Paskal Milo: OSBE të largohet nga Shqipëria

Aktualitet

milooomiloooIsh-ministri i Jashtëm, Paskal Milo e konsideron të tepërt qëndrimin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim me Evropën, në Shqipëri. Sipas tij, para vitit 2000, OSBE-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në Shqipëri, por më pas ky mision ka nisur të zbehet dukshëm, sepse Shqipëria nuk është më vend që prodhon konflikte.

Milo shprehet se ka një kontradiktë mes qëndrimit të këtij misioni dhe strukturave të tjera ndërkombëtare për sa kohë që këto struktura kanë dhënë vlerësimet përkatëse, të cilat kanë mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, por edhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare nuk rezervohet ta quajë të dështuar rolin e OSBE-së sa i përket kontributit të saj për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa kujton projekte të mbështetura fort nga misioni siç ishte numërimi elektronik i votave, një projekt që megjithëse u testua nuk mundi të zbatohej. Milo pranon se vendi ynë ka ende disa probleme në mënyrë të veçantë sa u takon proceseve zgjedhore, por, sipas tij, kontributi i OSBE-së në këtë drejtim mund të zgjidhet më së miri me një komision ad-hoc dhe jo me një mision të përhershëm.

Lidhur me raportin më të fundit të dalë nga zyrat e OSBE-së për lidhjet e biznesit me politikën apo influencat politike për të interesa të caktuara personale, për të cilin vetë misioni ka deklaruar se nuk është qëndrimi i tyre zyrtar, Milo nuk pranon të japë komente. Misioni i OSBE- së në Shqipëri përfundon mandatin e tij të radhës në fund të vitit.

Sipas tij, çështja e OSBE-së tash e 15 vite diskutohet. Paskal Milo konsideron se dobia ose jo e misionit të OSBE-së është edhe çështje interpretimi politik, shkruan Shekulli.

“Por një vend që është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, mendohet se parametrat e demokracisë, funksionimit të saj dhe të shtetit ligjor i ka të plotësuara dhe nuk do të kishin vlerë gjykimet e këtyre institucioneve të rëndësishme në rast se del një institucion tjetër dhe vë në dyshim këto vlera në të cilat janë mbështetur NATO-ja dhe Bashkimi Evropian për t’i dhënë Shqipërisë në rastin e parë anëtarësimin dhe në rastin e dytë statusin e vendit kandidat. Kështu që ka një kontradiktë të brendshme në vetë gjykimin e institucioneve ndërkombëtare. Në rastin konkret, për mendimin tim, OSBE-ja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në fazën e parë, deri në vitin 2000, por pastaj roli i saj erdhi duke u zbehur sepse Shqipëria nuk është më vend burim konfliktesh dhe shqetësimesh të mëdha. Shqipëria prodhonte siguri pas këtyre viteve, nuk konsumonte siguri prandaj dhe për rolin e OSBE-së në Shqipëri, tashmë ka ardhur koha që të merret një vendim”, tha ai.

Milo thekson se Shqipëria ka deficite demokratike sidomos në proceset zgjedhore kur OSBE-ja nuk ka arritur të plotësojë misionin e saj. “Kam parasysh këtu standardet, kam parasysh këtu çfarë u tentua me vendosjen sistemit të numërimit elektronik të votave, projekte këto që u mbështetën nga OSBE-ja, por që, për fat të keq, nuk u zbatuan. Ka edhe projekte të tjera, por ato mund të zgjidhen edhe me komisione ah-hoc dhe jo me mision permanent të OSBE-së në Shqipëri”, tha ish-ministri Milo.

ME TE LEXUARAT