Rritje pagash për punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit, ja sa persona do të përfitojnë

Aktualitet

Rreth 5 mijë punonjës në industrinë e naftës dhe të gazit, pritet të përfitojnë nga projektligji i dorëzuar në Kuvend për statusin e tyre. Përfitues të projektligjit janë rreth 5 mijë punonjës dhe ish-punonjës të sektorit të naftës. Në propozimet kryesore janë rritja me 150 për qind e pagës minimale, e llogaritur ndryshe në 55 mijë lekë. Nëse kompanitë e naftës ristrukturohen, ose për rastet e largimeve nga puna për arsye që nuk varen nga naftëtari, propozohet që kompania t’u paguajë përfituesve një shpërblim sa 80 për qind e pagës minimale neto.

Drafti ul edhe moshën e daljes në pension me 5 vite, 60 vjeç për burrat dhe 55 gratë. Përfitime do kenë edhe në trajtimin mjekësor. E gjitha kjo faturë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 400 milionë lekë në vit. Drafti mori votat e mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe të enjten pritet të miratohet në seancë plenare.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

KOMISIONI

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u mblodh sot dhe shqyrtoi dy projektligje, atë “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, nismë nga deputeti Omer Mamo, dhe projektligjin “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, nismë e Këshillit të Ministrave. Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishte deputeti Omer Mamo si nismëtar i projektligjit të parë dhe zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja.

“Duke qenë se për mua si deputet i qarkut të Fierit është më e rëndësishme miratimi i kësaj nisme ligjore, sesa fakti se kujt do t’i ngelet autorësia, unë jap dakordësinë time të plotë që t’i hapet rruga për një miratim sa më të shpejtë ligjit qeveritar. Besoj se siguria dhe garantimi i të drejtave të punonjësve të industrisë së naftës, e cila është një ndër pasuritë më të mëdha të vendit tonë, është tejet e rëndësishme për të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, pa ngjyrime apo dallime politike, dhe kërkoj nga ju miratimin sa më parë të nismës ligjore të Këshillit të Ministrave, i cili besoj se do të nisë shqyrtimin direkt pas fjalës sime”, – tha Mamo.

DRAFTI

Rritje të pagës minimale, rritje të pensioneve e kontributeve dhe ulje të daljes së moshës së pensionit janë disa prej përfitimeve të reja që parashikohen në një projektligj të depozituar në Kuvend për punonjësit e sektorit në naftës dhe gazit. Nisma që mban firmën e deputetit të PDIU-së Omer Mamo, synon të rregullojë statusin e punonjësve të industrisë së naftës së gazit. Një nga propozimet me të rëndësishme është ai që parashikon nivelin e pagës.

Sipas projektligjit, paga minimale e naftëtarëve duhet të jetë sa 150 për qind e pagës minimale në shkallë vendi. Po ashtu, një propozim tjetër i rëndësishëm është ulja e moshës së daljes në pension të kësaj kategorie për shkak të vështirësisë së punës. Propozimi i bërë është që naftëtarët të dalin në pension në moshën 60 vjeç. Nga ana tjetër, propozimi parashikon edhe rritjen me 5 për qind të masës së kontributeve shoqërore për punonjësit e kësaj industrie me qëllim financimin e pensionit si rezultat i uljes së moshës së daljes në pension.

Në këtë status parashikohet gjithashtu detyrimi që do të kenë operatorët privatë që përfitojnë një koncesion në fushën e naftës për krijimin e fondit profesional privat të pensioneve për naftëtarët, me qëllim për të realizuar një mbrojtje më të mirë shoqërore dhe një pension më të mirë në moshën e pleqërisë. “Është parashikuar edhe mosha e daljes në pension dhe vjetërsia e nevojshme për të përfituar këtë pension. Për meshkujt është parashikuar mosha 60 vjeç, me një vjetërsi të përgjithshme prej 30 vjetësh, nga të cilat, 20 vjet në një profesion si naftëtar sipas përcaktimeve ligjore që janë në fuqi, ndërsa për gratë është parashikuar 5 vjet më herët se profesionet normale, të kategorisë së katërt, për shkak të rritjes graduale të moshës së daljes në pension sipas ligjit të sigurimit të detyrueshëm shoqëror.

Ky fond profesional, përveç një pensioni më të mirë në pleqëri, do të ulë edhe presionet ndaj skemës publike dhe buxhetit të shtetit për më shumë para nga pensionet publike, duke ndikuar edhe në rritjen e qëndrueshme financiare publike”, shkruhet në relacionin e nismës./gazetashqiptare/

ME TE LEXUARAT