Dhoma e Përfaqësuesve te SHBA dergon akuzave për shkarkimin e Trump në Senat

Bota

Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën për të dërguar akuzat për procesin e shkarkimit ndaj Presidentit Donald Trump në Senat, për një gjyq që fillon intensitet të plotë javën e ardhshme.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Votimi që u bë pothuajse tërësisht në bazë të përkatësisë partiake, e kalon çështjen nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate në Senatin me shumicë republikane. 228 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve votuan pro dërgimit të akuzave dhe 193 kundër.

Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi akuzat muajin e kaluar por Kryetarja Nancy Pelosi, priti katër javë për t’i dërguar ato në Senat, në përpjekje për të bindur udhëheqësit republikanë të senatit që të lejonin dëshmitarë të flisnin në gjyq.

Kjo çështje mbetet pa zgjidhje. Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell i ka rezistuar idesë për të thirrjen e dëshmitarëve dhe ka thënë se vendimi do të merret më pas gjatë gjyqit.

“Do të merremi me çështjen e dëshmitarëve në një kohë të përshtatshme gjatë gjyqit. Të dyja palët do të duan të thërrasin personat, dëshmitë e të cilëve duan të dëgjojnë”, u tha zoti McConnell të martë gazetarëve në Kongres.

Ai kritikoi gjithashtu demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë se ata nuk mundet të thonë që argumentat për shkarkimin e presidentit Trump janë të forta, por njëkohësisht “aq të dobëta saqë Senati duhet të përpiqet t’i peshkojë ato”.

Zonja Pelosi tha se nëse Senati e fillon gjyqin pa dëshmitarë, populli amerikan do ta shohë procesin si një “farsë të pastër politike”.

“Udhëheqësi McConnell dhe Presidenti druhen nga dalja në dritë e fakteve të tjera”, tha ajo.

Zonja Pelosi emëroi të mërkurën ekipin e ligjvënësve që do të luajnë rolin e prokurorëve në gjyqin që zhvillohet në Senat. Ekipi kryesohet nga kreu i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff dhe ai i Komisionit Juridik, Jerrold Nadler.

Shtëpia e Bardhë reagoi sot, duke e quajtur procesin e shkarkimit të paligjshëm dhe duke thënë se zonja Pelosi “provoi se ajo është e fokusuar te politika dhe jo tek populli amerikan.”

Procesi gjyqësor drejtohet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, ndërsa senatorët janë në rolin e anëtarëve të jurisë që ka në dorë të shpallë presidentin të fajshëm ose jo, për akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gjatë kësaj jave të do të merren hapat paraprake dhe gjyqi vetë pritet të fillojë të martën dhe ka gjasa të zgjasë disa javë.

Zoti Trump akuzohet se ka abuzuar me pushtetin, duke i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-nënpresidentin Joe Biden dhe të birin e tij, Hunter që shërbente në bordin e një kompanie gazi në Ukrainë, ndërkohë që Presidenti bllokoi 391 milionë dollarë që më pas i zhbllokoi. Ai akuzohet gjithashtu se më pas kishte penguar një hetim nga kongresi të veprimeve të tij.

Zoti Trump këmbëngul se nuk ka bërë asnjë gabim dhe e ka përçmuar përpjekjen për shkarkim si “një gjueti shtrigash”.

“Ndërsa ne po hapim vende pune dhe po vrasim terroristët, demokratët në Kongres po humbasin kohë me sajesa dhe gjueti të çmendura shtrigash”, u tha ai gazetarëve të martën në mbrëmje.

Republikanët, që kanë shumicën në Senat, i kanë kundërshtuar akuzat kundër presidentit Trump dhe nuk pritet që ai të shpallet fajtor.

Do të duheshin dy të tretat e votave nga 100 senatorët për ta realzuar një gjë e tillë, çka do të thotë që do të duhej që 20 republikanë të votonin pro heqjes së tij, nëse 47 Demokratët votojnë kundër tij.

Disa republikanë i kanë kritikuar veprimet e zotit Trump për Ukrainën por asnjëri prej tyre nuk ka thënë se është pro shkarkimit të tij.

Demokratët thanë të martën në mbrëmje se përveç akuzave, ata do të paraqresin të dhëna të reja që e kanë siguruar nga biznesmeni Lev Parnas, një partner i avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani.

Të dhënat përfshijnë një kopje të një letre që më parë nuk ishte e njohur, që zoti Giuliani ia kishte dërguar në maj presidentit të sapozgjedhur Volodymyr Zelensky, duke prezantuar veten si “avokati persnonal” i zotit Trump dhe duke kërkuar një takim me dijeninë dhe miratimin e zotit Trump.

Po ashtu përfshin komunikime mes avokatëve Parnas dhe Giuliani dhe të tjerëve për shkarkimin e ambasadores amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovich, e cila e kishte kundërshtuar kërkesën e zotit Trump për hetimin e zotit Biden dhe të birit.

Është hera e tretë në historinë 244 vjeçare të Amerikës që në Senat zhvillohet gjyqi për shkarkimin e një presidenti.

Dy presidentët e tjerë në të kaluarën që i janë nënshtruar gjyqit në Senat, janë Bill Klinton në vitin 1999 dhe Andrew Johnson 1868. Që të dy u shpallën të pafajshmën nga Senati pasi Dhoma e Përfaqësuesve kishte ngritur akuzat.

Richard Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974 ndërsa përballej me një votim të sigurt për shkarkim, për shkak të skandalit politik Watergate. /VOA/

ME TE LEXUARAT