Bashkia e Tiranës dhe e Veronës marrëveshje për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve

Aktualitet

erjon veliajBashkia e Tiranes ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Veronës për krijimin e një ndërmarrje publike, e cila do të bëjë grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve. Përmes kësaj marrëveshje të firmosur nga kryebashkiaku, Erion Veliaj dhe homologu tij, Flavio Tosi, Bashkia e Tiranës do të marrë nga institucionet e qeverisjes vendore në Veronë eksperiencën e mirë për pastrimin e qytetit.

“Më vjen mirë që nënshkruajmë një marrëveshje mirëkuptimi me Bashkinë e Veronës, për të nisur për herë të parë një ndërmarrje publike midis Bashkisë së Veronës dhe Bashkisë së Tiranës, për grumbullimin e mbetjeve në Tiranë dhe për të sjellë një mënyrë të re, moderne dhe transparente të menaxhimit të aseteve publike nga ente publike, siç janë dy bashkitë tona”, deklaroi Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se Verona është një ndër bashkitë model në Europë që i pastron dhe i menaxhon vetë mbeturinat e qytetit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Duke filluar nga muaji i shkurt ose mars, një ndërmarrje publike e Bashkisë së Tiranës dhe Veronës do të kryejnë menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimit të pjesës qendrore të Tiranës, duke futur edhe konceptin e riciklimit dhe ndarjes në burim të mbetjeve”, u shpreh Veliaj. Ai tha se përmes këtij menaxhimi do të nisë një kulturë e re, ku publikja nuk do të shihet më si diçka që menaxhohet keq.

“Në Bashkinë e Tiranës e nisëm punën tonë duke u fokusuar te pastërtia dhe pastrimi i qytetit. Ndaj, duke qenë krenarë për çfarë kemi arritur me pastrimin e qytetit, nuk besoj se ka mënyrë më të mirë për të thënë se ambicia jonë është shumë më e lartë nga ç’kemi arritur deri sot. E duam Tiranën qytetin më të pastër në rajon”, tha Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, i cili rikthehet për herë të dytë në kryeqytetin e Shqipërisë, tha se në këto katër muaj Tirana është më e rregullt dhe më e organizuar se më parë. “Kam ardhur edhe vitin e kaluar dhe sot më jep edhe më shumë përshtypjen e një qyteti të gjallë, në rritje. Është bukur të shikosh një qytet, i cili është dukshëm në rritje, ndaj ju përgëzoj sepse që tani shihet një qytet më i rregullt dhe më i organizuar se disa muaj më parë. Duket qartë që dora e kryebashkiakut është një ‘dorë’ efikase, ndaj ju përgëzoj!”, tha Tosi.

ME TE LEXUARAT