The Independent: Kryeministri Edi Rama, homazh për viktimat e ‘Charlie Hebdo’ me një stil të veçantë
Gazeta prestigjoze angleze “The Independent” i ka rezervuar një artikull paraqitjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë marshimit të paqes në Paris.
Kryeministri Rama mbante tre lapsa me ngjyra të bardhë, blu dhe të kuq në xhepin e kostumit që simbolizonin flamurin francez.
“Pikërisht kur ju mendoni se keni parë lapsin e ri-orientuar në të gjitha mënyrat e mundshme, si një simbol i lirisë së fjalës ndaj sulmeve të ‘Charlie Hebdo’, kryeministri shqiptar Edi Rama paraqitet me një zgjedhje mendjehollë duke mbajtur në xhepin e xhaketës një simbol tringjyrësh”, shkruan “The Independent”.
“Politikani, gjithashtu edhe një artist dhe shkrimtar, u paraqit në marshimin e solidarizimit në Paris me lapsa blu, të bardhë dhe të kuq të futur në xhepin e xhaketës, duke simbolizuar ngjyrat e flamurit francez”, vijon shkrimi i “The Independent”.
“Më shumë se tre million persona morën pjesë në marshimin historik, me pjesëmarrjen e 40 liderëve botërorë, të cilët parakaluan krah për krah në krye të kortezhit të mbështetësve”, thekson “The Independent”, duke shtuar se, “Parisi është kryeqyteti i botës sot” u shpreh lideri francez Francois Hollande gjatë marshimit, i cili shënoi pjesëmarrjen më të lartë në historinë e vendit. Ai u organizua për të treguar që terrorizmi nuk do të tolerohet dhe se liria do të triumfojë pas sulmeve që ndodhën javën e kaluar kundër të përjavshmes ‘Charlie Hebdo’ dhe supermarketit hebre. Mesazhi u përcoll në mbarë botën me disa monumente historike në Londër, duke u ndriçuar me flamurin tringjyrësh francez”