Gjiknuri: Sistemi energjitik u kthye nga spiralja e falimentit

Aktualitet

gjiknuriMinistri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri deklaroi të mërkurën se, qeveria ka një program të qartë për zhvillimin e sektorit energjitik, ku pas kthimit nga spiralja e falimentit, e cila po rrezikonte stabilitetin e kësaj qeverisje, i hapëm rrugën investimeve në këtë sektor, duke mbyllur edhe arbitrazhin me kompaninë ceke CEZ. “Arritëm t’i hapim rrugën investimeve në këtë sektor. Asnjë investitor nuk kishte besim të investonte në sektorin elektroenergjitik. Nuk është aksion i përkohshëm, por sjellje e vazhdueshme”, deklaroi ministri Gjiknuri, në aktivitetin “Rimëkëmbja energjitike – Rezultatet e vitit 2014”, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Ministri Gjiknuri, duke komentuar edhe çmimin e ri të energjisë elektrike, tha se është spekulim përcaktimi i çmimit të ri të energjisë si tarifë fiskale. “Shteti ka për detyrë të mbrojë konsumatorin në nevojë, por shteti duhet t’i sigurojë vendit burime të mjaftueshme energjie për të përballur nevojat e rëndësishme të rritjes ekonomike të shoqërisë që po zhvillohet dhe gjithë investimeve potenciale që e presin vendin. Ndryshe gënjehemi, vihemi në një gjendje përgjumjeje, për t’u zgjuar më vonë, për të parë se situata është shumë më e rëndë se sa u propogandua nga ajo superfuqia e famshme energjitike”, deklaroi Gjiknuri.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kreu i MEI-it, Gjiknuri tha se, qeveria angazhohet që në 4 vitet e ardhshme të ketë programin më intensiv të investimeve në këtë sektor, investime aq të nevojshme për të patur qëndrueshmërinë energjitike e për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri foli edhe për modelin e ri të tregut që do të aplikohet me ligjin e ri të sektorit të energjisë elektrike, ku fillon liberalizimi i tregut të energjisë. Ne besojmë, tha ai, që në vitin 2018, 40 % e tregut të jetë liberalizuar dhe konsumatori i tregut industrial të sigurojë vetë energjinë. “Ne jemi të vendosur për të vijuar me këto politika dhe kemi plan të qartë dhe vullnet për të shkuar drejt objektivave”, deklaroi Gjiknuri

ME TE LEXUARAT