Turistët sfidojnë Ramën: I bashkohen protestave për Nartën, ekspertët mohojnë anulimet e rezervimeve

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat kundër projektit turistik në Nartë po dëmtojnë turizmin dhe kanë sjellë anulimet e para të rezervimeve, dëshmitë e turistëve të huaj dhe ekspertëve të sektorit tregojnë një panoramë tjetër.
Protestat kanë tërhequr jo vetëm qytetarë shqiptarë, por edhe vizitorë të huaj, të cilët janë bërë pjesë aktive e tubimeve dhe kanë ndarë përvojat e tyre në rrjetet sociale, duke i dhënë jehonë ndërkombëtare kauzës për mbrojtjen e mjedisit.
Një nga rastet më të komentuara është ai i Gabriel Bolling, një 22-vjeçar amerikan nga Florida, videoja e të cilit mes protestuesve në Tiranë u pa qindra mijëra herë brenda pak orësh. Ai e përshkroi pjesëmarrjen në protestë si një përvojë frymëzuese dhe një shembull të fuqisë së angazhimit qytetar.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Brett Pavel, një turist 74-vjeçar nga Kolorado, i cili gjatë pushimeve në Shqipëri iu bashkua protestës në Durrës me pankartën “Shpëtoni Nartën”. Sipas tij, mbrojtja e pasurive natyrore dhe e interesit publik është një kauzë që meriton mbështetje.
Ndërkohë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit të turizmit hedhin poshtë pretendimet për ndikim negativ të protestave në rezervime. Sipas tyre, deri tani nuk ka pasur anulime dhe as ndonjë efekt të dukshëm në fluksin turistik, ndërsa prania e turistëve të huaj në protesta ka krijuar një atmosferë pozitive dhe ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.
Ekspertët vlerësojnë se jehona që protestat kanë marrë në mediat sociale dhe në mediat e huaja mund të ndikojë pozitivisht në imazhin e Shqipërisë, duke e promovuar vendin si një destinacion që tërheq jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për angazhimin qytetar në mbrojtje të mjedisit.
Debati mbi efektet reale të protestave mbetet i hapur, por deri më tani nuk raportohen shenja konkrete që mbështesin pretendimet për ndikim negativ në sezonin turistik.
Video e Gabriel Bolling:https://www.instagram.com/reel/DZTB1gLxzX5/?igsh=MWM3bjRjMjQ5YnhndA==