Aksidenti në autostradën Durrës–Tiranë, zbulohen detaje nga hetimet: Shoferi dyshohet se humbi ndjenjat para përplasjes

Aktualitet

Aksidenti në autostradën Durrës–Tiranë, zbulohen

Drejtuesi i autobusit ka shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë udhëtimit vetëm pak minuta para se të ndodhte aksidenti tragjik në autostradën Durrës-Tiranë. Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor, duke ngritur dyshime se shoferi ka humbur ndjenjat duke pësuar kolaps shëndetësor dhe autobusi i ka dalë nga kontrolli, duke u përplasur fillimisht me bordurën dhe më pas me barrierat e hekurit të autostradës, shkruan A2 CNN.

Grupi hetimor nuk ka konstatuar asnjë shenjë frenimi ndërsa autobusi jashtë kontrollit ka dalë te korsia e emergjencës. Kjo forcon dyshimin se gjendja e rënduar shëndetësore nuk i ka dhënë mundësi shoferit as të frenojë dhe as të ulë shpejtësinë, pasi përplasja ka qenë e fortë me barrierën e hekurit për shkak të shpejtësisë.

Sipas ekspertizës së kryer nga policia rrugore dyshohet se autobusi ka qenë me shpejtësi 90 km/orë, aq sa është limiti i lëvizjes në autostradë. Policia ka sekuestruar edhe kamera të sigurisë pranë vendit të aksidentit, ku duket që shoferi nuk frenon për të ndaluar dhe në një moment në një pamje jo shumë të qartë duket që koka i ka rënë mbi timon, momenti kur ka humbur ndjenjat.

Atobusi rezulton të mos ketë pasur asnjë defekt, madje 1 muaj më parë kishte kryer edhe kontrollin teknik. Po ashtu, edhe drejtuesi i autobusit 36-vjeçari Redion Hasimi rezulton një shofer i rregullt më parë dhe nuk kishte kryer shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

ME TE LEXUARAT