V nuk kishte pasur burime të mjaftueshme për të dhënë huanë. Po ashtu huadhënësi tjetër rezultoi se ishte provuar marrëdhënia e punës, por jo të ardhurat dhe mundësia për të dhënë 3 mijë euro. Vetë Muçmata dhe i shoqi kishin qenë me mbi 700 mijë lekë bilanc negativ për të krijuar kursimet me të cilat ishte paguar kësti për apartamentin.

KPK po ashtu vuri në dukje se duke u nisur prej kontratave me shkrim të marra parasysh këstet për apartamentin ishin paguar para se të merreshin huatë duke bërë që Muçmata të ishte në pamundësi financiare. Muçmata kundërshtoi kohën e pagesës duke pretenduar një sërë deklaratash noteriale dhe faktin se kontrata e pororsisë nuk duhej të merrej për referencë për kohën e pagesës.

Mbrojtësja e Muçmatës ndërhyri në këtë pikë për të sqaruar se sipas saj kontrata me shënime dore e cila ngrite dyshime mbi sipërfaqen dhe çmimin, nuk kishte vlerë formale dhe nuk kishte vlerë ligjore. Ajo ishte nënshkruar nga palët mbi një kontratë tip jo para noterit, që sipas saj shpjegonte pse në të ishin gjurmë të një apartamenti tjetër, dhe po ashtu vuri në dukje se shënimet me dorë nuk ishin bërë prej subjektit dhe bashkëshortit të saj.

Qasja e avokates mbi vlerën ligjore të kontratës u kundërshtua nga Theo Jacobs. Në fund të seancës ai kërkoi të dinte nëse kishte kontrata vlerë detyruese për palët apo nëse ishte e falsifikuar nisur nga pretendimi për shënimet, ndërsa e cilësoi qëndrimin e avokates se kontrata nuk kishte vlerë ligjore si diçka “origjinale”. Avokatja tha se ajo nuk kishte thënë që kontrata ishte e paligjshme, por se ajo nuk kishte vlerë formale. Vetë Muçmata sqaroi se bazë duhej të ishte kontrata e shit-blerjes. Ajo pretendoi se kishte sjellë pesë kontrata nga i njëjti subjekt që tregonin se ajo e kishte blerë apartamentin më shtrenjtë se mesatarja e çmimeve.

Muçmata kundërshtoi edhe pretendimet se E.V nuk kishte mundësi financiare. Ajo tha se kishte sjellë dokumente që provonin se ai kishte pasur të ardhura nga VEFA në vitin 1998 dhe më pas kishte shitur apartamente në vitin 2000 dhe se kishte pasur mundësi financiare, ndërsa kishte pasur edhe një biznes në Kukës.

Muçmata kundërshtoi edhe në parim kërkesën e KPK për të provuar burimet e ligjshme të huadhënësve duke thënë se kjo shkelte parimin e sigurisë juridike.

Qëndrimi mbi analizën financiare

Relatorja nuk u ndal gjatë dhe bëri vetëm një përshkrim të shkurtër të disa likujditeteve dhe llogarive bankare të Muçmatës  duke dalë në konkluzionin se në total ajo kishte mungesë të ardhurash për 4.7 milion lekë. Faskaj përmendi 15 mijë euro të ardhura nga qiratë, 2.4 milion lekë kursime, një llogari me 10 mijë dollarë, një tjetër me 1.2 milion lekë  dhe disa shuma të tjera në banka.

Muçmata vetë u mor që në fillim me analizën financiare. Ajo pretendoi se eksperti që kishte bërë analizën kishte lënë shënime në dokument ku pyeste trupën gjykuese nëse “20 euro për natë qëndrimi në Greqi ishin pak”.

Muçmata tha se kjo shumë ishte ajo e përcaktuar në metodologjinë e KPK, por se përndryshe asaj i ishin llogaritur shpenzime gjatë kohës së qëndrimit te e motra në shuma mjaft më të mëdha. Ajo tha se kishte udhëtuar me autobus në Greqi. “Nuk ka në Shqipëri gjyqtarë që ka udhëtuar me autobus 14 orë me familjen për në shtetin fqinj”, tha ajo. Ndërsa vuri në dukje se qëndrimi te motra sipas analizës financiare i kishte kushtuar  më shumë se qëndrimi në hotel sipas saj.

Muçmata po ashtu vuri në dukje se sipas KPK ajo kishte shpenzuar në Greqi tre muaj pagë edhe pse kishte qëndruar te e motra dhe se djali i saj kishte qenë vetëm katër vjeç. Ajo pretendoi se shpenzime të tilla i ishin llogaritur edhe në vijim dhe nuk ishin të vërteta. Gjyqtarja këmbënguli edhe te ligjshmëria e qirave për një lokal, që ishte përdorur si magazinë nga ortaku i bashkëshortit. Ajo tha se detyrimin për tatimin e kishte pasur qiramarrësi dhe sipas saj një vërtetim i Drejtorisë së Tatimeve Kukës provonte pagesën e këtyre detyrimeve.

Gjyqtarja pranoi se e ëma kishte bërë kontratë fiktive për shitjen e një apartamenti, por këmbënguli se ajo i kishte dhuruar asaj 20 mijë euro, pasi vlera e vërtet e apartamentit kishte qenë 2.4 milion lekë dhe jo aq sa ishte në deklaratën e shit-blerjes. Ajo po ashtu kërkoi që edhe nëse nuk konsideroheshin të ardhura dietat e saj në punë të merreshin parasysh të paktën pjesërisht, pasi tha se nuk mund të thuhej që kishte shpenzuar për ushqim edhe nga shërbimi edhe nga shpenzimet e tjera. Ajo po ashtu tha se analiza nuk kishte llogaritur saktë të ardhurat e të birit.

Deklarimet kontradiktore

KPK u ndal gjatë në mënyrën e përfitimit të një lokali nga bashkëshortët. Komisioni tha se nuk kishte të dhëna për mënyrën se si ishin bërë pagesat për këtë lokal dhe se deklarimet e Muçmatës kishin ndryshuar në kohë.

Filimisht ajo kishte pretenduar pagesën e lokalit me një pjesë të një kredie bankare, por më pas kishte ndryshuar qëndrim kur kishte dalë se kjo kredi ishte përdorur për të shlyer një borxh 3 milion lekë ndaj një personi me inicialet Sh.B. Borxhë që ishte deklaruar më pas si i përdorur pjesërisht për të shlyer borxhin ndaj E.V të marrë më herët për apartamentin dhe pjesërisht për një pasuri në Kukës.

Marrëveshja e huasë me Sh.B e nënshkruar në vitin 2009 dhe e padeklaruar më parë dhe madje sipas KPK-së e mohuar gjatë pyetësorëve për llogari të vetingut, duket se rëndonte më shumë në rivlerësimin e Muçmatës.

Pasi diferencat në qëndrimet e Muçmatës që fillimisht kishte mohuar marrëdhënien financiare me Sh.B u vunë në dukje nga relatorja, vëzhguesi ndërkombëtar i kërkoi asaj sërish shpjegime. Jacobs tha se nuk i kuptonte gjithë këto veprime të komplikuara dhe pse ato nuk ishin deklaruar dhe madje mohuar nga gjyqtarja fillimisht edhe kur i ishte vënë në dukje se ato përmendeshin në një transfert bankare të bashkëshortit.

Gjyqtarja nuk iu përgjigj fillimisht akuzave se kishte mohuar marrëdhënien financiare me Sh.B dhe më pas bëri një sërë shpjegimesh për të treguar se si paratë ishin marrë për të shlyer borxhin ndaj E.V dhe se nuk kishte pasur detyrim të deklaronte këto pasi kishn ndodhur brenda dy muajsh dhe se SH.B ishte shlyer me kredin bankare, megjithëse kjo e fundit ishte deklaruar si e përdorur për të shlyer lokalin.

Jacobs dhe Faskaj këmbëngulën sërish mbi deklarimin kontradiktore. Faskaj lexoi një nga përgjigjet e Muçmatajt, që siç citoi Komisionerja kishte mohuar çdo marrëdhënie financiare me Sh.B. “Çfarë është një marrëdhënie financiare për ju nëse nuk është kthimi i një borxhi?”, pyeti Jacobs duke komentuar se gjithë këto veprime ishin “përtej të kuptueshmes”.

Gjyqtarja u përgjigj emocionalisht se Jacobs ndoshta nuk i kuptonte situatat në Shqipëri dhe se këtu edhe për tu martuar duhej të merrje borxh. Ajo tha ndër të tjera se kishte mohuar pasjen e marrëdhënies financiare sepse kontrata ishte nënshkruar nga bashkëshorti.

Ndërkohë në relatim u vu në dukje se ngjashëm me apartamentin kishte një sërë paqartësish mbi kohën e pagesës, sipërfaqen e lokalit dhe nëse shuma e marrë si kredi nuk ishte përdorur për të paguar Muçmata nuk kishte pasur mundësi për të paguar gjysmën e vlerës së këstit të parë për këtë ambient. KPK vuri në dukje se nuk kishte modalitete të përcaktuara se si ortakët kishin bërë pagesat dhe se për këtë ishte aplikuar ndarja me 50 për qind e pagesave.

Muçmata pretendoi në shpjegimet e saj se kësti i parë ishte paguar nga ortaku dhe se bashkëshorti kishte paguar pjesën e tij në kohën e marrjes në dorëzim të lokalit. Ajo tha se KPK nuk kishte prova për të thënë se ajo kishte paguar gjysmën e këtij kësti në momentin e kontratës së porosisë dhe solli deklarata noteriale që sipas saj provonin këtë fakt.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close