E qëlluan në Selitë, si u ndoq Arben Bilali 15 minuta nëpër Tiranë

Aktualitet

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e ish-policit Arben Bilali në Tiranë

Eshtë mësuar se Arben Bilali është ndjekur për më shumë se 15 minuta nga atentatorët. Bilali ka qenë bashkë me një mikun e tij dhe po lëvizte me një makinë në Tiranë.


Nga ura e Vasil Shantos deri në Selitë, një makinë Mercedez-Benz ka ndjekur 50-vjeçarin, i cili ishte në vendin e pasagjerit në makinën e mikut të tij.

Sapo Arben Bilali ka dalë nga makina pranë banesës së tij, një person ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Më shumë se 15 të shtëna janë dëgjuar nga miku i Arben Bilalit. Plumbat kanë kapur vetëm 50-vjeçarin, shoku i tij i ka shpëtuar breshërisë. Policia dyshon se atentatorët kanë patur dijeni për lëvizjet e Arben Bilalit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Makina e tyre ishte me targa të falsifikuara. Policia ka sekuestruar më shumë se 30 kamera sigurie që tregojnë dinamikën e ndjekjes së Arben Bilalit, ndërsa në vendin e ngjarjes një kamera sigurie ka filmuar skenën e ekzekutimit.

Atentatorët nuk kanë dalë nga makina dhe ishin të maskuar, për t’i shpëtuar identifikimit.

Prej 9 vitesh Arben Bilali i ruhej atentatit. Në banesën e tij nga të gjitha anët ishin të instaluara kamera sigurie. Arbeni dilte rrallë, për të mos thënë fare, prandaj hetuesit dyshojnë se 50-vjeçari mund të jetë tradhëtuar nga dikush, i cili ka dhënë informacion për lëvizjen.

Fqinjët u shprehën për Gazetën Mapo se Bilalin nuk e shihnin kurrë të dilte nga banesa.

“Edhe në raste vdekjesh nuk ka dalë nga banesa. Ai ruhej dhe për këtë arsye qendronte brenda pasi i trembej një hakmarrje”, – u shprehën banorët për “Mapo”.

Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja. Dyshohet se Arben Bilali ka qënë i përfshirë në disa ngjarje dhe konflikti me një grup kriminal në zonën e Yzbershitit mendohet se është motivi i vrasjes.

Deri më tani Policia nuk ka prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

ME TE LEXUARAT