Banoret e Astirit do vazhdojne protestat, Kryemadhi: Rama do mbaje pergjegjesi

Politikë

Banorët e Unazës së Re përfunduan një takim në mbrëmje, duke u shprehur se rezistenca e tyre do të vazhdojë. Banorët thanë se nëse shteti do i sulmojë me gaz lotsjellës, do i përgjigjen në të njëjtën mënyrë.

“Ne jemi për dialog, ata janë për dhunë,” thanë banorët.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Shteti po të dojë e zhduk popullin se ka ushtri dhe polici. Ne po mbrojmë shtëpitë tona, edhe siku vdesim, për çfarë të qëndroj i gjallë unë kur nuk mund të kem një banesë për familjen time. Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk mund të qëndrojnë në pushtet gjithë jetën, edhe sikur të qëndrojnë, çuni im do ta marrë hakun”, tha një tjetër banor.

Ndërkohë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi mbështetjen për protestën me anë të një video-mesazhi nga SHBA.

Kryemadhi tha se Edi Rama do përgjigjet për dhunën ndaj banorëve.

“Jam në mbështetje të plotë të banorëve të Unazës së Re. Dhuna dhe terrori i ushtruar nga Edi Rama dhe falangat e tij të krimit, që kanë kapur Policinë e Shtetit, nuk është gjë gtjetër veçse instalimi përfundimtar i narko-shtetit nën emrin e qeverisë shqiptare,” tha Kryemadhi.

Duke u ndalur te gazi lotsjellës, kryetarja e LSI tha se do të dalin përpara drejtësisë të gjithë ata “që kanë kryer krime kundër njerëzimit”.

“Edi Rama do mbajë përgjegjësi për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e drejtësisë, për shkatërrimin e reformave, për bllokimin e institucioneve shqiptare. Ai vazhdon në mënyrë të pareshtur provokimin ndaj opozitës shqiptare, por mbi të gjitha ndaj qytetarëve shqiptarë. Sot duhet të jemi të bashkuar kundër diktaturës së krimit për t’i dhënë drejtimin Shqipërisë drejt Bashkimit Europian,” tha ajo.

ME TE LEXUARAT