Thaçi për The Telegraph: Emigrimi masiv në Gjermani, prej mashtrimeve për leje qëndrimi

Kosovë&Rajon

thaciiiiE përditshmja e njohur britanike “The Telegraph” ka realizuar një intervistë me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi.

Shefi i diplomacisë kosovare nënvizoi se Kosova vuajti nga kriza e emigrimit masiv në fillim të këtij viti, kur në janar dhe shkurt 50,000 njerëz lëshuan vendin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se kjo ngjau për shkak të gënjeshtrave që po përhapeshin sipas të cilave Gjermania po jepte lejeqëndrim, dhe se numri i azilkërkuesve kosovarë në Gjermani ka rënë në 13,000 në mars dhe në 800 në korrik, transmeton lajmi.net.

Më tej Thaçi rithekson se anëtarësimi i Kosovës në BE do të frenojë edhe më shumë numrin e atyre që braktisin vendin: anëtarësimi do të sjellë mundësimi në Kosovë, dhe do të ndikojë që kosovarët të ndihen se ata janë “pjesë e familjes”.

Duke folur për valën e emigrantëve nga Lindja e Mesme, Thaçi tha se Ballkani është pjesë e zgjidhjes, dhe jo e problemit të emigrantëve.

Derisa Hungaria po regjistron një rekord të ri të valës së emigrantëve, zëvendëskryeministri Thaçi rrëfeu për The Telegraph arsyet pse Samiti i kancelares gjermane Angela Merkel është i rëndësishëm në raport me çështjen e emigrantëve.

Ky samit ka mbledhur liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë që, mes tjerash, të trajtojnë bashkërisht këtë problem.

Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me “sfida të jashtëzakonshme” për t’u dalë ballë dhjetëra mijëra emigrantëve që po orvaten të hyjnë në shtetet e BE-së, është shprehur Angela Merkel dje në Austri.

Dhe Hashim Thaçi i tha mediumit britanik se shteti i tij i vogël – më i varfëri dhe më i riu në Evropë – është i vendosur për të ndihmuar në këtë drejtim.

“Si udhëheqës politik i një ish-force guerile, ndjej vetëm dhimbje kur t’i shoh njerëzit duke ikur nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën”, tha zëvendëskryeministri Thaçi, i cili ishte një nga udhëheqësit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shtoi se emigrantët druajnë se do të mbeten të izoluar apo të lënë në fatin e tyre, të vetëm në atdheun e tyre.

Thaçi theksoi se në të njëjtën kohë, problemet e mëdha botërore kërkojnë zgjidhje të mëdha globale dhe se kosovarët mund të jenë pjesë e zgjidhjes.

Më 1999, BE ishte feneri i të drejtave të njeriut në Kosovë. Ne së bashku me BE-në do të jemi fenerë për emigrantët nga të gjitha vendet.

I pari i diplomacisë kosovare tha se është e domosdoshme që Evropa të ketë një qasje të unifikuar dhe se, shteti i tij, i lindur më 2008, pas vendimit të Tony Blair dhe Bill Clinton për të bombarduar Serbinë deri në largimin e saj më 1999, do të ndihmojë.

Por, ai paralajmëroi se Evropa rrezikon që të humbasë zemrën e saj në rast se mbizotërojnë përpjekje për të mbajtur emigrantët jashtë.

“Gjatë luftërave të Ballkanit, Evropa ishte feneri i të drejtave të njeriut që ne të gjithë i ëndërruam. Tani është krijuar mjegull rreth atij feneri. Ne duhet të bëjmë më shumë për të pastruar atë”, tha Thaçi.

Ai theksoi se zgjidhja është shumëdimensionale – kërkon zhvillimin e shteteve të origjinës së emigrantëve, që ata të mund të shpresojnë për një ekzistencë dinjitoze në vendet e origjinës, dhe puna e përbashkët ne të gjithë BE-në për hartimin e strategjive për trajtimin e emigrimit të paligjshëm.

Hungaria sapo ka njoftuar se ka regjistruar një numër rekord të emigrantëve në vend – me 3,241 të tillë të arrestuar.

Një total prej 2,533 prej tyre janë mbajtur nga policia të martën, dhe 2093 të tjerë një ditë më herët. Gati 145,000 emigrantë janë arrestuar nga policia në Hungaria gjatë këtij viti, deri më tani, mbi tre herë më shumë se gjatë gjithë vitit 2014.

Kosova pjesë e koalicionit global kundër ekstremizmit radikal

Zëvendëskryeministri Thaçi i tha për të përditshmen britanike se “ne jemi një familje e madhe e kombeve, me tregje dhe vlera të mëdha. Së bashku ne mund të luftojmë nacionalizmin dhe elementet radikalë”.

The Telegraph raportoi së fundi se Kosova kishte shënuar një rritje të numrit të të rinjve që po linin vendin për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Së këndejmi, Thaçi potencoi se ”është një rrugë e gjatë, por jam krejtësisht i bindur se Kosova do ta arrijë atë me sukses”.

Ai tha se Kosova do të anëtarësohet në NATO brenda pesë viteve të ardhshme, dhe se në vitet e para të dekadës së ardhshme do t’i bashkohet BE-së dhe OKB-së. Dështimi i OKB-së për të njohur Kosovën – tani që shtetin kosovar e kanë njohur 111 nga 193 e shteteve anëtare – përbën një burim të vazhdueshëm të zemërimit në vend.

Për më tepër, zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova është e pavarur falënderuar mbështetjes së SHBA-së dhe BE-së, por që vendi nuk duhet të lejojë që lodhja dhe krizat e vazhdueshme në rajone të tjera të botës të na pengojë në atë që po punon të arrijë. Ai shtoi se rajoni ka nevojë për investime, ndërsa BE-ja duhet të përmbushë zotimet ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Gazeta britanike ka shkruar se të mërkurën që shkoi u nënshkruan një sërë marrëveshjesh “historike” me Serbinë, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.

“Rezultati pasqyron arritjet historike në procesin e normalizimit”, ka thënë Federica Mogherini, shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, në një deklaratë duke iu referuar dy palëve që luftuan njëra-tjetrën në vitet e nëntëdhjeta dhe të cilat synojnë anëtarësimin në BE.

Kodi shtetëror telefonik, një hap më shumë drejt njohjes së Kosovës nga Serbia

Kosova do të ketë kodin e saj shtetëror telefonik, që përbën në thelb një njohje të sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, pohon The Telegraph.

Shpresat e Serbisë për hapjen e kapitullit të parë në bisedimet për procesin e anëtarësimit në BE varen nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2013 të ndërmjetësuar nga BE për rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Por, një javë para nënshkrimit të marrëveshjes, Kosova njoftoi se një Gjykatë Speciale do të krijohej për të hetuar krimet e luftës të kryera gjatë luftës për pavarësi, luftë në të cilën u vranë 10,000 njerëz.

Gjykata e re do të jetë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por procedurat do të trajtohen jashtë vendit dhe, sipas raportimeve të fundit, në Holandë.

I pyetur për raportet mes Serbisë dhe Kosovës, zëvendëskryeministri Thaçi përsëriti se “ne nuk mund të harrojmë gjenocidin e kryer nga një regjim i ndyrë. Dhe dua të ritheksoj se për hir të drejtësisë, ne kurrë nuk do të mund të barazojmë kriminelët me viktimat”.

Mirëpo, Thaçi shtoi tha se kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të shohim nga e ardhmja.

“Serbia tani e di se Kosova është një shtet i pavarur. Ne kemi një rol për të luajtur në botë”, përfundoi Thaçi.

ME TE LEXUARAT