Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Risi ne Reformen ne Drejtesi/ Miratohen per here te pare gjyqtaret e mediave

Janë miratuar për herë të parë gjyqtarët e mediave. Kjo vjen si një nga risitë e Reformës në Drejtësi. Këtë të martë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit zhvilloi mbledhjen ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, vendosi caktimin në pozicionin e Gjyqtarit për Mediat, gjyqtarët e mëposhtëm:

Vojsava Osmanaj – juridiksioni i Apelit Shkodër
Edlira Petri – juridiksioni i Apelit Tiranë
Desart Avdulaj – juridiksioni i Apelit Durrës
Klodiana Gjyzari – juridiksioni i Apelit Vlorë
Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë
Enton Dhimitri – juridiksioni i Apelit Gjirokastër
Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ
Saida Dollani – juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda / për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

KLGJ bën me dije se gjyqtarët për Mediat do të ushtrojnë detyrat në funksion të rritjes së transparencës në veprimtarinë gjyqësore, si një element i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe një garanci më tepër për një gjykim të drejtë.

“Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe të shihet që bëhet, e për këtë, transparenca, në mënyrë të veçantë karshi medias, është thelbësore.” thuhet ndër të tjera në njoftimin e KLGJ.

Nëpërmjet transparencës dhe informimit të publikut, gjyqësori do të mund të evidentojë vlerat e gjyqtarëve, të lehtësojë ndërveprimin me publikun e të forcojë besimin e publikut në të, si mbrojtës i interesit publik dhe i të drejtave e lirive themelore të individit.

Vendimi i sotëm konfirmon angazhimin e Këshillit për vendosjen e marrëdhënieve të mira me mediat, duke marrë masat për të lehtësuar realizimin e misionit të tyre sa më mirë.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor mban në konsideratë se komunikimi me mediat si një institucion social, për të qenë efektiv e në shërbim të drejtësisë, si komponent thelbësor për një shoqëri të lirë dhe demokratike, duhet të jetë sa më i përgjegjshëm dhe profesional. Këshilli njeh dhe kontribuon në lirinë e dhënies së informacionit të hapur dhe transparent për publikun, të shprehjes së lirë të mendimit dhe opinioneve, si themeli esencial i një shoqërie të hapur dhe demokratike, duke inkurajuar edhe formimin dhe shprehjen e mendimit të lirë kritik për vetë funksionimin e Këshillit dhe të sistemit gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor, në veçanti anëtari i caktuar për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun, do të bashkëpunojë ngushtësisht me Gjyqtarët e Medias për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun dhe mediat, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”

Leave A Reply

Your email address will not be published.