VIDEO/ Pamje nga Parku Kombëtar Lurë–Mali i Dejës: "Një nga thesaret më të bukura natyrore të Shqipërisë"

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Parku Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, duke e cilësuar këtë zonë si një prej pasurive më të vyera natyrore të Shqipërisë dhe një destinacion me potencial të lartë për turizmin e qëndrueshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga parku, duke nxjerrë në pah bukuritë e rralla natyrore që ofron kjo zonë e mbrojtur në veri të vendit.
“Një nga thesaret më të bukura natyrore të Shqipërisë, nga liqenet akullnajore, tek pyjet dhe peizazhet e rralla”, shkroi Kryeministri.
Parku Kombëtar Lurë–Mali i Dejës shtrihet në një nga zonat më të pasura për biodiversitet në vend dhe përfaqëson një nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore shqiptare.
I njohur për liqenet akullnajore të Lurës, pyjet e dendura të ahut e pishës dhe relievin alpin, parku tërheq çdo vit vizitorë vendas dhe të huaj, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Zona është konsideruar prej vitesh një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit natyror në Shqipëri, ndërsa investimet e kryera në infrastrukturë dhe promovimi i vazhdueshëm synojnë ta kthejnë atë në një pikë referimi për turizmin malor dhe aventurën në natyrë.


