Takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, ja “Urdhri” i Mogherini-t

Kosovë&Rajon

Takimi mes Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar pak pas orës 23:00. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka lëshuar një komunikatë për media, pas ndërmjetësimit të takimit të radhës të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Por, pas takimit të dy delegacionet nuk kanë dhënë deklarata. Kjo me urdhër të Mogherinit e cila ka kërkuar nga të dyja palët që të mos japin asnjë deklaratë për media. Pra, nga kjo nuk dihet se çfarë është biseduar e çfarë jo në këtë takim. Bisedimet e sotme është thënë se do të përqendrohen te çështja e drejtësisë në veri, energjetika dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si ndërmjetësuese e dialogut, edhe kësaj radhe ka ftuar edhe kryeministrat, edhe presidentët e dy vendeve.

“Bashkë me presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliç, dhe kryeministrat Aleksandar Vuçiç dhe Isa Mustafa, unë zhvillova një takim tjetër të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Mogherini pas takimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Në takimin tonë sot ne kemi pasuar diskutimet që kemi zhvilluar në Dialog më 24 janar. Unë jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët. Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, ka thënë Mogherini.

“Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe për Kosovën, por gjithashtu për rajonin dhe për Bashkimin Evropian. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është kyç për të dyja palët për të ruajtur paqen dhe për të përparuar drejt Bashkimit Evropian. Ai është i rëndësishëm për Evropën dhe për stabilitetin rajonal”, ka shtuar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.

ME TE LEXUARAT