Flamuri i Kosovës edhe në Rusi, Kinë e Argjentinë

Soft

kosNë rreth pesëdhjetë vende të ndryshme të botës, njerëzit kanë bërë fotografi me flamurin e Kosovës, të cilat i kanë postuar më pas nëpër rrjete sociale.

Platforma KosovoDiaspora.org i ka ftuar njerëzit të marrin me vete flamurin kosovar në udhëtime turistike, studimore, apo të biznesit dhe të bëhen pjesë e kampanjës #KosovoEverywhere.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kjo mundësoi që Kosova të shfaqet edhe në vendet si Rusia, Kina, Izraeli, Afganistani dhe Serbia.

Fotot e realizuara nga pjesëmarrësit në këtë kampanjë virtuale janë shpërndarë përmes rrjeteve sociale si: Twitter, Facebook dhe Instagram.

“Shqiptarët nëpër botë e morën flamurin e Kosovës në valixhet e tyre ose e shtypën atë në letër. Ata bënë ‘selfie’ në qytete dhe parqe ku kishin rastin të ndaleshin për vizita. Disa arritën të bëjnë foto me njerëzit lokal me flamurin tonë në dorë, madje edhe në vendet që nuk e njohin ende Republikën e Kosovës”, shpjegon Kanarina Shehu, koordinatore e KosovoDiaspora.org.

Të gjitha fotografitë janë të përfshira në këtë album online: bit.ly/KosovoEverywhere.

Fituesit e çmimit të #KosovoEverywhere

Juria e Kosovo Diaspora ka përzgjedhur tri fotografitë e preferuara. Foto fituese është realizuar në Kazakistan - një vend që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës ende. Çmimi i dytë shkon te një grup të rinjsh në një tjetër vend që nuk e njeh Kosovën, Bangladesh. Ndërsa çmimi i tretë shkon te një foto e realizuar në Malet Rocky në Amerikën Veriore. Të tre fituesit do të marrin nga një çmim.

Në mesin e tetë anëtarëve të jurisë ishin fotografët profesional Kosovarë: Bujar Gashi, Shkëlzen Rexha and Korab Basha.

“Edhe pse kampanja është përmbyllur zyrtarisht, i ftojmë njerëzit të vazhdojnë të shfaqin flamurin e Kosovës nëpër botë. Ne do të vazhdojmë të vendosim çdo foto të postuar në albumin tonë online,” thotë Kanarina Shehu.

“Fuqia e diplomacisë digjitale duhet të vihet në funksion nga Shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo kampanjë është një mënyrë e lehtë dhe miqësore për t’i treguar botës se Kosova është gjithkund”, thekson ajo.

Kosovo Diaspora synon fuqizimin e lidhjeve të diasporës me atdheun dhe anasjelltas. Qëllimi i saj, mes tjerash, është vënia në pah dhe promovimi i të arriturave të individëve, grupeve dhe  organizatave që kanë të bëjnë me Kosovën.

ME TE LEXUARAT