Rama në Frakull të Fierit: Model të ri serash

Aktualitet

RAMASera të rindërtuara me standarde europiane, sipas teknologjisë më  të avancuar, rezistente ndaj stuhive dhe përmbytjeve. Këto do të jenë serat e reja në zonën e Frakullës, në Fier, të cilat do të mundësohen nga një projekt i USAID në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare. Kryeministri Rama, ishte sot në fshatin Kafaraj të Komunës Frakull, ku do të nisë puna për instalimin e këtij modeli të ri serash, që jo vetëm do të garantojnë rendiment më të lartë në prodhim, por edhe do të përballojnë kushtet e papërshtatshme të motit.

Ministri i Bujqësisë Panariti që shoqëronte kryeministrin në këtë vizitë bëri të ditur se paralelisht me ringritjen e serave të dëmtuara do të ndërhyhet në argjinaturën e lumit për të penguar që Vjosa të dalë nga shtrati.  “Projekt shumë ambicioz për ringritjen e kësaj sere, por jo me tipologjinë që ka pasur me plastmasë dhe konstruksione delikate, por do të bëhet një tipologji krejt e re, shumë më e avancuar, që do të jetë më rezistente ndaj stuhive dhe përmbytjeve, të cilat nuk do t’i kemi, sepse paralelisht do të ndërhyjmë në argjinaturën e lumit për të penguar që Vjosa të dalë nga shtrati. Do të bëjmë ndërhyrje të kombinuar, duke rivendosur kapacitetet e dëmtuara dhe duke penguar natyrisht vërshimet e reja të lumit. Kryesore është se ne do të instalojmë një model të ri tipologjie serash, që do të garantojnë rendiment më të lartë, por njëkohësisht do të jetë më rezistent ndaj përmbytjeve. Do të fillojmë me këtë 4 dynymësh dhe angazhohemi që gjithë kjo sipërfaqe do të ndryshojë tipologjinë e serave, sipas një sistemi të avancuar, shumë më eficient dhe rezistent. “

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Një serë e tillë do të ngrihet fillimisht në  familjen e një fermeri të zonës, Xhemil Hamataj, i cili është  një prej 20 fermerëve, prodhimet e të cilëve janë shkatërruar krejtësisht nga përmbytjet. “Ngelem pa fjalë. Mua më është bërë dëm kolosal, siç e shihni edhe vetë, por ju falënderoj për ndihmën që do na jepni dhe për përkrahjen,” u shpreh ai ndërsa u takua me Kryeministrin.

Në bisedën me banorët që do të përfitojnë nga kjo mbështetje, Kryeministri garantoi se të gjitha serat  e dëmtuara nga përmbytja do të rindërtohen, me cilësi shumë më të lartë se sa ekzistueset. Kryeministri siguroi fermerët se gjithçka që ata kanë humbur do t’u kthehet mbrapsht, edhe më moderne se më parë. “Një katastrofe për gjithë këta njerëz dhe jemi këtu për ta mbajtur këtë angazhim. Të gjitha serat e dëmtuara nga përmbytja do të rindërtohen, me një projekt që synon dhe do të arrijë përmes ekspertizës më të mirë dhe financimit të plotë të projektit që serat  e rindërtuara të jenë me standard shumë më të lartë se sa ato ekzistueset. Pra, fermerët e kësaj zone, njerëz të punës, njerëz të sakrificës, njerëz të dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore do të marrin falë kësaj mbështetje, mbrapsht jo vetëm gjithçka kanë humbur, por shumë më moderne se sa ajo që ka qenë përpara përmbytjeve. Ky ka qenë  angazhimi ynë dhe ja ku jemi. Këta jemi ne, themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.”

Drejtori i USAID Marcus Johnson bëri të ditur se në ditët në vijim do të bëhet demonstrimi i marrëveshjes prej 730 mijë dollarësh të nënshkruar me qeverinë shqiptare, pikërisht në këtë zonë, me instalimin e serave e reja.  “Është bërë një marrëveshje prej 750 mijë dollarë për të ndihmuar fermerët dhe në ditët që do të vijnë ne do të bëjmë një demonstrim të kësaj marrëveshjeje, pikërisht në këtë zonë, për të parë se si mund të përmirësojmë serat, çfarë teknologjie mund të përdorim. Kemi bërë një marrëveshje  dhe deri në shtator do të ketë një situatë më të mirë dhe një infrastrukturë më të mirë. Ne jemi duke punuar me OJQ shqiptare, për të sjellë ekspertizën, për të bërë trajnimet e nevojshme për të parë mundësinë për të ndërtuar më mirë se ç’ishte më parë .

Së shpejti në këtë zonë do të nisë edhe procesi  zhbllokimi i kanaleve të kullimit, për të  cilin Kryeministri u shpreh se nuk kryhet prej 20 vitesh “Faktikisht, ne realizojmë mbulim me financim të nevojës për të rindërtuar të gjithë infrastrukturën prodhuese të kësaj zone, falë mbështetjes së qeverisë amerikane, por vlen të theksohet përmes një koordinimi si asnjëherë më parë që ne po i bëjmë mbështetjes të fituar nga partnerët solidarë në këtë përpjekje për të zhdëmtuar gjithçka që solli përmbytja. Kështu po adresojmë një nga një të gjitha nevojat  e lindura, ndërkohë që me financime të tjera do të hymë thellë në rindërtimin e argjinaturave dhe do të fillojmë procesin e zhbllokimit të kanaleve të kullimit të bllokuara 20 vjet me radhë dhe që askush nuk kishte menduar të vinte dorë më parë. Kemi zhbllokuar gjatë kësaj periudhe 1 e gjysmë vjeçare më shumë kanale se sa në 20 vite të marra së bashku, por sigurisht ka ende shumë punë për të bërë. Ne jemi të vetëdijshëm ta përballojmë këtë punë me suksesin më të plotë.”

ME TE LEXUARAT