“Ta gëzosh!”/ Hyri në perimetrin e sigurisë dhe rrezikoi pushuesit, reagon Lamallari: Provoje përsëri të bësh aventura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër pas rastit të evidentuar në Dhërmi, ku një mjet lundrues hyri në perimetrin e sigurisë së pushuesve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve në plazh.
Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj personave që shkelin rregullat e sigurisë në vijën bregdetare dhe cenojnë qetësinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.
“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla”, u shpreh ministri.
Sipas tij, strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në monitorim të pandërprerë të të gjithë vijës bregdetare, nga veriu në jug të vendit, për të parandaluar shkeljet dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.
Lamallari bëri të ditur se Njësia e Posaçme Detare e Policisë së Shtetit do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme nga Velipoja deri në Ksamil, me fokus identifikimin dhe ndëshkimin e çdo mjeti lundrues që futet në hapësirat e ndaluara apo krijon rrezik për qytetarët në plazhe.
Ministri e sheh rastin më të fundit në Dhërmi si një tjetër sinjal të forcimit të masave të sigurisë gjatë sezonit veror, ku autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të shtuara në det dhe ndëshkime të forta për çdo shkelje të rregullave të lundrimit.


