Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Tërmeti, Rama: Verifikoni tokat ku do të ndërtohen lagjet e reja, mund të ketë surpriza nga KÇK

Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverine për ditën e 10 radhazi, ku në fokus është faza e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se puna për rindërtimit e lagjeve të reja duhet të nisë shumë shpejt, po ashtu edhe verifikimi i tokave ku ato do të ndërtohen.

Rama nuk la pa sulmuar dhe atë që ai e quan grupi ‘KÇK’, ‘Kap Ça të kapësh’, ndërsa theksoi se pavarësisht faktit që ajo mund të jetë tokë shtetërore, mund të ketë raste që mund të jetë grabitur.

“Menjëherë drejtuesi i Entit duhet të vihet në dispozicion të programit. Qoftë nga pikëpamja e planeve, projekteve, duhet të integrohet në programin e rindërtimit. Puna për ligjin e posaçëm për rindërtimin po ecën. Koha është e ngushtë, kështu që në 19 duhet të kalojmë ligjin e posaçëm. Duhet përgatitur për parlamentin dhe një kërkesë për shtyrjen e periudhës së emergjencës, në mënyrë që të kemi një fokus të detyrueshëm për të gjitha institucionet.

Duhet të përgatiten të dhënat se ku do të ndërtohet. I jemi referuar pronës tokë-shtet, por KÇK ka bërë të veten, në kohën kur kemi bërë punë të tjera në gjithë këtë kohë dhe duhet verifikuar në hipotekë çdo pronë. Që mos të gjendemi me surpriza, kur të shohim që është tokë e cënuar dhe e kafshuar nga KÇK. Raporti duhet të jetë gati javën që vjen.”, tha Rama.

Po ashtu Rama tha se do të bëhet thirrja për të gjithë ata që kanë apartamente stok. “Është e rëndësishme të bëjmë një thirrje për të gjithë ata që kanë stok. Por shitësit duhet të dinë se nuk është rasti të shitet me çmim të lartë pasi nuk është rasti të blejmë për të fituar.

Në momentin që flasim kemi 103 grupe inspektimi në terren dhe një numër të konsiderueshëm të ekspertëve të huaj. Janë shembur 33 objekte dhe 5 janë në proces. 105 objekte janë të futura në zonën e rrezikut. Këtu duhen angazhuar forca policie për të prishur këto banesa pasi nuk mund ta zgjasim këtë histori”- nënvizoi Rama.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave A Reply

Your email address will not be published.