Vasili: Qeveria te heqe dore nga propaganda mbi procesin e verifikimit te ndertesave

Politikë

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ngre dyshime të forta mbi verifikimin e ndërtesave pas tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit. Në një postim në “Facebook”, Vasili e krahason verifikimin dhe dyshimet mbi dëmtimet me dyshimet dhe diagnozën e një mjeku.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ai i kërkon qeverisë të heqë dorë nga presioni politik dhe propagandistik mbi procesin e verifikimit të ndërtesave pasi qytetarët kërkojnë siguri dhe garanci të besueshme.

Sipas tij, qoftë edhe një dyshim më shumë dhe verifikimi i tij gjer në fund është një mbrojtje më shumë për qytetarët dhe garanci për ato ambiente ku ata jetojnë apo frekuentojnë.

Vasili thekson se një ekspertizë sipërfaqësore e imponuar, që nuk shteron çdo paqartësi dhe peng i propagandës qeveritare është thjesht rrezik më shumë dhe një garanci më pak për jetën e qytetarëve.

POSTIMI I VASILIT

Më mirë një dyshim më shumë se sa një miratim i përciptë vrastar!!

Tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit ishin një sprovë tepër e dhimbshme për qytetarët dhe një sfidë e humbur keqas për qeverinë. Qeveria u tregua tërësisht e paaftë, e ç’organizuar dhe si peng i dimensionit vetëm propagandistik të saj, ajo mbeti në bisht të situatës.

Por sot qytetarët kërkojnë më fort se kurrë nga qeveria përgjigje konkrete, profesionale dhe garantuese lidhur me banesat e tyre dhe veçanërisht me objektet e përdorimit masiv si shkolla, spitale, kopshte, çerdhe, godina universitetesh, hotele, salla kuluturore etj.

Shpesh ç’organizimi i qeverisë dhe demagogjia e saj për gjoja marrjen e situatës nën kontroll ka bërë që në terren të shfaqet një papërgjegjshmëri me potencial vrastar.

Kjo shfaqet në raportet teknike të kundërta brenda një kohë të shkurtër, verifikime të sipërfaqshme dhe si të tilla aspak garantuese, por përkundrazi çorientuese, të cilat nuk kanë kursyer as shkollat dhe spitalet.

Pa asnjë diskutim një sjellje e tillë e papërgjegjshme sjell një rrezikshmëri tepër të lartë për jetën e njerëzve dhe i streson ata akoma më shumë në një moment kur ata kanë nevojë më shumë se kurrë për qetësi.

Sot një dyshim më shumë dhe verifikimi i tij deri në fund është shumë më pozitive dhe parandaluese e dramave të mundshme për njerëzit se sa një verifikim i përciptë pseudooptimist, që u rrezikon jetën qytetarëve.

Logjika e dyshimit të fortë gjatë verifikimit inxhinierik të strukturave ndërtimore është e vetmja logjike e shëndetshme për garantimin e sigurisë së tyre. Verifikimi inxhinierik është praktikisht diagnoza e shëndetit të ndërtesës dhe si çdo diagnozë kërkon kohe dhe instrumente teknike të besueshëm dhe profesionalë.

Ashtu siç nuk ka dy të sëmurë të njëllojtë po ashtu nuk ka dy ndërtesa të njëjta.

Pasi çdo ndërtesë ka historinë e saj, që është e ndryshme nga çdo ndërtesë tjetër, ndaj edhe diagnoza e saktë e shëndetit të ndërtesës nuk është aspak e lehtë.

Ashtu si në mjekësi ku dyshimi udhëheq diagnozën dhe mbron shëndetin e njerëzve, pasi moskonstatimi i një sëmundjeje të fshehur mund të marrë jetën e një të sëmuri.

Po ashtu edhe verifikimi i ndërtesave nëse nuk verifikon çdo dyshim, nëse nuk zbulon deri në fund dëmtimet, shkallën e këtyre dëmtimeve dhe rolin e tyre në sigurinë e ndërtesës, mund të jetë pastaj me pasoja vrastare për njerëzit.

Ndaj qeveria duhet të heqë dorë nga presioni politik dhe propagandistik mbi procesin teknik të verifikimit të ndërtesave. Sjelljet imponuese, arrogante dhe të rrezikshme të kryeministrit e ministrave paditur dhe mediokër të tij duhet të marrin fund. Qytetarët kërkojnë siguri dhe garanci të besueshme.

Ndaj qoftë edhe një dyshim më shumë dhe verifikimi i tij gjer në fund është një mbrojtje më shumë për qytetarët dhe garanci për ato ambiente ku ata jetojnë apo frekuentojnë. Ndërsa një ekspertizë sipërfaqësore e imponuar, që nuk shteron çdo paqartësi dhe peng i propagandës qeveritare është thjesht rrezik më shumë dhe një garanci më pak për jetën e qytetarëve.

Shihni edhe akte verifikimi kontradiktore që nuk kane kursyer as shkollat si psh. “Emin Duraku”, “Faik Konica” në Tiranë.

 

ME TE LEXUARAT