I shpallur në kërkim për zjarrin në tregun e fruta-perimeve në Lushnje, arrestohet 48-vjeçari

Aktualitet

I shpallur në kërkim për zjarrin në tregun e fruta-perimeve

Policia e Lushnjës ka vënë në pranga 48-vjeçarin e dyshuar si autor i zjarrit që përfshiu tregun e fruta-perimeve në qytet dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Ç., 48 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim.

Nga hetimet rezulton se më 19 maj 2026, gjatë orëve të para të mëngjesit, ai dyshohet se i vuri zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë dhe më pas u largua drejt Durrësit për t’iu shmangur policisë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se 48-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në Lushnjë, të cilën e kishte përdorur për lëvizjet e tij në qytet disa ditë para ngjarjes. Biçikleta është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.

Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë është konstatuar se pranë të dyshuarit shfaqet edhe një person tjetër, por deri në këtë fazë të hetimeve ai nuk rezulton i përfshirë në zjarrvënie.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë kanë pasur rol në këtë rast.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”.

Njoftimi i policisë:

Lushnjë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Zjarrvënësi”.

Kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve, ku u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe veprimeve intensive për lokalizimin e autorit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Zjarrvënësi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Ç., 48 vjeç, banues në Durrës, i shpallur më parë në kërkim policor.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, më datë 19.05.2026, gjatë orëve të para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, në qytetin e Lushnjës, dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke u fshehur në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në qytetin e Lushnjës, të cilën e ka përdorur për të lëvizur në qytet, dy ditë para ngjarjes së ndodhur. Biçikleta u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, së bashku me shtetasin K. Ç., shfaqet edhe një person tjetër, i cili, bazuar në hetimet e deritanishme, nuk rezulton të jetë i implikuar në zjarrvënie.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore të thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit K. Ç.

ME TE LEXUARAT