Urdhri i fundit i Arta Markut per prokuroret: Arrestoni kedo qe ju nderhyn ne hetime

Aktualitet

Dy ditë para largimit nga detyra si kryeprokurore, Arta Marku ka firmosur udhëzimin e fundit për pavarësinë e prokurorëve nga ndërhyrja e politikës në mbylljen e dosjeve, raportin e tyre me drejtuesin e organit të akuzës si dhe mënyrën e informimit për dosjet. Udhëzimi është firmosur nga Arta Marku në datën 4 dhjetor 2019, ndërsa me 6 dhjetor i ka dorëzuar detyrën kryeprokurorit të sapozgjedhur Olsian Çela. Përmes këtij udhëzimi, prokurorët urdhërohen që të refuzojnë çdo ndërhyrje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës si dhe të arrestojnë në flagrancë presonin që ndërhyn, duke përfshirë këtu deputetë, përfaqësues të qeverisë, medias apo të çdo person tjetër.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Prokurori në çdo rast që evidenton ndërhyrje ose ushtrim i ndikimit të paligjshëm, të papërshtatshëm apo në kundërshtim me ligjin ndaj tij, nga brenda sistemit të prokurorisë, apo nga përfaqësues të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, medias apo të çdo personi tjetër juridik a fizik apo subjekt i procedimit penal, menjëherë refuzon çdo ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të paligjshëm, merr çdo masë për të qenë dhe të duket jashtë çdo ndikimi dhe ushtron funksionet në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit. Prokurori, në këtë raste, kur janë kushtet ose kriteret ligjore, sipas rastit, menjëherë paraqet kallëzim penal dhe/ose kryhet arrestimi në flagrancë i personit që ushtron ndikim të paligjshëm, dhe njofton pa vonesë drejtuesin e Prokurorisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe/ose kryetarin e saj”, thuhet në udhëzim.

Udhëzimi parashikon gjithashtu që prokurorët duhet të ruajnë në çdo kohë nderin dhe dinjitetin e profesionin të tyre si dhe të sillen në mënyrë profesionale me drejtuesit e prokurorisë të të gjitha niveleve. “Respekti ndaj prokurorit më të lartë përbën një ndër normat kryesore etike, e cila lidhet me respektin ndaj ligjit dhe institucionit të prokurorisë. Prokurori duhet të respektojë etikën dhe ligjin gjatë komunikimit në marrëdhëniet me prokurorin më të lartë”, thuhet në udhëzim.

Sa i takon hetimeve, prokurorët, sipas udhëzimit të ish-kryeprokurores Arta Marku, kanë për detyrë që të informojnë drejtuesin e prokurorisë, sa herë që kërkohet prej këtij të fundit, lidhur me ecurinë e një hetimi të caktuar dhe me vendimmarrjen për një dosje, si dhe për raste të veçanta, për problemet që dalin gjatë hetimit. Prokurori gjithashtu njofton drejtuesin e prokurorisë në raste ku konstaton që ka konflikt interesi të tërthortë apo të drejtpërdrejtë në hetimin e një çështje.

ME TE LEXUARAT