"Autori afrohet pranë kantierit dhe ..."/ Detaje nga shpërthimi në Kamëz. Pronarët e pallatit mohojnë konfliktet

Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi i dyshuar me lëndë plasëse që është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në Kamëz.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40, në bulevardin “Nënë Tereza”, në pjesën e jashtme të rrethimit të një kantieri ndërtimi.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale dhe fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, autori dyshohet se është afruar i vetëm pranë kantierit, ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar me një motoçikletë nga vendi i ngjarjes.
Burime paraprake dyshojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt të mundshëm mes palëve pronare të objektit në ndërtim, ndonëse këta të fundit kanë deklaruar se nuk kanë asnjë problem me askënd.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes


