35 vite pa asnjë investim në infrastrukturë rrugore/ Banorët e Kurbinit ngrihen në protesta

Banorët e fshatit Gjormë në Kurbin kanë dalë në protestë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin me aksin kryesor.
Sipas banorëve, segmenti rrugor është prej vitesh në gjendje të amortizuar dhe vështirësisht i kalueshëm. Ata thonë se në zonë nuk është kryer asnjë investim në infrastrukturën rrugore prej më shumë se 35 vitesh.
Gjendja e rrugës ka vështirësuar lëvizjen e përditshme të banorëve, ndërsa një problem i veçantë mbetet transporti i fëmijëve drejt shkollës.
Banorët kërkojnë gjithashtu pastrimin e kanaleve kulluese, pasi gjatë reshjeve të dendura zona përballet me përmbytje.
Një tjetër shqetësim lidhet me urën në këtë segment.


