Rrëfimi i Erjon Alibejt / Prapaskenat e bashkëpunimit me SPAK dhe përplasjet me Talo Çelën

Aktualitet

Rrëfimi i Erjon Alibejt / Prapaskenat e bashkëpunimit me SPAK dhe

Tiranë, 24 Maj – Një tjetër dëshmi ekskluzive e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha ka zbardhur pjesë nga rrëfimi i Erjon Alibejt, një prej 12 bashkëpunëtorëve aktualë të drejtësisë, i cili ka vendosur të zbërthejë skemat e krimit të organizuar në Shqipëri. Në dëshminë e tij, Alibej tregon komunikimet sekrete përmes aplikacioneve dhe ndjekjen e organizuar ndaj rivalit të tij, Talo Çela, pas vrasjeve të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.

Sipas deklaratës së Alibejt, i gjithë fokusi i grupit ishte lokalizimi i Talo Çelës. Ai shpjegon se informacioni kryesor sigurohej nga Nuredin Dumani, i cili kryente takime në Durrës dhe po përgatiste një strukturë goditëse me personazhe të njohur nga zona e Fushë-Krujës. "Nuredini u fokusua tek ambienti ku supozohej se ishte Talo Çela… është angazhuar për të qenë i përgatitur med çunat e Fushë-Krujës", ka deklaruar Alibej, duke përshkruar vëzhgimet e rrepta që i bëheshin shënjestrës.

Procesi kompleks i "cross-examination" nga SPAK

Prokurorja e Posaçme, Doloreza Musabelliu, e cila ka dorëzuar në gjykatë gjashtë të penduar (përfshirë Nuredin Dumanin, Erjon Alibejn, Skerdi Tasin dhe Ernejt Shytin), ka sqaruar se marrja e statusit të bashkëpunëtorit nuk është një proces i thjeshtë. Ajo theksoi se prokuroria aplikon një kontroll të rreptë (cross-examination) për të shmangur deklaratat e rreme për interesa personale.

Musabelliu solli në vëmendje se dëshmitarëve u revokohet statusi nëse zbulohet se mbajnë rezerva apo fshehin të vërtetën për miqtë e tyre, siç ka ndodhur tashmë me Klevis Allan dhe Henrik Hoxhajn. Në këmbim të dëshmive të plota pa rezerva, të penduarit përfitojnë ulje të konsiderueshme dënimi, ku për vepra të rënda si vrasja mund të dënohen deri në shtatë vjet burg, duke iu shmangur burgimit të përjetshëm apo dënimeve me 35 vjet.

Kritikat e gjyqësorit për legjislacionin aktual

Nga ana tjetër, Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Florjan Kalaja, ka shprehur rezerva për mënyrën se si është zhvilluar legjislacioni shqiptar krahasuar me vendet europiane. Sipas tij, ligji aktual nuk është mjaftueshëm koheziv dhe krijon penalizime të automatizuara që prekin edhe bashkëpunëtorët, siç janë ndalimet për lirimin me kusht të recidivistëve. Kalaja sugjeron se formula e privilegjeve duhet të jetë më e larmishme dhe se rekrutimi i të penduarve duhet të lehtësohet në çdo fazë të gjykimit, përfshirë edhe shkallën e apelit apo pas dhënies së dënimit formë të prerë. TCH

ME TE LEXUARAT