Zyrtarët amerikanë: Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit nuk do të nënshkruhet sot

Shtetet e Bashkurara dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje paqeje, njoftoi presidenti Donald Trump. Sipas mediave ajo do të quhet "Deklarata e Islamabadit" dhe mund të përfshijë rihapjen graduale, pa taksa të Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Iranit.
Por Teherani thotë se asnjë vendim nuk do të merret pa autorizimin e liderit suprem Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë telefonike me ABC Neës se arritja e një marrëveshjeje me Iranin varet tërësisht nga ai teksa theksoi se nuk do të "bëjë marrëveshje të këqija".
Për Teheranin ende mungon dakordësia për disa pika dhe nëse SHBA vazhdon të krijojë pengesa do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Sipas burimeve të afërta me negociatat, drafti i memorandumit të mirëkuptimit parashikon fundin gradual të armiqësive mes SHBA-së dhe Iranit, rihapjen e pjesshme të Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve amerikane ndaj Teheranit. Marrëveshja do të përfshinte gjithashtu zhbllokimin e disa aseteve iraniane të ngrira në banka jashtë vendit.
CNN shkruan se marrëveshja pritet të zbatohet në dy faza. Në fazën e parë, Irani do të rikthejë trafikun detar në nivelet para konfliktit dhe do të japë garanci se nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore. Në këmbim, Teheranit do t’i lejohet të rifillojë eksportet e naftës dhe karburantit.
Faza e dytë, që mund të zgjasë nga 30 deri në 60 ditë, do të fokusohet në negociata më të thelluara mbi programin bërthamor iranian dhe çështje të tjera strategjike, përfshirë rezervat e uraniumit të pasuruar të Teheranit.
Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, përgëzoi Trumpin për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për paqe”, dhe konfirmoi se presidenti amerikan kishte patur biseda telefonike me liderë të vendeve të Gjirit, Turqisë, Egjiptit, Jordanisë dhe Pakistanit, ku u diskutua situata rajonale dhe përpjekjet për arritjen e paqes.
Presidenti amerikan zhvilloi gjithashtu një telefonatë të veçantë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Burime izraelite thanë se Tel Avivi mbetet i shqetësuar se një marrëveshje e përkohshme mund të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit pa adresuar plotësisht programin bërthamor dhe rezervat e uraniumit të pasuruar.
Nënshkrimi i marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit nuk do të ndodhë sot.
Kështu kanë deklaruar disa zyrtarë amerikanë të cituar nga Bloomberg. Sipas burimeve, ata më pas e përshkruan sistemin iranian si "shumë të ngadaltë dhe të errët".


