Pasojat e ekspozimit të tepërt të fëmijëve në telefona

Soft

Pasojat e ekspozimit të tepërt të fëmijëve në

Fëmijë që nuk ushqehen pa telefona para vetes, që nuk shtrihen për të fjetur pa luajtur edhe një herë lojën e preferuar në telefon?

Këto dhe raste të ngjashme mund t’i keni parë apo dëgjuar të paktën një herë në jetë.

Ndonëse edhe Arjeta Berisha ka hasur në diçka të tillë, prapëseprapë ajo është ndier e detyruar që t’i pajisë dy fëmijët e saj me nga një tablet, pasi, sipas saj, ata kanë qenë të paragjykuar nga moshatarët e tyre për mosposedim të ndonjë pajisjeje teknologjike.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Megjithatë, vajza e saj, Dia, tetë vjeçe, dhe djali, Roni, shtatë vjeç, e kanë kohën e caktuar kur mund t’i përdorin këto pajisje teknologjike: një orë e gjysmë, eventualisht dy, përgjatë fundjavës.

Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë se bashkë me bashkëshortin e saj, Ardin, kanë qasje të plotë në pajisjet e fëmijëve të tyre.

“E kemi rregull në familje që sa janë në shkollë, fëmijëve nuk u lejohet të përdorin tabletin, përveç të shtunave, apo të dielave, nga një orë e gjysmë apo dy në ditë. Gjatë pushimeve verore e kemi zgjatur orarin e përdorimit të tyre. Ata nuk mund të instalojnë, apo të shohin diçka pa miratimin tonë”, ka thënë Arjeta, e cila ka një punë me orar të plotë në një kompani në Prishtinë.

E pyetur se si ia ka dalë që të krijojë një sistem të tillë – marrë parasysh argumentet e prindërve se jeta është shumë dinamike dhe me plot angazhime ditore – ajo e ka përmendur si çelës angazhimin e fëmijëve në sa më shumë aktivitete.

“Fati im është që ata janë në qëndrim ditor dhe aty nuk kanë qasje në teknologji. Kanë detyra, unë i marr në shtëpi në orën 17:30, kur e përfundoj orarin e punës. Zakonisht i angazhoj diçka që të më ndihmojnë rreth punëve të shtëpisë, derisa përgatis diçka, që të shtrojmë tavolinën dhe aty i kalojmë dy orë të mira. Dy orë tjera i pyes se çfarë kanë bërë gjatë ditës. Mirëpo nuk do të thotë që çdo ditë e kemi këtë orar”, duke përmendur edhe ecjet në natyrë, sidomos gjatë verës.

Vështirësitë në përqendrim dhe komunikim
Psikologu, Dorjan Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekspozimi i tepërt para pajisjeve teknologjike mund t’i lë fëmijët me mungesa në zhvillim.

“Shumica e skemave kognitive, ose lidhjeve mes neuroneve, krijohen nga zero deri në dy vjet, dhe nëse këtë kohë fëmija e kalon duke mos u stimuluar nga rrethi i tij që të zhvillohet, mirëpo kohën e kalon në telefon apo në pajisje tjera, kjo tregon që rrezikshmëria është më e madhe, sepse fëmija zhvillon vetëm ato aftësi që i sheh përmes telefonit, e socializimi nuk vjen shumë nga telefoni. Nga këto pajisje e marrim vetëm komunikimin pranues dhe jo atë ekspresiv, prandaj nuk është se fëmijët nxjerrin tinguj apo nxjerrin fjalë duke biseduar me telefonin”.

Vështirësitë në përqendrim dhe ato në komunikim janë në mesin e rreziqeve kyçe që përmend Krasniqi.

“Mund të kenë vështirësi në formimin e saktë të fjalëve dhe fjalive. Ndoshta do të bëhen të rritur që fjalitë do t’i kenë të shkurta, ose komunikimin do ta kenë të mangët.

Ai u sugjeron prindërve që përveç kufizimit të qasjes në pajisje të mençura, të shmangin ekspozimin në këto pajisje në orët e natës, për të shmangur gjumin jo të qetë të fëmijëve të tyre.

“Mekanizmat mbrojtës të prindërve shpesh na thonë se është e vështirë që fëmijëve t’iu ndalohet telefoni. Unë sugjeroj që fëmijëve t’iu kushtohet vëmendje se çfarë ata po shohin dhe çfarë orari kanë”.

Edhe sociologu, Artan Krasniqi beson se kontrolli përmbajtjesor e tejkalon për nga rëndësia kontrollin mbi baza kohore.

“Në këtë aspekt jam shumë i shqetësuar, sepse edukimi medial, në përgjithësi në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar, në mënyrë që prindërit të kenë mundësi që të kenë kontroll përmbajtjesor të produkteve mediale që fëmijët i ndjekin në telefonat e mençur”.

Përgjatë një bisede të zhvilluar me Radion Evropa e Lirë, ai ka përmendur edhe rëndësinë që prindërit të jenë shembuj për fëmijët e tyre.

“Kur fëmijët janë të angazhuar bashkë me prindërit në aktivitete të ndryshme, as prindërit e as fëmijët nuk do të kenë kohë për pajisje teknologjike. Fëmijët janë qeniet që më së lehti i kopjojnë sjelljet e idolave të tyre. Në këtë rast, idolat e parë të fëmijëve janë prindërit e tyre dhe ata kopjojnë maksimalisht sjelljet, veprimet, gjestet, po edhe rutinën, të cilën e shohin te prindërit brenda shtëpisë. Nëse i lëmë për kohë të gjatë para telefonave, ata do të kopjojnë sjelljet e idolave që krijojnë brenda teknologjive, e që shpesh kanë përmbajtje të dhunshme”

ME TE LEXUARAT