Basha me banoret ne Durres: Rruga me e mire, rritja e numrit te inxhiniereve vleresues

Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua në Durrës me disa banorë të një prej kompleksve më të mëdha të dëmtuar, por që akoma nuk ka një vlerësim përfundimtar, nëse duhet shembur apo jo. Në kompleksin 12 katësh jetojnë rreth 1 mijë banorë, të cilët kanë si shqetësim kryesor zvarritjen e vendimmarrjes dhe mungesën e vëmendjes shtetërore. Duke iu përgjigjur kërkesës së tyre për ndihmë, zoti Basha tha se rruga më e mirë për t’i ndihmuar banorët është rritja e numrit të inxhinierëve vlerësues.

“Ajo që po kërkojmë ne është të rritet numri i vlerësuesve, por që të jenë të çertifikuar nga shteti, pasi kjo nuk është punë partish. Problemi kryesor që shoh është se, duke mos patur vlerësime, njerëzit, ndjehen të pasigurt, të paqetë, se edhe po qe lajm i keq, njeriu e ndan mendjen”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ajo që tani kemi në dorë është të sjellim sa më shumë vëmendje tek ju”- iu përgjigj Basha banorëve të revoltuar nga mungesa e vëmendjes shtetërore.

Një tjetër banor i këtij kompleksi, baba i tre fëmijëve tregoi sesi e kishte trajtuar me përçmim nënkryetari i komanduar i bashkisë së Durrësit, Zhyljen Varfi, të cilin në Durrës e cilësojnë si Vangjush Dako Junior. “Nuk më intereson fare, ik e këput qafën, më tha”- u shpreh banori.

Një grua tregoi për të bijën, e cila fle prej 7 ditesh në makinë, pasi kishin zënë vend në hotel vetëm 2 ditë më parë. Banorja e kompleksit të dëmtuar tregoi edhe anën abuzive, të pazbuluar deri tani, të skemës së strehimit në hotele.

“Ka hotele që janë të gatshëm të të strehojnë pa asnjë kosto, këtë e di personalisht. Por nuk mund të shkosh të strehohesh aty, sepse del që nuk je regjistruar fare pastaj. Duhet patjetër që të jesh i regjistruar në hotelet qe të çon bashkia…”- Që hoteli të përfitojë nga paratë që i jep qeveria pastaj”-ndërhyri zoti Basha, të cilit, banorja që i tregoi skemën avuzive dhe përjashtuese të qeverisë, i dha të drejtë në konkluzionin e tij.

Të gjithë banorët pohuan se nuk kanë marrë asnjë ndihmë, nuk kanë asnjë përkujdesje nga bashkia dhe nuk kanë asnjë përgjigje prej saj se çfarë do të bëhet me ta në të ardhmen, megjithëse dokumentat i kanë dorëzuar, siç u është kërkuar.

ME TE LEXUARAT